Zhizhek: Ndoshta do të ishte mirë që Kosova të bashkohej me Shqipërinë!
Një nga filozofët më të njohur sot në botë, Sllavoj Zhizhek, vizitoi ditët e fundit Malin e Zi, ku mbajti disa ligjërata mbi konsideratat e tij për situatën botërore aktuale, në përgjithësi, dhe për atë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti. Lidhur me konsideratat e shprehura në ligjëratat e tij, z. Zhizhek i dha “Dojçe Veles” (seksionit në serbisht) një intervistë, në të cilën u përqendrua kryesisht te situata në BE dhe te perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Kosova. “Shumë miq të mi, të ashtuquajtur majtistë radikalë, janë kundër Bashkimit Europian. Ata thonë se BE-ja nuk është gjë tjetër veçse një mekanizëm i kapitalit të madh, që synon të imponojë standardet e veta, nxiton të çmontojë shtetin social e gjëra të tjera si këto. Ndoshta, kjo është e vërtetë. Por, për fat të keq, ne jemi pjesë e botës europiane, qoftë brenda saj ose qoftë jashtë saj. Përvoja ka treguar se, nëse je jashtë saj, BE-ja të shfrytëzon edhe më shumë. Kështu që nuk është alternativë të mbetesh jashtë saj. Alternativë është vetëm hyrja brenda saj dhe brenda Europës të bëhen përpjekje për krijimin e një koalicioni të majtë. Kam mendimin se bota ka nevojë sot për Europën më shumë sesa asnjëherë tjetër”, theksoi ai. Pyetjes së “Dojçe Veles” nëse mendonte ai se tani po ndryshon politika e Brukselit dhe se, ndoshta, kishin nisur të frynin erëra të reja, Zhizheku, që është teoricien e kërkues kryesor i Institutit të Sociologjisë të Universitetit të Lubljanës (Slloveni) iu përgjigj: “Kjo është e vërtetë. Por, për fat të keq, tani çështja po bëhet kritike. Përvoja e të paktën dhjetë vjetëve të fundit tregon se Europa, për fat të keq, nuk mund të ngrihet deri në nivelin e një projekti serioz. Por, sidoqoftë, mendoj se, për shkak të disa arsyeve të caktuara, krejtësisht gjeostrategjike, tani gjërat janë më të mira për Ballkanin. “Dhe si e konsideroni ju rolin e Serbisë në gjithë këtë?”, ishte pyetja e radhës, së cilës ai iu përgjigj: “Si ta them, Serbisë i takon që vetë ajo të marrë vendimin e saj. Dhe këtë jo vetëm në kuptimin e mprehtë politik, duke pranuar krimet e veta në Bosnjë e gjëra të tjera të kësaj natyre, pasi problemi është shumë më serioz. Mendoj se Serbia, madje jo vetëm ajo, ende nuk është përcaktuar tamam për një Europë moderne. Këtu ekzistojnë ndasi dhe trauma, kështu që beteja ende nuk është fituar. Sepse çështja nuk qëndron vetëm te Serbia. Për fat të keq, edhe diku gjetkë, nëpër Europë, populizmi nacionalist po forcohet”. Pyetjes tjetër sesi e shikonte ai të ardhmen e Kosovës, një nga mendimtarët më të thellë të kohës sonë, të paktën kështu e konsideron atë media ndërkombëtare e specializuar, iu përgjigj: “Kjo çështje më ka sjellë shumë vështirësi. Situata duket, në një masë të konsiderueshme, iracionale. Dhe tani do të them diçka që mund të duket disi absurde: Ndoshta, do të ishte më mirë që Kosova, përmes një koordinimi ndërkombëtar të caktuar, të bashkohet me Shqipërinë. Kjo, në një plan afatgjatë, do të ishte e vetmja zgjidhje racionale. Sepse është krejtësisht absurde që të ekzistojnë dy shtete që përbëhen nga i njëjti popull! Për këtë arsye, kam qenë skeptik sa i përket pavarësisë së Kosovës. Kjo duket se ka qenë pjesë e një strategjie të caktuar amerikane, e cila, sikurse po konstatohet tani, nuk e zgjidh problemin në një plan afatgjatë. Për shembull, miqtë e mi në Kosovë më kanë thënë se, në fillim, ishin të gëzuar, por, kur donin të ndërtonin autostradën Prishtinë-Tiranë, duhej ta bënin këtë, mund të thuhet, pak a shumë, fshehurazi. Sepse zyrtarët ndërkombëtarë janë paranojakë dhe nuk duan asnjë lidhje të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, ky është çmimi që duhet të paguash, kur varesh shumë nga vullneti i mirë i fuqive të mëdha. Për këtë arsye, mendoj se situata as në Bosnjë e Hercegovinë dhe as në Kosovë ende nuk është zgjidhur deri në fund. Mirë, mund ta pranoj se, në njëfarë mënyre, në një plan afatshkurtër, ajo është stabilizuar. Më mirë kështu sesa lufta. Por, kam frikë, dhe kjo duket, se as në Bosnjë dhe as në Kosovë ende nuk kemi një formulë afatgjatë”.
#