Xhaferaj me katër kredi, Ruli investon në bono

Ruli ka përfituar rreth 9700 dollarë të ardhura nga interesat e depozitave, Pollo blen apartament në Kavajë 70 mijë euro
TIRANË - Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, ka katër kredi për të shlyer. Tek njëra kanë mbetur edhe 55 mijë euro, ndërsa ka marrë së motrës edhe 20 mijë euro për të paguar këstet e një tjetër kredie. Pollo shet një apartament dhe blen një tjetër në Kavajë me vlerë 70 mijë euro, ndërsa Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, shlyen një overdraft 90 mijë euro.
Ferdinand Xhaferaj
Deklarata e Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ferdind Xhaferaj, është e mbushur me shlyerje këstesh kredie, si dhe huamarrje të reja gjatë vitit të shkuar. Fillimisht Xhaferaj ka paguar rreth 20 mijë euro këste kredie, me të cilat ka blerë një apartament me sipërfaqe 80 metër katror.
Më tej janë shlyer edhe 5500 euro të një tjetër kredie për një tjetër apartament. Për sa i përket apartamentit të parë, Xhaferaj deklaron se 20 mijë euro ia ka marrë borxh së motrës. Rreth 210 mijë lekë ai deklaron se ka paguar gjatë vitit të shkuar për një tjetër kredi, ndërsa po për të njëjtin qëllim i janë paguar edhe 10700 euro një banke tregtare në vend. Nga kredia e fundit kanë mbetur për t'u shlyer edhe 55 mijë euro.
Në fund të vitit, Xhaferrajt i kanë tepruar rreth 160 mijë lekë "CASH". Të gjitha shpenzimet e mësipërme Ministri deklaron se i ka mbuluar me të ardhurat e tij si deputet dhe Ministër, biznesi privat në emër të bashkëshortes dhe qiraja e dy objekteve.
Genc Pollo
Gjatë vitit të shkuar, Ministri Pollo rezulton të ketë blerë një apartament 130 metër katror në një fshat turistik në Kavajë me vlerë 70 mijë euro. Për të blerë këtë Pollo ka shfrytëzuar të ardhurat nga shitja e një tjetër apartamenti në Golem të Kavajës me vlerë 40 mijë euro, si dhe kredinë e marrë 37 mijë euro të marrë në një bankë tregtare.
Po ashtu, në emër të tij rezulton edhe një tjetër kredi, nga e cila kanë mbetur për t'u shlyer edhe rreth 12 mijë euro. Gjatë vitit të shkuar, Pollo ka shlyer rreth 2300 euro këste kredie. Në emër të Pollos dhe familjarëve të tij rezultojnë katër llogari bankare, të cilat në total kapin një vlerë prej rreth 700 mijë lekësh.
Genc Ruli
Gjatë vitit të shkuar Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, ka përfituar rreth 9700 dollarë të ardhura nga interesat e depozitave në disa banka tregtare në vend, si dhe investimit me anë të bonove të thesarit.
Gjatë vitit të shkuar, Ruli ka investuar 5 milionë lekë, duke blerë bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë, nga të cilat ka përfituar rreth 366 mijë lekë. Rreth 4700 euro të tjera interesa i ka përfituar nga një depozitë me vlerë 154 mijë euro pranë një banke tregtare në vend. Në emër të tij rezultojnë edhe dy depozita të tjera më vlerë të vogla.
Më tej, Ruli rezulton të ketë investuar rreth 20 mijë euro në një tjetër bankë të nivelit të dytë, nga e cila ende nuk ka përfituar interesat. Për sa i përket një tjetër investimi të ngjashëm në të njëjtën bankë, Ruli ka përfituar rreth 8 mijë euro të ardhura. Po ashtu, rezulton se Ministri i Bujqësisë ka paguar rreth 40 mijë dollarë për një investim në shtëpi. Në emër të Rulit ekziston edhe një kredi prej 174 mijë euro.
Dritan Prifti
Në emër të Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, rezultojnë tre llogari bankare, të cilat në total kapin një vlerë prej 3800 dollarë. Nga paga si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Prifti ka përfituar gjatë vitit të shkuar dhe tre mujorit të parë të këtij viti 1.3 milionë lekë dhe nga paga si Ministër 562 mijë lekë. Ndërsa bashkëshortja ka përfituar një pagë vjetore prej 460 mijë lekësh.
Ndërkohë, në emër të kësaj të fundit rezulton një llogari bankare jashtë shtetit prej 3400 dollarë. Si pasojë e shitjes së aksioneve të një shoqërie private, ajo ka përfituar në emër të saj 799 mijë euro. Me një pjesë të këtyre parave është blerë një apartament rreth 58 metra katrorë në rrugën "Dervish Hima" në Kryeqytet me vlerë 8.8 milionë lekë.
Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit ka shlyer përfundimisht një overdraft të marrë në një bankë në vend prej 90 mijë euro. Të ardhurat për shlyerjen e këtij detyrimi, Bregu deklaron se i siguruar nga qiraja e një dyqani prej 2500 euro në muaj, paga e saj dhe e bashkëshortit. Nga paga si Ministre, ajo ka përfituar rreth 1.3 milionë lekë, ndërsa të ardhurat e bashkëshortit kanë qenë në vlerën e 52 mijë eurove.
Hazir Gashi, deputeti që trashëgoi pronat
Në emër të deputetit socialist të qarkut të Durrësit ekzistojnë një numër i konsiderueshëm pronash të luajtshme dhe të paluajtshme si tokë, apartamente, makina, si dhe një kompani ndërtimi.
Janë parcela toke në Durrës me sipërfaqe rreth 26 mijë metra katrorë, për të cilat nuk është deklaruar vlera. Ndërkohë, ekzistojnë edhe rreth 7 mijë metra katrore tokë arë me vlerë 32 mijë euro, tokë arë me vlerë 25 mijë euro e shkëmbyer me një apartament, tokë arë me sipërfaqe 673 metër katror me vlerë 200 mijë lekë, tokë me sipërfaqe 1300 metër katror me vlerë 5 milionë lekë.
Në emër të kompanisë së ndërtimit ekzistojnë sipërfaqe të konsiderueshme trualli. Janë rreth 800 metra katrorë truall me vlerë 2 milionë lekë, si dhe një sipërfaqe prej 445 metër katror, të cilën e përdorin banorët e pallateve.
Krahas tokës dhe trojeve, në emër të deputetit Gashi ekzistojnë edhe disa apartamente, kryesisht në Durrës. Janë katër apartamente me vlerë rreth 400 mijë euro, si dhe disa zyra me vlerë totale prej 194 mijë euro.
Ruçi deklaron vetëm pagën e deputetit
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste njihet si një njeri që flet shumë shkurt dhe këtë gjë e ka bërë edhe në deklaratën e tij të pasurisë. E gjithë deklarata e pasurisë së Ruçit përfshihet në një fjali: Të ardhurat nga paga si deputet dhe pjesëmarrja në komisione janë 1.443.840 lekë të reja".