Bogdanoviç bën thirrje për marrëveshje në Shtërpcë

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, u ka bërë thirrje serbëve në Shtërpcë që të përmbahen nga konfliktet dhe të punojnë së bashku.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të kapërcyer përçarjet në komunitetin serb (në komunën e Shtërpcës), sepse kjo nuk na ndihmon", i ka thënë Bogdanoviç, agjencisë B92, duke folur në lidhje me konfliktin ndërmjet kryetarit të ri të zgjedhur në zgjedhjet komunale të Kosovës dhe administratës paralele serbe.
Bogdanoviçi tha se Serbia mbështet qeverinë lokale të Shtërpcës, të zgjedhur në maj 2008, në zgjedhjet lokale të Serbisë.
I pyetur rreth planit të Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut të Kosovës, ministri i Beogradit ka thënë se “plani i të ashtuquajturës Qeveri e Kosovës” nuk mund të realizohet. Sipas tij, serbët në Kosovë janë të gatshëm për dialog, por nuk janë të gatshëm të "integrohen në të ashtuquajturën shoqëri shqiptare”.
Ai shtoi se Serbia nuk dëshiron të heqë dorë nga ndonjë pjesë e “territorit të saj” dhe se do të bëjë gjithçka për të mbajtur “institucionet serbe në krahinë”.
Bogdanoviçi ka përsëritur se Qeveria në Prishtinë nuk ka siguruar kushte për një jetë normale për serbët në Kosovë. Sipas tij, në Kosovë nuk ka liri të lëvizjes dhe gjendja ekonomike është shumë e vështirë.