E Diel, 1 Nëntor 2026

Çomo, debat me anëtarët e PD për suportin politik

Seanca dëgjimore me Sokol Çomon, demokratët akuza për mbështetje politike. Gjyqtari: Kam bërë vetëm detyrën


TIRANË - Kandidati i dytë për anëtar të Gjykatës së Lartë rrezikon të mos marrë votat e deputetëve të djathtë në Parlament, pasi ata e akuzojnë për anësi politike. Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë kanë shprehur dyshime lidhur me figurën e Sokol Çomos, pasi, sipas tyre, prapa karrierës dhe kandidimit qëndron mbështetja politike.


Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, Çomo i është përgjigjur një numri të madh pyetjesh të deputetëve të mazhorancës, ku pjesa më e madhe e tyre kishin të bënin nëse kandidati për gjyqtar i Gjykatës së Lartë gëzon mbështetje politike.


"E ritheksoj, as një ditë të vetme nuk kam kryer shërbime politike. Kam kryer shërbime shtetërore. Kam qenë pjesë e administratës shtetërore dhe kam punuar për mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor.


Nëse do të më thoni që zgjedhja juaj duhet konsideruar zgjedhje politike edhe ju zoti Hoxha si deputet i vjetër do të gjeni anëtar të KLD që i keni emëruar vetëm me votën e mazhorancës dhe ata sot janë dy anëtarë të KLD-së", - sqaroi Çomo. Edhe pyetja e deputetit dhe njëkohësisht ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kishte të bënte nëse posti si zëvendësministër ishte politik apo jo.


Por për kandidatin Sokol Çomo ligji e përcakton qartë se gjyqtarët që kanë shërbyer në funksione politike dhe janë kthyer gjyqtarë, veprimtaria e tyre në strukturat e ministrisë së Drejtësisë do të konsiderohet për efekt të karrierës në gjykatën e Lartë, si karrierë gjyqësore.


Megjithëse lëvizja është bërë në vitin 2002, gjyqtari Çomo nënvizon se ligji i vitit 2008 ka fuqi prapavepruese ç'ka lejon që periudha që ai ka qenë në Ministrinë e Drejtësisë, të konsiderohet si karrierë gjyqësore.


Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Edi Paloka, hodhi dyshime mbi figurën e gjyqtarit Çomo. Paloka paraqiti disa fakte që, sipas tij, vinin në dyshim pavarësinë politike. "Në datën 22.4.2002, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë jeni zgjedhur anëtar i KLD. Sipas informacioneve që kam unë, vetëm një ose dy ditë më pas ka hyrë në fuqi një ligj që e bënte të detyrueshme për anëtarët e KLD një përvojë prej 10-vjetësh në drejtësi.


Kusht që ju nuk e kapni. Ka qenë kjo rastësi, apo kemi të bëjmë me suport politik?", - kërkoi sqarim deputeti Paloka. Kandidati për gjyqtar në Gjykatën e Lartë deklaroi se zgjedhja që ka bërë ka qenë e ligjshme në përputhje me Kushtetutën.


"Emërimi si anëtar i KLD-së, është e vërtetë që jam zgjedhur në 22.4.2002. Në dijeninë time zgjedhja është bërë vetëm në bazë të kritereve profesionale. Nuk ka pasur në këtë proces ndonjë përzgjedhje të orientuar nga kritere politike. Çështja se kur ka hyrë një ligj në fuqi ose një tjetër, janë çështje teknike.


Ajo që konfirmoj është se ka qenë zgjedhje e ligjshme në përputhje me Kushtetutën e vendit", - theksoi Çomo. Duke analizuar problematikat me të cilat përballet gjyqësori ditët e sotme, gjyqtari Sokol Çomo evidentoi tre probleme. Për emrin e dytë të dekretuar nga presidenti Topi, mungesa e profesionalizmit, korrupsioni dhe mungesa e transparencës janë disa nga "sëmundjet" që kanë prekur sistemin gjyqësor në vendin tonë.

Kuvendi, propozohet shtimi i seancave plenare


Konferenca e Kryetarëve në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku morën pjesë Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Namik Dokle dhe Nasip Naço, mori në shqyrtim kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 05.07.2010-22.07.2010.


