Çelsi rikthehet për Paton: Ofertë 60 milionë euroshe
Çelsi provon sërish të marrë Aleksandre Paton. Në fakt, sipas "News of the World", Roman Abramoviç do të ishte i gatshëm për t‘i dhënë mirëseardhjen trajnerit të ri, Karlo Ançeloti, me një super-merkato prej rreth 120 milionë eurosh, gjysma e të cilave do të vihen në tavolinën e Milanit për blerjen e talentit brazilian. Edhe pse klubi kuqezi i kishte thënë më parë "Jo" një tjetër oferte prej 50 milionë eurosh për 19-vjeçarin, anglezët insistojnë sërish. Edhe 22 milionë euro të tjera do të jenë të destinuara për bomberin e CSKA-së së Moskës, Juri Zhirkov, edhe pse në krye të listës së dëshirave të Ançelotit, përveç Patos, janë edhe Andrea Pirlo, Frenk Riberi, çifti Fernando Torres-Xabi Alonso dhe mesfushori i Arsenalit, Çesk Fabregas. Po për momentin asnjëri prej tyre nuk duket pranë kalimit te Çelsi. Sipas "Sunday Express", "Blues"-at janë gati të testojnë vullnetin e Bajernit të Mynihut për të mos shitur talentin Riberi, duke i bërë një ofertë gati 60 milionë eurosh. Në këtë mënyrë ata do të fitonin konkurrencën e Realit të Madridit dhe Barcelonës. Sipas "Sunday Star", tashmë ka dalë një pretendent i ri për Riberinë: bëhet fjalë për Arsenalin, i cili është i gatshëm të shpenzojë 47 milionë plus kartonin e Nicklas Bendtner, që vlen 12 milionë të tjera.