E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria U17 humbet 7-0 me Bjellorusinë

Pas humbjes 4-0 me Finlandën, Shqipëria U-17 pësoi edhe një tjetër më të thellë akoma: 7-0 kundër Bjellorusisë. Pjesa e parë u fitua nga bjellorusët 3-0, të cilët shënuan tre gola në harkun e 10 minutave (26', 29', 36'). Pjesa e dytë edhe më e keqe për kuqezinjtë e vegjël. Brenda 14 minutash katër gola të pësuar: 46', 48', 50' e 64'. Një zot e di, nëse në 25 minutat e fundit, Bjellorusia nuk ka pasur më dëshirë për të shënuar në portën tonë.
Në ndeshjen tjetër të Grupit 10 eliminator të Euro 2009, Finlanda mundi Maqedoninë 2-1, duke marrë dhe kryesimin e grupit. Takimi i fundit i Shqipërisë është ai kundër Maqedonisë, më 28 shtator.
Gjithsesi, 10 gola të pësuar në dy ndeshje, pa shënuar qoftë edhe një gol nderi nuk japin sinjale të mira, aq më tepër që përgatitorja e ekipit tonë U-17 u zhvillua në Malin e Zi.
Humbja me Bjellorusinë ishte e 37-a në 49 ndeshje të zhvilluara (7 fitore, 5 barazime), teksa golat e pësuar arritën kuotën 123 kundrejt 40 të realizuarve.
Le të themi edhe dy rezultatet sa për të ngushëlluar veten tonë. Rusia U-19 për femra mundi 19-0 Moldavinë e kësaj moshe, ndërkohë që Belgjika U-19 po për femra fitoi 18-0 me Gjeorgjinë U-19.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›