E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhemaili debutoi me sukses për Torinon

RESHAT IBRAHIMI(Shkup, 25 shtator) – Blerim Xhemaili, mesfushori shqiptar i Torino FC ka debutuar për skuadrën e tij të re në ndeshjen e javës së katërt të Serie A, kundër Kievos, e cila përfundoi me barazim 1:1. Përkundër problemeve që ka me meniskusin Xhemaili është aktivizuar për plotë 90 minuta, duke qenë ndër lojtarët më aktiv në radhët e ekipit "Granata".
Trajneri i Torinos, Di Biasi, lojtarit shqiptar ia ka besuar detyrën e mesfushorit qendror (fanella me numër 4), të cilin ai e ka kryer me sukses. Pas përfundimit të këtij takimi, të gjitha mediat italiane kanë dhënë kritika pozitive për Xhemailin, duke e vlerësuar si një përforcim shumë i qëlluar për skuadrën torineze, madje duke e konsideruar si lojtarë i cili mund të jetë e ardhmja e klubit "Granata".
Torino në këtë përballje erdhi e para në epërsi me golin e sulmuesit Rolando Bianchi nga penalltia, kurse në fillim të pjesës së dytë Chievo arrin të barazojë rezultatin në 1:1.
Pas javës së katërt Torino ka grumbulluar pesë pikë dhe renditet në vendin e 11-të, ndërsa lider i ligës është Interi me 10 pikë.
Ndeshjen e radhës skuadra e Torinos e zhvillon kundër ekipit në formë Lazio, për të cilën luan maqedonasi Goran Pandev. Takimi zhvillohet më 28 shtator ora 15:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›