Edvinit të majtë i humbet vula
Koalicioni opozitar i konsakruar në marrëveshjen e vështirë të 26 majit 2006, është dënuar përfundimisht me vdekje. Koalicioni i ri opozitar në udhëheqje të së cilës është vënë Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar kërkesën e saj për tu rregjistruar në Gjykatën e Tiranës si subjekt i ri politik, duke lënë të kuptohet se përplasjet e ashpra të ditëve të fundit me lidershipin socialist dhe kryesisht me vetë kryesocialistin Edi Rama, nuk ishin thjesht mediatike dhe në funksion të një shantazhi për të përfituar maksimalisht nga çdo moment i rëndësishëm politik. Përkundrazi një akt i tillë është dëshmi e synimit të qartë të Ilir Metës dhe krerëve të tjerë të partive të majta që deri tani kanë shprehur simpati për këtë lëvizje, për të garuar veçmas Ramës në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Burime zyrtare nga LSI konfirmuar se në këtë këtë grupim politik do të bëjnë pjesë jo vetëm përfaqësues të partive dhe sferave politike por dhe personalitete te fushave ndryshme, deputetë, të zgjedhur vendorë
të çdo hierarkie si dhe çdo shqiptar ose shqiptare që do të gjej aspiratat e
veta në platformën, statutin dhe programin e këtij formacioni politik i cili ashtu siç ka dhe emrin pa ekuivok i përket të majtës shqiptare në tërësi. Kërkesa është depozituar në Gjykatë nga Sekretarja Organizative e LSI, Brizida Gjikondi dhe është marrë në administrim gjyqësor nga nënkryetari i Gjykatës së Rrethit Tiranë, Artur Gaxhi. Seanca e shqyrtimit të kësaj kërkese është caktuar data 26 mars dhe në mbështetje të procedurave të përcaktuara me ligj dokumenti final do të shoqërohet nga Statuti i këtij subjekti politik, lista e firmëtarëve, programi, platforma dhe akti i themelimit.
Pikërisht dje LSI me anë të nënkryetarit Dritan Prifti ka hedhur akuza mjaft të rënda ndaj kreu të PS-së, Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit deri për shitjen në tavolinë të rezultatit të zgjedhjeve të vitit që vjen. “Lidershipi i Partisë Socialiste bënë kompromis me Berishën nëpërmjet disa marrëveshje të fshehta që të mos respektohet vota popullore. Sistemi i ri që po gatuhet është një sistem zgjedhor që nuk e respekton votën popullore, dhe përsëri lidershipi i PS-së po gabon duke i shitur zgjedhjet në tryezë Sali Berishës” - deklaroi dje Prifti. Pas vetëm një beteje elektorale, duket se rrugët e Ilir Metës dhe Edi Ramës janë ndarë qartas. Pas 15 muajsh ata me gjasë do të shkojnë si rivalë drejt zgjedhjeve për rinovimin e parlamentit.
Koçi: Ilir Meta me socialist se Edi Rama, Nano të mos përzihet në koalicionin e ri/Deputeti socialist, Petro Koçi, përfaqësues i Lëvizjes për Politikë Institucionale në PS u shpreh dje, për një bashkëpunim të mundshëm me LSI-në, në kuadër të përpjekjeve për riformatimin e së majtës. Duke folur për lëvizjen e iniciuar nga kryetari LSI-së, Ilir Meta, “E majta për integrim”, Koçi beson se shumë shpejt do të fillojë dialogu me LSI-në. “Para disa javësh kam hedhur idenë e bashkëpunimit me forcat progresive të së majtës dhe kam shprehur vlerësimin se në fund të fundit Ilir Meta është më socialist se Edi Rama”, u shpreh deputeti socialist. Ai mendon se bashkëpunimi, në këtë rast me rëndësi strategjike, ka lidhje me riformatimin e së majtës. “Derisa kemi një bashkëpunim Rama-Berisha dhe një sundim të lidershipit të dy partive kryesore nga e djathta, atëhere është normale që të projektohet ky riformatim i së majtës dhe mendoj se pozicioni i Ilir Metës dhe i partive të majta LSI, PDS dhe PAD kundër çiftit Rama-Berisha përbën dhe terrenin e bashkëpunimit të Lëvizjes Institucionale Socialiste. Me këto parti hapat do të shikohen në vijim, por besoj se dialogu do të fillojë shumë shpejt” - tha ai. I pyetur nëse ish-kryetari socialist Fatos Nano do të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi, Koçi përgjigjet se “ai duhet t’i qëndrojë larg këtij aksioni politik”. “Nano është i
lirë të bëjë zgjedhjet e tij, por besoj se kësaj radhe ai duhet t'i rrijë larg këtij aksioni. Kjo nuk është iniciativë e tij dhe është mirë që këto hapa të mos kompromentohen menjëherë për shkak të hijes që duhet të lënë disa emra në projekte të tilla politike”- vijoi më tej ai. Koçi beson se kjo ide do të gjejë mbështetjen e anëtarëve në rrethe të Lëvizjes Institucionale. “Meqë PS e ka përjashtuar frymën ndryshe, atëherë është normale që të bashkëpunojmë me forca të tjera të majta, siç është edhe LSI”, tha ai