Xhamia e Ballies në Elbasan fituese e çmimit ndërkombëtar për arkitekturën, Begaj përcjell urimet

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Xhamia e Ballies në Elbasan, e përzgjedhur fillimisht si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, ka triumfuar në finalen e çmimit prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga ArchDaily, duke u shpallur fituesja kryesore.
Presidenti Bajram Begaj përcolli sot urimet për Xhaminë e Ballies, fituese e çmimit ndërkombëtar për Arkitekturën më të Bukur në botë.
Ky vlerësim është një arritje e jashtëzakonshme për arkitekturën shqiptare dhe veçanërisht për arkitekturën fetare në vendin tonë.
Ky vlerësim e vendos Elbasanin dhe Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të arkitekturës fetare, duke e konfirmuar si një nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike në botë.
Ky çmim prestigjioz e bën Xhaminë e Ballies një destinacion të rëndësishëm për studiuesit, arkitektët dhe turistët nga e gjithë bota, duke dëshmuar vlerën e trashëgimisë kulturore shqiptare në nivel global.
Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate, në të cilat përveç vendit të faljes përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan.