Yield-et e bonove 12 mujore ulen përsëri, i afrohen nivelit të 4%

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë yield-et e bonove 12-mujore të thesarit pësuan përsëri rënie në ankandin e kësaj jave, duke vijuar trajektoren korrektuese nga rritja e fortë të gjysmës së dytë të vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë se yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 4.09%, nga 4.44% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të këtij muaji.
Edhe në këtë ankand pjesëmarrja e investitorëve rezultoi sërish mjaft e lartë, duke ndikuar sërish në uljen e yield-eve.
Nga 5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në ankand u paraqitën kërkesa totale për 8.4 miliardë lekë.
Edhe në këtë rast, MFE ka vendosur të rrisë me 15% shumën e pranuar, duke e çuar vlerën totale të emetimit në 5.75 miliardë lekë. Por pjesa e pranuar e ofertave konkurruese rezultoi sërish mjaft e ulët, në nivelin 9.4%.
Në muajt e fundit, qeveria po shfrytëzon likuiditetin e lartë në treg dhe rënien e ndjeshme të yield-eve për të marrë hua edhe më shumë se parashikimet dhe ndoshta për ti paraprirë një rritje të re të yield-eve, duke pasur parasysh se
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar rritjen e mëtejshme të normave të interesit gjatë këtij viti.
Në nëntor të vitit të kaluar kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të investojnë në bono thesari dhe obligacione. Rama tha me këtë tast se është një moment kompleks i ekonomisë në tërësi dhe se është moment i mirë për të investuar në tituj qeveritarë.