Xhepa, sjell “Baladën e vëllait të vdekur”
Teatri Kombëtar do të shfaqë premierën “Balada e vëllait të vdekur”, bazuar në një baladë tradicionale greke, e konceptuar për skenën e teatrit shqiptar nga Sotiris Hatzakis. Kjo shfaqje është vënë edhe në teatrin grek disa javë më parë. Me pjesëmarrjen e aktores së mirënjohur Margarita Xhepa, e cila do të luajë rolin e nënës, shfaqja pritet të vihet nesër në skenën e TK-së. Ky është një projekt ndërballkanik, sepse motive të kësaj balade janë të njohura edhe në vende të tjera ballkanike, si në Shqipëri (Kostandini dhe Doruntina), Bullgari, Rumani dhe Serbi. Veç Xhepës, roli i nënës luhet edhe nga dy aktore të tjera, si Maria Katsiadaki dhe Maia Morgensterm. Aretia (Doruntina) luhet nga Kiti Selmani Djecevic, ndërsa Kostandini nga Nikos Arvanitis. Ritmi i shfaqjes karakterizohet nga daullet, kori i zisë, i cili këndon këngë tradicionale të Follorinës, Serbisë, Bullgarisë, Përmetit, të bregut jugor të Detit të Zi dhe të Trakisë.