Ylli: Nuk ka ndotje uji në zonat e përmbytura
Uji në zonat e përmbytura në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës nuk është i ndotur, sipas Institutit të Shëndetit Publik. Pas analizave të kryera mbi kampionet e mbledhura nga ekspertë të ISHP-së, rezultoi se uji ishte në gjendje optimale e si pasojë nuk ka rrezik të rritjes së sëmundshmërisë prej tij. Kjo u bë e ditur dje nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, z. Alban Ylli.
Nuk ka ndotje, lëshohet uji
Ndotja e ujit në këto zona ishte edhe frika më e madhe e specialistëve të shëndetësisë, pasi kjo do të sillte përkeqësim të situatës dhe rritje të rrezikshmërisë epidemiologjike në veri të vendit. Ndërkaq, burime nga ISHP-ja bëjnë të ditur se grupet e specialistëve të dërguara në terren do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e situatës së emergjencës civile që ndodhen këto zona.
Menjëherë, Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë urdhër për lëshimin e ujit të pijshëm në komunat e përmbytura, pasi është parë se nuk ka rrezik për përhapje sëmundjesh prej tij. Ndërkohë, analizat për gjendjen e ujit do të vijojnë të kryhen në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditëve në vijim, për të shmangur çdo lloj mundësie të sëmurjes së qytetarëve si pasojë e ujit.
Situata epidemiologjike, nën kontroll
Nga ana tjetër, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik konfirmuan dje se nuk ka rrezik të dukshëm të rritjes së nivelit epidemiologjik në këtë rajon dhe se përhapja e sëmundjeve duket se është mënjanuar. Megjithatë, ISHP bën të ditur se do të qëndrojë në gatishmëri të plotë për çdo mundësi përhapjeje sëmundjesh deri në përfundim të situatës emergjente dhe se do të kryejë studime të njëpasnjëshme në terren.
Burime nga ISHP-ja bëjnë të ditur se në intervale të shkurtra kohore, laboratorët e institutit do të analizojnë kampione të reja të sapoardhura nga hapësirat e përmbytura për të pasur përditësim të informacionit.
ISHP
Prej ditëve të para të përmbytjeve masive në zonat veriore të vendit, Instituti i Shëndetit Publik dërgoi disa ekipe me specialistët e saj, ndërkohë që mobilizoi edhe punonjësit shëndetësorë në qarqet veriore, për të mbajtur nën kontroll situatën e sëmundshmërisë në zonat e përmbytura. Këto grupe kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme kampione të ujit dhe të ajrit për të parë nëse ka probleme epidemiologjike.
Fakti, që në zonat e përmbytura nuk u vërejt ndotje e ujit, ka qetësuar drejtuesit e ISHP-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi frika e tyre më e madhe ishte pikërisht përhapja e sëmundjeve si pasojë e përmbytjeve, me anë të ujit, porse tashmë situata duket të jetë nën kontroll, edhe pse specialistët thonë se asnjëherë nuk është e sigurt nëse do të kemi probleme epidemiologjike gjatë ditëve në vijim.