Rekordi i rritjes së pagave e pensioneve, tregues i modelit shqiptar të suksesit

Përballë prirjes së Evropës për ngrirjen e pagave apo edhe zvogëlimin e tyre, sërish qeveria “Berisha” aplikon këtë 1 korrik një rritje të re pagash e pensionesh, duke konfirmuar mbijetesën e modelit ekonomik, përballë presioneve të krizës globale. Vendimi nuk shkel asnjë marrëveshje me FMN-në dhe demaskon propagandën e pashpirt të opozitës se kjo rritje pagash do ta çojë vendin buzë katastrofës
“Modeli i suksesshëm i ekonomisë shqiptare mundëson rritjen konstante dhe të përvitshme të rrogave dhe pensioneve”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e posaçme të Këshillit të Ministrave, ku u mor vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve. Duke e cilësuar këtë mbledhje, si mbledhjen e dytë më të rëndësishme të vitit, kryeministri u shpreh se ky vendim është i pazakontë, në një kohë kur Evropa dhe bota është përfshirë nga kriza e thellë ekonomike dhe financiare e këtyre tre viteve të fundit. Por, ekonomia shqiptare tha Berisha, është një ekonomi dinamike dhe me rritjen më të madhe në Europë. Vendimi i djeshëm i Qeverisë vjen në kuadrin e premtimit të mazhorancës për kapjen e nivelit evropian për pagat dhe pensionet e qytetarëve shqiptarë. Për të 6-in vit radhazi qeveria e kryeministrit Sali Berisha rrit pagat dhe pensionet me 120 për qind krahasuar me periudhën e para 2005-ës. “Kjo është mbledhja e dytë më e rëndësishme e vitit, pasi në këtë mbledhje ne vendosim zbatimin e ligjit të parlamentit mbi buxhetin e shtetit, vendosim rritjen e rrogave dhe pensioneve në Republikën e Shqipërisë. Ky vendim sot është një vendim shumë i pazakontë për shkak të krisës së thelle ekonomike dhe financiare që ka pllakosur Evropën dhe botën, tre vitet e fundit dhe që tashmë po kulmon me krizën e borxheve, po kaq apo më thellë tronditëse, se sa ajo e flluskave të mëdha financiare. Pra ky vendim tingëllon paradoksal, tingëllon në kundërrymë, pasi rregulli i sotëm është jo rritja, por ulja shumë domethënëse e rrogave dhe pensioneve dhe në variantin më të mirë, ngrirja e tyre, ndërsa ne, për të 6 vite me radhë vazhdojmë rritjen më te madhe te rrogave dhe pensioneve, në përqindje, se çdo vend tjetër në Evropë, por dhe më gjerë. Në 6 vite rrogat e arsimtarëve, krahasuar me rrogën fillestare rriten në masën rreth 120 për qind, po kaq rriten dhe rrogat e infermierëve, e mjekëve, mbi 100 për qind rritet rroga mesatare, rriten mbi 120 për qind të gjitha pensionet e ulëta në Republikën e Shqipërisë që kanë qenë pensionet e fshatit. Kjo politikë theksoj dhe njëherë bazohet tërësisht dhe kryekëput në suksesin e modelit ekonomik të kësaj mazhorance dhe të kësaj qeverie. Është ky model ekonomik dhe performanca në këtë model, ajo që ka bërë dhe bën të mundur rritjen konstante dhe të përvitshme të rrogave dhe pensioneve. Jashtë kësaj performance, jashtë suksesit të modelit ekonomik ekzistues, rritja e rrogave dhe pensioneve do të ishte tërësisht ne paimagjinueshme, rritja e rrogave dhe pensioneve do të ishte e zëvendësuar me ulje të përvitshme dhe maksimumi ngrirje të tyre, por e vërteta është se funksionimi i reformave ekonomike që ne kemi ndërmarre, perfomanca ekonomike ka bërë të mundur këtë vendim 6 vite me radhë dhe do të vazhdojë