Ylber mbi liqenin e Pogradecit

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Liqeni i Pogradecit fton çdo vit pranë tij mijëra turistë vendas e të huaj, për të kaluar jo vetëm pushimet verore, por edhe për ta vizituar në të gjitha stinët.
Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e pastër” ndau në rrjetet sociale pamje nga liqeni i Pogradecit mbi ujërat e të cilit është shfaqur pasditen e sotme ylberi.
Pogradeci prej vitesh është një destinacion shumë i kërkuar falë paketës së plotë turistike, që nga liqeni i magjishëm, tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë.
Sezoni turistik i këtij viti në bashkinë Pogradec është ndër më të suksesshmit në krahasim me vitet e mëparshme.
Kjo vihet re në rritjen e numrit të pushuesve vendas dhe turistëve të huaj, që kanë zgjedhur freskinë që ofron Pogradeci për të kaluar disa ditë pushimi.
Deri në mesin e gushtit, sipas shifrave të bashkisë Pogradec, u akomoduan në hotele dhe bujtina rreth 35 mijë turistë, ku 12 mijë prej tyre ishin të huaj.
/k.s/j.p/