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke pasur parasysh axhendën e ngjeshur të kësaj periudhe, propozoi intensifikimin e mbledhjeve të Komisioneve të Kuvendit edhe gjatë pasditeve, si dhe mundësinë e shtimit të numrit të seancave plenare. Konferenca e Kryetarëve do të diskutojë sërish kalendarin, përpara mbledhjes së seancës plenare të ditës së enjte.


PS: Nuk ka rritje të pensioneve për shqiptarët


Partia Socialiste ka denoncuar atë që ajo e cilëson si të paligjshëm moszbatimin e indeksimit të pensioneve nga data 1 korrik nga ana e qeverisë. Sipas deputetit Ilir Beqja, nuk ka rritje të pensioneve për pensionistët shqiptarë dhe se me paratë që ju është dhënë nga qeveria, pensionistët blejnë më pak se një vit më parë.


Shkaku i mosrritjes së pensioneve për PS duhet parë te korrupsioni dhe evazioni ku vetëm në 5 muaj qeveria e Sali Berishës, sipas socialistëve, ka 12 mld lekë deficite në dogana dhe tatime. Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku deklaroi se borxhi në 2005 ka qenë 72% , ndërsa tani është 59.5%, deputeti Beqja e quajti atë një gënjeshtër.


Kriza, Balla dhe Ahmetaj drejt Brukselit


Deputetët e Partisë Socialiste Taulant Balla dhe deputeti tjetër Arben Ahmetaj do të udhëtojnë sot drejt Brukselit. Dy deputetët socialistë do të shkojnë në mbledhjen e ditës së nesërme ku do të votohet rezoluta për Shqipërinë. Komisioni i Jashtëm pritet të debatojë mbi situatën në Shqipëri, ku kriza politike pritet të zërë edhe pjesën më të madhe të diskutimeve të eurodeputetëve.


Në tekstin e projektrezolutës thuhet se Parlamenti Europian shpreh keqardhjen për krizën politike, duke e konsideruar dialogun parlamentar si të nevojshëm për funksionimin demokratik të institucioneve.


Taulant Balla: Ministri të japë dorëheqjen. Meta: Dorëheqjen kur e parashikon Kushtetuta, pas tre vjetësh

Balla-Meta, përplasje për zyrtarin e arrestuar

TIRANË - Incidenti i ndodhur me arrestimin e një zyrtari të ministrisë së Jashtme brenda Ambasadës Amerikane për trafik droge ka përplasur dje mazhorancën dhe opozitën. Partia Socialiste kërkoi nëpërmjet deputetit të saj, Taulant Balla, dorëheqjen e zv.kryeministrit dhe njëherësh ministrit të Jashtëm, Ilir Meta.


"I kërkojmë sot Ilir Metës të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie për këtë incident të rëndë që ka prekur Ministrinë e Jashtme. Ky skandal i turpshëm bëhet edhe më i thellë me reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit, ky individ na paska qenë marrë në punë si sekretar personal i ministrit brenda të gjitha rregullave dhe me konkurs, kur në fakt nuk ka pasur asnjë konkurs.


I kujtojmë sot Sali Berishës, nuk është e largët dita kur ti dhe kriminelët e tu do të japin llogari për të gjitha krimet dhe pisllëqet", - tha dje Balla gjatë një konference për shtyp. Pas kërkesës së kryer nga opozita për dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, ka reaguar ky i fundit, duke thënë se një veprim të tillë do ta kryejë pas tre vitesh për të respektuar edhe afatet kushtetuese.


"Dorëheqjen do ta japim kur të mbarojë afati i përcaktuar me Kushtetutë, që i bie edhe tre vjet të tjera, pasi kuptohet se askush nuk mund të qëndrojë në një detyrë pa u rizgjedhur në mënyrë demokratike", - nënvizoi dje Meta gjatë një prononcimi për mediat. Kreu i diplomacisë shqiptare për arrestimin e zyrtarit të ministrisë së tij, theksoi se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit po zbatohet nga qeveria shqiptare, duke çuar para drejtësisë edhe zyrtarët e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›