ta beje. Ne vendosim sot, rritjen e të gjitha rrogave dhe pensioneve të vendit sepse të gjithë treguesit e kësaj ekonomie dëshmojnë sërish se ekonomia e vogël shqiptare, por e gjallë, dinamike dhe entuziaste do të kryesojë rritjen ekonomike në Evropë; tregojnë se jo vetëm, nuk ka patur dhe nuk ka shenja recensioni, e cila është baraz me krizë, por përkundrazi në rast se rritja në vitin 2009, në vitin më kulmor të krizës ishte 3,2 për qind, këtë vit ajo parashikohet të jetë rreth 5 për qind, pra ka një ngjitje. Theksoj dhe njëherë se kjo rritje nuk është një çështje zemërgjerësie. Ajo ekziston dhe duhet të ekzistojë. Qeveria duhet të udhëhiqet nga parimet e njerëzisë e dhembshurisë , e solidaritet e ndarjes më të mirë të të ardhurave, por këto nuk mjaftojnë, këto do të ishin të gjitha në letër, në rast se modeli i ekonomisë shqiptare nuk do të ishte model i vërtetë suksesi. Ne rrisim sot rrogat dhe pensionet, në një periudhë kur kriza e borxheve ka tronditur dhe po trondit në themel tregjet evropiane dhe botërore sepse ne vendosëm ekonominë tonë, kohë para krize, në parime të reja funksionimi. Së pari, ne i dhamë vendit qeverinë e vogël, të gjithë punonjësit e sektorit privat duhet ta dinë, të gjithë sipërmarrësit shqiptarë duhet ta dinë se administrata shtetërore peshon në shpatullat e tyre 50 për qind më pak, se në çdo vend tjetër të rajonit, qoftë kjo ‘per kapita’ , qoftë dhe jo ‘per kapita’. Ne, me gjithë rritjen agresive të rrogave dhe pensioneve mbetemi një qeveri e vogël, pasi shpenzojmë për to rreth 6 për qind të prodhimit të brendshëm dhe kjo është një arritje e madhe, është një arritje e jashtëzakonshme, kjo sepse ne kemi bërë shkurtimet e nevojshme në administratë, por kjo edhe sepse ne kemi ndërmarrë dhe privatizimet më agresive, më të shpejta, më të suksesshme, duke reduktuar në mënyrë drastike sektorin publik të vendit. Korporatat që ne privatizuam, jo vetëm në Shqipëri, ju garantoj, por edhe në shumë vende të tjera, korporatat publike janë ‘mamuthë korrupsioni’, ku të gjithë ndukin, shkulin sa munden si në prona të askujt. Natyrisht kjo nuk ndodh në vendet më të zhvilluara, por në vende të tjera po. Prandaj privatizimi që bëmë ne i nxori këto korporata nga një lukuni e papërmbajtur korrupsioni dhe dora dorës do të përmirësoje menaxhimin e tyre. Modeli ynë funksionoi dhe është model suksesi sepse ne me një vendim shumë të guximshëm ulëm taksat më shumë se çdo vend tjetër në Evropë; ne ulëm taksën e tatim fitimit, nga 25 për qind në 10 për qind; ulëm tatimin mbi të ardhurat personale, nga 23 për qind në 10 për qind; kemi shndërruar në zero apo në një euro me dhjetëra e dhjetëra tarifa; ne kemi ulur, me vendimin e parë që ka marrë kjo qeveri, në javën e parë të saj, në vitin 2005, me 50 për qind taksën e biznesit të vogël. Ne kemi ulur nga 32 për qind në 15 për qind kontributin e sigurimeve shoqërore, ne hoqëm fare taksën që paguajnë për mallrat e importuara për regjim përpunimi në vend, pra ne kemi krijuar një liri fiskale ndër më të lartat në Evropë dhe në botë dhe kjo liri fiskale bëri që në katër anët e vendit pavarësisht nga distanca, numri i bizneseve të dyfishohej dhe të mbi dyfishohej. Politika e taksave të ulëta është një nga kushtet më kryesore për zhvillimin e biznesit”, tha Berisha.
