Sezoni i ri, avazi i vjetër
Klubet e Superligës së Kosovës në futboll, sikurse në edicionet e kaluara, edhe sivjet nuk po bëhen rehat me trajnerë.
Deri tash, gjashtë trajnerë nuk ia kanë dalë ta përmbyllin as sezonin vjeshtor me skuadrat e tyre, pasi këto të fundit, shkaku i rezultateve jo të mira, i kanë shkarkuar, apo ua kanë prurë punën të japin dorëheqje nga pozitat e tyre.
Rasti i fundit është ai i Gani Sejdiut, i cili ndërpreu bashkëpunimin me Trepçën ’89, dy xhiro pa përfunduar sezoni vjeshtor. Mitrovicasit menjëherë trajner të ri e emëruan Rafet Prekazin.
Më herët, edhe Tahir Lushtaku e braktisi Drenicën, e cila tani po udhëhiqet nga Afrim Jashari, sikurse Skënder Shëngyli, i cili u nda me Vëllaznimin, skuadër kjo që tashmë po drejtohet nga Ajet Shosholli.
As Fadil Ademit nuk i shkoi larg me Hysin, i cili fillimisht kishte arritur marrëveshje me Afrim Tovërlanin. Por, ky i fundit në Merdarë kishte qëndruar vetëm gjatë dy seancave stërvitore dhe kishte vendosur që mos të udhëtonte më drejt Merdarit, për arsye personale.
Kështu, llapjanët më në fund duket se i rehatoi Jusuf Tortoshi. Kurse, te Lepenci, rehat nuk ishte ndier as Selajdin Zeneli, i cili ishte zëvendësuar nga Arsim Abazi.
Sipas trajnerëve, udhëheqësit e klubeve janë ata të cilët po e kultivojnë këtë dukuri negative në futbollin kosovar. Për këtë, trajnerët nuk hezitojnë të thonë se prijësit e skuadrave kosovare nuk kanë lidhje me futboll, nga të cilët po ndihen shumë të nënçmuar.
“Nëpër Evropë, njerëzit e sportit vijnë në pozitat kyçe të klubit. Andaj, ata e kuptojnë rolin e trajnerit. Këtu te ne është e kundërta. Janë totalisht joprofesionistë. Klubet udhëhiqen nga njerëz që kurrë nuk janë marrë me futboll. Andaj, mendimet dhe idetë e trajnerit nuk përputhen me ato të zyrtarëve të klubit dhe kështu vjen deri te plasaritja e raporteve mes palëve dhe deri te ndarja”, ka deklaruar ish-trajneri i Vëllaznimit, Skënder Shëngyli.
“Kryesitë e klubeve nuk kanë durim për të pritur rezultate pozitive. Nuk e mendojnë fare se trajneri mundohet të punojë siç është më së miri, sepse asnjë trajner nuk punon kundër suksesit. Zyrtarë të klubit, shkojnë deri atje, saqë të përzihen në formacion, nxjerr këtë lojtar dhe fut atë lojtar në lojë, ndoshta vetëm pse një anëtar i Kryesisë e ka të afërm atë futbollist”, theksoi ai.
Njëjtë mendon edhe trajneri i njohur kosovar, aktualisht i lirë, Hysni Maxhuni. Madje, ai fajëson edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, për të cilën thotë se nuk po i mbron njerëzit më të mirë që ka futbolli kosovar – trajnerët.
“Këtu klubet me trajnerë bëjnë kontrata vetëm gojore. Kjo u shkon për shtati klubeve, të cilat me këtë rast nuk kanë përgjegjësi ligjore, dhe kur të duan i shkarkojnë trajnerët. Ndërsa, Federata e Futbollit nuk po i mbron trajnerët, pasi ajo nuk po i kërkon kontratat mes klubeve dhe trajnerëve, me të cilat trajnerët do të kishin siguri më të madhe”, thotë Maxhuni.
Sidoqoftë, deri në fund edhe të këtij kampionati, trajnerët do të vazhdojnë që detyrat e tyre t’i kryejnë nën frikën se sot apo nesër mund të ‘përzëhen’ nga klubet aktuale të tyre.