Xheko qëndron te Volfsburgu
Milani ishte përqendruar në afrimin e sulmuesit të Volfsburgut, Edin Xheko, por kampionët e Bundesligës nuk dëshirojnë të heqin dorë nga shërbimet e yllit boshnjak. Kjo i ka detyruar kuqezinjtë që të studiojnë alternativa të tjera. 23-vjeçari ka zhvilluar një takim me trajnerin e ri, Armin Veh, i cili duket se e ka bindur lojtarin të qëndrojë, me premtimin se do t‘i rinovojnë kontratën deri në vitin 2013, duke përmirësuar edhe kushtet financiare. "Do të qëndroj te Volfsburgu", deklaroi sulmuesi për "Sky Sport 24". "Gjithsesi nuk jam i lumtur. Do më pëlqente të vazhdoja karrierën te Milani, por kam një kontratë me klubin. Drejtuesit vendosën të mos më shisnin". Në 32 ndeshje të luajtura gjatë edicionit të kaluar në kampionatin gjerman, Xheko shënoi 26 gola. Ai ishte një prej protagonistëve kryesorë në titullin e parë të këtij klubi në Bundesligë. Adriano Galiani ka pohuar se Emanuel Adebajor është një tjetër opsion për të përforcuar sulmin e kontingjentit të teknikut Leonardo. Kontaktet me trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger, kanë filluar. Numri 2 i Milanit ka folur edhe rreth lojtarëve të tjerë. "Nuk mendoj se mbrojtësi i Portos, Sosoko, do të vijë. Megjithatë, shpresoj që Devid Bekham të kthehet në janar", deklaroi administratori kuqezi.