Ai theksoi më tej se ky ishte një revolucion i vërtetë fiskal, përmes të cilit u arrit neutralizimi i barrierave burokratike, çka lehtësoi ndjeshëm zhvillimin e biznesit. “Ky ishte një revolucion i vërtetë fiskal, modeli ynë ekomomik është një model suksesi të vërtetë sepse ne bëmë gjithçka për të zhdukur barrierat burokratike ndaj biznesit dhe afarizmit në tërësi. Shqipëria sot është vendi me nivelin më të mirë, qëndron 27 për qind më lart si mesatare, në vendet më të zhvilluara të botës në regjistrimin e biznesit; qëndrojmë 5 për qind më lart se vendet më të zhvilluara atë botës, anëtare të OECD, për investime në sektorë të ndryshëm”, tha ai. Sipas kryeministrit, Shqipëria është sot një nga vendet me garancitë më të mëdha për investime të huaja, është një nga vendet me kushtet më të mira për kreditin, pra krijimi i një mjedisi lehtësues në rrafshin burokratik për biznesin; aplikimi i parimit “heshtja është miratim” apo i nismës 1 euro për kontrata toke deri dhe në 1000 ha apo dhe 2 mijë ha, për qëllime bujqësore, industriale apo dhe turistike, pra të gjithë këto bënë që të dhjetërafishohen investimet e huaja në këtë vend. “Të gjitha këto bënë dhe ky model bëri që, jo vetëm të mos rritet, por edhe të ulet progresivisht papunësia. Ky model bëri që në tre vite, sipas anketës së BB të ulet me 33 për qind varfëria. Ky model bëri që po sipas kësaj ankete, mjerimi apo varfëria e skajshme që ishte 4.3 për qind të zbresë në 1.4 për qind, pra të ketë zbritjen më dramatike. Ky model bëri që të trefishohen eksportet e vendit, këtë vit, krahasuar me 5 vite më parë. Ky model bëri që të ardhurat buxhetore të rriten nga 97 miliard lekë, që ishin nga taksat dhe tatimet në vitin 2004, në 188 miliard lekë në vitin 2009 dhe rritja në vazhdim”, deklaroi kreu i qeverisë. Kryeministri tha se pretendimet e opozitës se jemi në prag të katastrofës janë sa të pavërteta, aq edhe të pashpirta. “Pretendimet se jemi në prag të katastrofës janë sa të pavërteta aq edhe të pashpirta. Është e dhimbshme kur sheh se si kundërshtarët tanë, të vetmit në Evropë dhe në botë kundërshtojnë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Pikërisht këtë vit, për të shmangur kundërshtimin e tyre, se do të thoshin që kjo rritje po bëhet për zgjedhje, e shtymë. U bënë dhe zgjedhjet, por sërish ata ngrihen dhe bëjnë Kasandrën me parashikime halucinante për ekonominë shqiptare. Në vitin 2009 u thanë shqiptarëve se Shqipëria nuk do të ketë para për ngritjen e rrogave dhe pensioneve. Në vitin 2010 u thanë se rritja e rrogave dhe pensioneve ishte një krim i shëmtuar. Por në vitin 2011 deklaruan se kjo do të sjellë krizën greke. Vazhdon motoja se ‘fajin e ka Saliu’. Kur nuk nxjerr mësime këtë do të bësh. Sipas tyre kjo do të thotë se fajin e ka qeveria që po rrit rrogat dhe pensionet . Faje të tilla le të ketë kjo qeveri sa më shumë. Ne do ti rrisim rrogat dhe pensionet sa më shumë. Kjo është politikë konstante e kësaj qeverie”, garantoi kryeministri Sali Berisha. Ai shtoi se “kur ke një opozitë që kryesohet nga miliarderë, rritja e rrogave dhe pensioneve është një krim. Kur ke një opozitë që kryesohet nga miliarderë, natyrisht rritja e rrogave dhe pensioneve është katastrofë, kur ke një opozitë që kryesohet nga miliarderë, të gjithë zhvillimin e madh me rreptësinë e disiplinës fiskale të autoriteteve fiskale, se e bëjnë ato ligjin, por politikat nuk kanë parasysh një individ të caktuar apo grupe të ngushta. Politikat u adresohen qytetarëve në tërësi”, tha më tej kryeministri Berisha.
Sa rriten pagat dhe pensionet
Pagat dhe pensionet do të rriten nga 5-10 për qind sipas kategorive përkatëse të tyre.
Kështu për pensionistët e fshatit do të ketë rritje me 10 për qind, kurse për ata në qytet do të ketë rritje në shifrat 7-8 për qind.
Vendimi i Qeverisë, i marrë dje në mbledhjen e posaçme, pritet të kalojë në Kuvend brenda këtij sesioni parlamentar.
Rritja e re e pagave dhe pensioneve, vjen si rezultat i realizimit me sukses të politikave financiare dhe ekonomike të qeverisë.
Rritja e pagave dhe pensioneve do të garantojnë stabilitetin makro-ekonomik si një mekanizëm thelbësor në për zhvillimin e vendit. Qeveria është zotuar për mbajtjen në nivelin aktual të deficitit buxhetor si dhe borxhit publik.