Xhaferri:Hetimi ndaj Bashës për arsye politike
Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri tha të enjen në Kuvend se "organi i Prokurorisë, për arësye politike, vazhdon të mbajë hapur çështjen ndaj ish-ministrit të Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacioneve, lidhur me çështjen e rrugës Durrës-Kukës". Gjatë debatit të lirë në Kuvend, deputeti Xhaferri, u ndal në kritikat e opozitës për abuzime me fondet në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Ai, ndërsa vuri në dukje mungesën e vullnetit të opozitës së majtë për ndërtimin e kësaj vepre gjatë periudhës që socialistët qeverisnin vendin, konfirmoi vendosmërinë e maxhorancës për përfundimin e rrugës brenda afateve kohore. "Ne do ta bëjmë rrugën brenda afateve se ajo i shërben qytetarëve nga pikpamja ekonomike, sociale e kulturore", tha Xhaferri. "Por, Prokuroria vazhdon të hetojë mbi këtë vepër, lidhur me fondet e përdorura në ndërtimin e saj. Në vende si Danimarkë, Suedi, Kroaci, Holandë, Slloveni etj, janë bërë rrugë të ngjashme, me vlerë disa herë më të madhe. Ka pasur një presion politik karshi prokurorisë. Përpjekjet e opozitës, për ta transfomuar Prokurorinë në drejtori politike të PS-së, jo se nuk ka pasur fryte. Rezultati i parë i kësaj është fakti që Prokuroria vazhdon të hetojë mbi këtë çështje, megjithëse ka një urdhër të gjykatës për pezullim të hetimeve. Dhe organi i akuzës u detyrua të tërhiqej nga akuza ndaj Drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve Lejla Saraçi dhe nga akzua ndaj ish-zëvendësministrit të PPTT-së, Armand Teliti. Por, për arësye politike vazhdon të mbajë nën hetim ish-ministrin e PPTT-së, Lulzim Basha", tha deputeti Xhaferri sot në Kuvend.