E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Kambo: Më ulni dënimin

Ish-bosi i firmës piramidale "Kambo Marshall" kërkon sërish ulje dënimi në Gjykatën e Tiranës. Ylli Kambo nuk ka hequr dorë nga "mëshira" e gjykatës për një ulje dënimi, megjithëse ka dështuar në disa tentativa. Njëri prej ish-bosëve më të dëgjuar të firmave piramidale, që zhvilluan aktivitetin e tyre kriminal në vitin 1997 në vendin tonë, u është rikthyer dyerve të gjykatës me kërkesën e ripërsëritur për të ulur dënimin. Numri i çështjes është 415 dhe kërkesa është regjistruar në Gjykatën e Tiranës në datën 2 shkurt 2009. Çështja është hedhur në short dhe gjyqtari që do ta gjykojë këtë kërkesë është Altin Abdiu. Pritet që në ditët e ardhshme të gjykohet kërkesa e ish-bosit të firmës piramidale. Disa javë më parë, në këtë gjykatë është regjistruar kërkesa e Ylli Kambos për pavlefshmëri absolute të akteve administrative dhe konkretisht të dy vendimeve të dënimit të tij, që janë marrë në vitet 1998 dhe 2001. Ai pretendon se gjatë zhvillimit të proceseve ka qenë jashtë shtetit dhe prokurori i çështjes nuk i ka dërguar fletëthirrje për ta vënë në dijeni lidhur me to. Në të njëjtën kërkesë, ish-bosi i firmës piramidale akuzon se ai është gjykuar pa prezencën në seancat gjyqësore të një avokati mbrojtës dhe kjo i ka dëmtuar seriozisht proceset, madje duke i bërë ato të pavlefshme. Bazuar në këto kërkesa, Ylli Kambo, deklaron se është duke u mbajtur padrejtësisht në burg dhe kërkon nga gjykata e kryeqytetit që të lirohet.

57-vjeçari Ylli Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003 në Rumani dhe u ekstradua në Shqipëri një vit më parë. Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit". Më pas Kambo e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Apelit, ku ai është rigjetur fajtor, por i është zbritur dënimi në 7 vjet heqje lirie.

Firma piramidale "Kambo Marshall" ka pasur kulmin e aktivitetit të saj gjatë viteve 1996-1997, kryesisht në qytetin e Beratit. Pas përfundimit të procesit të auditit të firmave piramidale, si dhe procesit gjyqësor në ngarkim të presidentit të firmës Ylli Kambo, rezultoi se kjo firmë kishte pasur 62 kreditorë, të cilëve u kishte marrë rreth 800 mijë dollarë. Në vitin 1999, duke ndier rrezikun e arrestimit, Ylli Kambo u largua nga Shqipëria dhe u shpall person në kërkim nga drejtësia shqiptare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›