Zbardhen pasuritë e Kabinetit Berisha

Mediu përfiton 11 mijë euro nga një apartament me qira, Imami 8 mijë euro nga një aktivitet privat
Olldashi shton të ardhurat me 1.8 milionë lekë, Nishani ka për të shlyer kredinë 4.5 milionë lekë
TIRANË - Llogari bankare brenda dhe jashtë vendit, apartamente në Tiranë dhe vijë bregdetare, kredi në shuma marramendëse, si dhe të ardhura nga investime të ndryshme private. Këto janë disa nga pasuritë që ministrat e qeverisë Berisha kanë deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë. "Shekulli" boton sot pasuritë e të gjithë ministrave bazuar mbi deklaratat që ata vetë kanë bërë.
Arben Imami
Në deklarimin e bërë për vitin 2009 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, rezulton të ketë një shtesë të të ardhurave me 300 mijë lekë nga paga si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në emër të familjarëve rezulton një llogari bankare me gjendje 3 mijë euro.
Gjatë këtij viti Imami ka punuar edhe si Drejtor Kabineti i Kryeministrit Berisha, punë nga e cila ka përfituar rreth 1.4 milionë lekë. Pjesë e deklaratës është edhe paga e bashkëshortes, e cila gjatë vitit të shkuar ka akumuluar rreth 1 milionë lekë, si dhe 8 mijë euro të përfituara nga një aktivitet privat.
Bujar Nishani
Ministri i Drejtësisë ka akumuluar nga puna e tij dhe e bashkëshortes rreth 1700 euro "CASH". Po ashtu, rezulton se ai ka blerë një autoveturë me vlerë 3500 euro në maj të vitit 2009. Gjatë kësaj periudhe, Nishani ka përfituar nga puna e tij si Ministër rreth 1.6 milionë lekë, nga honoraret si anëtar i KLD-së ka përfituar 27 mijë lekë. Për sa i përket bashkëshortes, nga puna në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ajo ka përfituar 780 mijë lekë, si dhe 243 mijë lekë si anëtare e Bordit të Postës Shqiptare.
Në emër të Ministrit Nishani rezulton edhe një dyqan në Durrës, të cilin ai e ka lëshuar me qira dhe ka një përfitim vjetor prej 540 mijë lekësh. Në vitin 2006, Ministri ka marrë një kredi për blerje apartamenti, ku gjatë vitit të kaluar ka shlyer 285 mijë lekë këste. Nga kjo kredi i mbeten për të shlyer edhe 4.5 milionë lekë. Gjatë vitit të shkuar, Nishani ka shpenzuar edhe 6 mijë euro për shkollimin e dy fëmijëve të tij në një shkollë private në Kryeqytet.
Fatmir Mediu
Në emër të ish-Ministrit të Mbrojtjes, aktualisht në postin e Ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, rezultojnë dy kredi të trashëguara nga vitet e shkuara. Gjatë vitit të shkuar janë shlyer rreth 23 mijë euro këste. Nga kreditë mbeten për t'u shlyer edhe 4.4 milionë lekë. Në fund të vitit 2009, Mediu ka pasur një shtesë gjendje të parave në CASH prej 300 mijë lekësh. Ndërsa në emër të bashkëshortes së tij ekziston një llogari bankare me vlerë 168 mijë lekë. Në emër të tij është një llogari rrjedhëse për pagën, e cila në momentin e deklarimit ka pasur 78 mijë lekë.
Myqerem Tafaj
Gjatë vit të shkuar nga paga e tij dhe e bashkëshortes, Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka përfituar rreth 2.5 milionë lekë. Ndërkohë, në emër të tij janë edhe dy depozita bankare, të cilat gjatë vitit të shkuar janë shtuar me 1.7 milionë lekë, si dhe një tjetër llogari, e cila është zvogëluar me 29 mijë euro.
Spiro Ksera
Para se të emërohej Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, ka qenë prefekt i qarkut të Gjirokastrës, punë nga e cila ka përfituar 434 mijë lekë. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Ksera zgjidhet Ministër dhe ka përfituar pagë rreth 480 mijë lekë. Nga ana tjetër, bashkëshortja ka marrë një pagë vjetore prej 559 mijë lekësh.
Ridvan Bode
Në emër të shefit të Financave Shqiptare, Ridvan Bode, dhe familjarëve të tij rezultojnë pesë depozita dhe llogari bankare pjesa më e madhe e të cilave rezulton me minus. Janë tre llogari nga të cilat janë tërhequr rreth 2.6 milionë lekë. Ndërsa dy llogaritë të tjera kanë një vlerë prej 3 milionë lekësh. Nga paga vjetore si Ministër, Bode ka përfituar rreth 1.7 milionë lekë.
Sokol Olldashi
Gjatë vitit të shkuar, të ardhurat e Ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, janë shtuar me rreth 1.8 milionë lekë. Si Ministër, Olldashi ka përfituar rreth 1.6 milionë lekë pagë, ndërsa rreth 2.2 milionë lekë i ka përfituar bashkëshortja e tij si pedagoge në Universitetin Publik dhe në Universitete Private. Në emër të ministrit rezulton edhe një kredi për blerje apartamenti.