Ambientalistët: Qeveria të shqyrtojë oponencën e TEC-it në Porto Romano
Oponenca e bërë për projektin e TEC-it të Porto Romanos duhet të shqyrtohet nga qeveria para se të vendoset për ndërtimin e tij. Kërkesa vjen nga ambientalistët, të cilët i kërkojnë qeverisë që para se të merret vendimi të dëgjohet edhe oponenca e bërë për këtë projekt. Studimi i kryer nga kompania Enel për ndikimet që do të ketë në mjedis TEC-i me qymyr që do të ngrihet në Porto Romano, është diskutuar në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Ambientalistët kanë kërkuar se përpara se të merret nga qeveria vendimi për realizimin të këtij projekti, të shqyrtohet edhe studimi oponent që është kryer nga një agjenci evropiane e specializuar. Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjitikës dhe ata të Mjedisit kanë deklaruar se ende nuk është marrë një vendim për projektin e TEC-it në Porto Romano. Kjo, edhe pse zona konsiderohet si më e përshtatshmja për ndërtimin e këtij burimi të ri të energjisë për shkak të afërsisë së Porto Romanos me portin e Durrësit, me linjat 400 kilovolt të interkonjeksionit dhe me rajonin Tiranë - Durrës që është një ndër konsumatorët më të mëdhenj të energjisë.