Xhaferaj: Zonë e shpallur ansambël kulturor
Edhe Ministria Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përmes titullarit Ferdinand Xhaferaj i konsideron të paligjshme punimet, me argumentin se po kryhen në një zonë të shpallur ansambël kulturor. Z. Xhaferaj përmendi vendimin e vitit 2003 për këtë zonë, duke thënë se në kohën kur Rama ishte ministër i Kulturës, ka propozuar një VKM, që shpallte aksin kryesor nga sheshi Nënë Tereza deri tek stacioni i trenit, ansambël kulturor. Sipas ministrit Xhaferaj, ndërhyrja në sheshin e Tiranës nga bashkia e kryeqytetit është e paligjshme, pasi ajo zonë është monument kulture. Ai shtoi se nisja e punimeve në sheshin Skënderbej është në kundërshtim edhe me vetë vendimet që kryebashkiaku Rama kishte marrë në kohën kur ishte ministër Kulture. Vendimi që ka marrë Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, zoti Edi Rama, për të ndërhyrë në sheshin Skënderbej, vjen në kundërshtim të hapur me ligjin, edhe pse zoti Edi Rama në vitin 2000 ka qenë ministër i Kulturës së këtij vendi dhe atëherë ai ka propozuar një VKM, e cila e shpall aksin kryesor të kryeqytetit që fillon nga sheshi Nënë Tereza dhe përfundon tek stacioni i trenit dhe qendrën historike të Tiranës, ansambël monument kulture. Kjo është një VKM që e ka propozuar vetë zoti Edi Rama. Po kështu kemi dhe ligjin për trashëgiminë kulturore të vitit 2003. Çdo vendim që merr pushteti lokal, Këshillat e Rregullimit të Territorit për zonat që janë monument kulture, në qoftë se nuk miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, është i pavlefshëm, - tha Xhaferaj. Ai ishte më specifik kur detajoi një shkresë të monumenteve të kulturës drejtuar Bashkisë së Tiranës me të cilën kërkohen ndryshime në projektin belg për sheshin Skënderbej. Është kërkuar që projektit të zotit Edi Rama për ndërhyrjen në sheshin Skënderbej ti bëhen disa ndryshime, por dy më kryesoret janë: E para, pjerrësia e sheshit të mos kalojë 1% dhe e dyta, të mos ndërtohen dy godina, njëra që është aksin që të nxjerr tek stacioni i trenit dhe tjera që është midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë, - theksoi z. Xhaferaj.