E Diel, 1 Nëntor 2026

Ka fituar terren një politikan i ri i vijës së ashpër

Vitin që shkoi tha publikisht se Presidenti i Egjiptit "mund të shkonte në ferr". Në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Izrael, e ka bazuar suksesin te detyrimi i qytetarëve arabë që zotohen për besnikëri, gjë që e tregon më së miri edhe slogani i tij elektoral: "Avigdor Lieberman di të flasë arabisht". Lieberman në të vërtetë nuk di arabisht e as që ka ndër mend ta mësojë, por disa sondazhe e shohin si Kryeministrin e ardhshëm. Popullariteti i tij është rritur me aq shpejtësi, sa partia e tij mendohet të jetë ndër tre më të votuarat. Dhe kjo falë mesazhit që jep: Izraeli është në rrezik jo vetëm nga jashtë, por edhe nga popullsia e vet arabe. "Nuk ka më rëndësi nëse Avigdor Lieberman do të fitojë 19 vende në Parlament, apo vetëm 15", vërente të premten e shkuar një analist në gazetën "Jediot Aharonot". "Ai është njeriu kyç i kësaj fushate elektorale".

Gjithsesi, në ballë të fushatës, si dhe njeriu me më shumë gjasa për t‘u bërë Kryeministër, mbetet Benjamin Netanjau i partisë konservatore Likud. Pranë tij është Tzipi Livni, ministre e Jashtme dhe lidere e partisë së qendrës Kadima. Deri para pak kohësh, ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, lider i partisë Laburiste, forcë e qendrës së majtë, vinte i treti, duke fituar edhe më shumë mbështetje pas konfliktit në Gaza.

Por në këtë pozicion është vendosur tashmë Avigdor Lieberman i partisë Jisrael Beitenu (Izraeli është shtëpia jonë). Ai dhe partia e tij, që ka bërë për vete një pjesë të mirë të votuesve të partisë Likud, mund të bëhet pjesë e një koalicioni të ri qeveritar, por edhe të vendoset në krye të së majtës. Pjesa më e madhe e establishmentit politik, përfshi anëtarë të Likud-it, Kadima-s e partive laburiste, u tremben të dyja mundësive, pasi e konsiderojnë Liebermanin demagog. Druhen se përqendrimi i tij te paradoksi izraelit - si mundet një shtet i përbërë nga hebrenj dhe arabë ta përkufizojë veten hebraik dhe demokratik - mund të dëmtojë bashkekzistencën e etnive në vend. Thonë se po i bind hebrenjtë e Izraelit se shtetit i duhet edhe më shumë forcë për të mbijetuar. "Ky njeri më tremb dhe nuk më pëlqen", thotë Shmuel Sandler, dekan i universitetit "Bar Ilan". "U drejtohet zgjedhësve naivë. Izraelitët ndjejnë se kanë lëshuar territore dhe në të njëjtën kohë vërejnë që arabët nuk duan të pranojnë natyrën hebraike të shtetit".

Ofensiva e ushtarake kundër Hamas-it në Gaza e ka ndihmuar Liebermanin në dy drejtime. Së pari e paraqet veten si njeri me dorë të fortë, që mezi pret të luftojë armiqtë e Izraelit, por së dyti po kaq ashpër vendoset edhe ndaj arabëve të Izraelit që protestuan kundër luftës, gjë që i zemëroi shumë hebrenjtë. "Fushata arriti kulmin kur pasuesit e tij dolën rrugëve me postera të arabëve izraelitë që tundnin flamurët e Hamas-it dhe bërtisnin ‘vdekje hebrenjve‘", vëren Abe Selig, një reporter i "The Jerusalem Post".

Ndërkaq, nuk mund të konsiderohet si politikan klasik i djathtë - nuk u përmbahet shumë doktrinave për tokën dhe nuk është fetar - ndërkohë që qëndrimet e tij për habi tërheqin votues me prirje të ndryshme politike. Lieberman, 50 vjeç, është emigranti i ardhur nga Moldavia. Në të kundërt të politikanëve të ekstremit të djathtë, ai është pro zgjidhjes së dy shteteve. Është gati të heqë dorë nga një pjesë e Izraelit me përqendrim të lartë arabësh për llogari të shtetit të ardhshëm palestinez, në këmbim të kolonive në Bregun Perëndimor. Ai vetë jeton në një koloni të tillë pranë Betlehemit.

Kur thotë zotim për besnikëri, ka parasysh t‘u kërkojë të gjithë izraelitëve t‘i premtojnë besnikëri Izraelit si shtet hebraik e demokratik, të pranojnë simbolet, flamurin e himnin, ose të pranojnë t‘i nënshtrohen shërbimit ushtarak apo ndonjë lloji alternativ shërbimi. Të gjithë atyre që nuk do të pranojnë ta nënshkruajnë këtë zotim, do t‘u lejohet banimi në Izrael si rezidentë, por jo si qytetarë me të drejtë vote. Aktualisht arabët e Izraelit, të cilët përbëjnë 15-20 për qind të popullsisë, përjashtohen nga shërbimet kombëtare. Shumë prej tyre do të donin ta ndryshonin identitetin izraelit nga ai i bazuar te koncepti i shtetit hebre, në një tjetër të përcaktuar nga gjithë qytetarët e tij. Sipas tyre, vetëm kështu të gjithë do të ishin të barabartë. Për Liebermanin nuk ka vend për një zgjidhje të tillë dhe këmbëngul se ata që nuk dinë të bëjnë të tyrin thelbin e identitetit hebre, nuk mund të kenë vend në Izrael.

Disi i çuditshëm është edhe fakti që Lieberman dhe pasuesit e tij shpesh thonë se parimi i zotimit të besnikërisë është pasqyrë e praktikës amerikane, ndoshta duke ngatërruar procesin e natyralizimit me një kërkesë të karakterit universal për të gjithë qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për shembull, Uzi Landau, krahu i djathtë i Liebermanit, ka thënë së fundmi që "në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cilido kërkon të bëhet qytetar, duhet t‘i betohet për besnikëri vendit dhe Kushtetutës, të njohë himnin, flamurin dhe historinë".

Të marra së bashku, të gjitha propozimet e Liebermanit synojnë për një shtet më të pastër hebre, gjë që në shumë drejtime ka qenë synimi klasik i konservatorëve. Por vullneti i tij për të hequr dorë prej territoreve me popullsi të vogël hebraike, ashtu si edhe përreth Jerusalemit, bie ndesh me një qëndrim bazë të së djathtës: që territori izraelit nuk mund të zvogëlohet, pasi toka u përket hebrenjve dhe se diçka e tillë do bartte rreziqe strategjike.

Rezultati i përzierjeve të të gjithë këtyre ideve është që Liebermani ka bërë për vete mbështetës jo vetëm nga radhët e hebrenjve rusishtfolës (si ai), por edhe të shumë të tjerëve që tërhiqen prej tendencave të tij anti-ngujime, ashtu si edhe mes qytetarëve të rinj. "Kam qenë mbështetës i laburistëve gjatë gjithë jetës", thotë studenti 24-vjeçar Idan Tzadok. "Jam rritur në një koloni, por sytë m‘u çelën kur erdha në universitet. Këtu pashë këta qytetarë izraelitë që dalin rrugëve me flamuj palestinezë. Paqja në Izrael do të arrihet vetëm kur të gjithë qytetarët të shërbejnë në ushtri. Nuk kam ndër mend të paguaj pasojat për këta njerëz që mbështesin Hamas-in".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›