Xhixho: Si i shpëtoi drejtësisë Altin Çoku? Ku është shteti!?

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho duke folur mbi ngjarjen e fundit ku u vetëvra një 27-vjeçare si pasojë e publikimit të një fotoje intime në rrjetet sociale nga personazhi i Tik-Tokut, Altin Çoku, ka theksuar se në këtë rast problemi është mungesa e shtetit.
“Në rastin në fjalë përveç Tik-Tokut që është një debat më vete, pyetja që shtrohet është se shteti ku është? Policimi në komunitet, fakti që ky person ka qenë me precedent, fakti që i ka shpëtuar policisë disa herë, fakti që nuk është monitoruar në veprimtarinë e tij që ka çuar deri në këtë ngjarje, këtu janë mosfunksionime dhe dështim total i shtetit”, u shpreh Xhixho në emisionin “3D” në RTSH1.
Sipas Xhixhos vetë përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese nuk e kanë ndërgjegjësimin e duhur për fenomenin shqiptar atë të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave.
“Pra, në momentin që raportohet dhuna, polici nuk të merr seriozisht; hë mo se s’ka gjë, një shpullë burri etj., me radhë. Personat që janë të ngarkuar në institucionet ligjzbatuese nuk kanë ndërgjegjësimin dhe gravitetin për rëndësinë që ka dhuna ndaj grave, fëmijëve etj., me radhë”, tha Xhixho.
/rtsh.al/