Kontrollet e KLD-së prishin gjumin e mëkatarëve në PS
Kontrollit të ushtruar ndaj gjykatave në vend nga ana e KLD-së, i është kundërpërgjigjur dje Partia Socialiste, duke e konsideruar këtë institucion si komisariat policie që kontrollon gjykatat me operacione të koduara. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, prej disa ditësh ka nisur një kontroll të qenësishëm në gjykatat e vendit, për të inspektuar rregullsitë mënyrën e funksionimit të tyre. Sigurisht që nuk kanë munguar edhe rastet kur KLD ka konstatuar shkelje të ligjit dhe thyerje të disiplinës gjyqësore në një sërë gjykatash në rrethe. Por, PS ka dalë në mbrojtje të shpërdoruesve të ligjit duke hedhur poshtë kompetencat kushtetuese të KLD-së në ushtrimin e kontrollit të gjykatave në vend, e duke kërkuar kthim në normalitetin Kushtetues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë drejtim, Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani, i bëri thirrje dje, pjesës gjyqësore në përbërje të KLD-së, që të kthejnë në normalitet kushtetues funksionimin e këtij institucioni. Duke theksuar se PS nuk synon të mbrojë asnjë shkelës ligji apo të korruptuar në radhët e gjyqësorit shqiptar, Manjani u shpreh se “KLD nuk mund të sillet si komisariat policie, që kontrollon gjykatat me operacione të koduara, siç është edhe ky i fundit që e titulluan ‘Maratona e Drejtësisë’. “Kushtetuta e vendit dhe Gjykata Kushtetuese, kanë vendosur kufij të qartë për inspektimin gjyqësor dhe për matjen e punës së gjyqtarit. Sipas kësaj praktike kushtetuese, pra të detyrueshme edhe për KLD-në, askush përveç gjykatave më të larta nuk kanë të drejtë të konstatojnë drejtësinë e vendimeve të dhëna. KLD inspekton administrimin e çështjeve dhe mat aftësinë e gjyqtarëve sipas garancive që vendos ligji dhe jo gjyqi publik”, tha ai.