E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për shtyrjen, thikë në qafë 37-vjeçarit

Një sherr banal midis dy pasagjerëve i ka marrë jetën një 37-vjeçari brenda autobusit të linjës Tiranë-Ndroq. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare nga policia, viktima është Arben Goga, banues në fshatin Ndroq. Sherri midis viktimës dhe autorit ka nisur pas një konflikti brenda ambienteve të urbanit që përfundoi me vdekjen e një personi. Autori i krimit arriti t’i shpëtonte fillimisht arrestimit, ndërsa është ndaluar më pas gjatë një operacioni të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës në kodrat e fshatit Ndroq. Në prangat e uniformave blu ra 42-vjeçari Nezir Malliku, banues në fshatin Ndroq. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, për t’u marrë në pyetje nga policia.

Ngjarja
Ndërsa autobusi i linjës Tiranë-Ndroq ishte duke udhëtuar në drejtim të Ndroqit, dy prej pasagjerëve të tij, 37-vjeçari Arben Goga dhe 42-vjeçari Nezir Malliku kanë nisur një konflikt. Sipas burimeve nga policia, gjithçka ka filluar pas fjalëve të njërit prej tyre që e kishte kritikuar se pse po shtyhej. Më pas, gjakrat janë nxehur dhe ka pasur një përplasje fizike. Sipas policisë, 42-vjeçari Malliku ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe me të ka sulmuar menjëherë kundërshtarin e tij, duke e therur atë. Goditja e ka kapur Gogën në pjesën e qafës, duke marrë një prerje të thellë. Për t’i dhënë ndihmë të plagosurit, urbani ka ndaluar në afërsi të parkut të autobusëve, në “Rrugën e Kavajës”. Më pas, 37-vjeçari është zbritur menjëherë nga pasagjerët e tjerë, ndërkohë që i është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Por, plaga e marrë ka qenë e rëndë dhe i ka marrë atij jetën gjatë rrugës për në spital. Sipas burimeve spitalore, viktima kishte humbur shumë gjak, kjo për shkak të plagës së marrë në pjesën e qafës, e cila i kishte kapur një prej venave kryesore të furnizimit me gjak të trupit. Autori i krimit më pas arriti që të largohej, ndërsa policia e njoftuar mbërriti në vendngjarje. Pasi u morën dëshmitë e para, filloi organizimi nga uniformat blu i operacionit për ndalimin e të akuzuarit për vrasje. Sipas burimeve zyrtare nga policia, në këtë operacion morën pjesë 150 forca të policisë. 42-vjeçari Malliku u ndalua në kodrat e fshatit Ndroq në tentativë për t’iu shmangur arrestimit. Atij iu vunë prangat nga agjentët e policisë dhe u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të marrë masën e arrestit. Malliku akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›