E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka, i lumtur që ia bëri sefte

Granit Xhaka e ka shënuar golin e parë në fanellën e Zvicrës. Mesfushori kosovar ia ka siguruar fitoren skuadrës helvetike të martën mbrëma, ndaj Luksemburgut, në ndeshje miqësore.

Futbollisti i Baselit e gjeti golin e parë personal dhe të parin për ekipin e Ottmar Hitzfeldit, në minutën e nëntë të ndeshjes, pasi mori një top nga bashkëkombësi i tij, Admir Mehmedi, përpara një numri të vogël të spektatorëve, 852 sish.

“Është ndjenjë e mirë kur shënon për Kombëtaren, sidomos goli i parë. Por, me këtë gol nuk mund të blej asgjë. Megjithatë, do të shoh nëse do të mund të shënoj në të ardhmen, kjo do të ishte edhe më mirë”, deklaroi Xhaka për uebfaqen zvicerane, 20min.ch.

Loja ishte e dobët, këtë e pranon edhe mesfushori defanziv. “Nuk është lehtë ta zhvillosh një ndeshje të tillë dhe të motivohesh. Nuk luajtëm me Holandën, por me Luksemburgun. Iu adaptuam kundërshtarit, ndoshta shumë herët. Nuk jam i kënaqur me lojën që e shfaqëm. Luajtëm mirë vetëm në pjesën e parë”, shtoi ai.

Xhakën e presin dy sfida të vështira me Baselin. E para kundër Young Boys në fundjavë, kurse e dyta të martën e ardhshme kundër Otelul Galatit në Bukuresht, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

“Kemi përpara dy ndeshje të rëndësishme me Baselin. Unë nuk ndihem i lodhur. Përkundrazi, jam në formë të mirë. Jam i gatshëm në çdo moment. Dëshiroj ta ndihmoj Baselin në javët e ardhshme, shpresoj t’ia dal mbanë”, vazhdoi ai.

Xhaka debutoi këtë vit me përfaqësuesen e Zvicrës. Ai pati një vit të suksesshëm, duke e fituar titullin e kampionit shtetëror me Baselin. Mirëpo, Xhaka shpreson që në vitin 2012 të ketë edhe më shumë suksese dhe premton se do ta japë maksimumin nga vetja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›