E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Youth Wave” sjell energjinë, edicioni i dytë i festivalit rinor u zhvillua në Shirokë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, në pikën turistike të Shirokës u zhvillua edicioni i dytë i koncertit “Youth Wave”, një aktivitet i Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me Qendrën Rinore “Atelie” dhe Këshillin Vendor Rinor Shkodër që synon të mbështesë dhe promovojë talentet e reja, sipërmarrësit e rinj dhe iniciativat e tyre në komunitet.

“Kemi një publik të mrekullueshëm që i mbështet artistët tanë, jo vetëm në Ditën e Rinisë, por edhe për të promovuar talentet e reja muzikore”, tha Tuta Qyteza, Zëvendëskryetare në Bashkinë Shkodër.

Në skenë u ngjitën artistë të rinj, të cilët ndanë me publikun talentin dhe pasionin e tyre.

Momenti kulmor i mbrëmjes ishte performanca e këngëtarit të mirënjohur Shpat Deda, i cili vazhdoi këngën edhe kur u ndërpre energjia elektrike për disa çaste, duke marrë duartrokitje të zjarrta nga të pranishmit.

“Një energji që nuk mundem me u shkëput kurrë është ajo e publikut”, tha këngëtari Shpat Deda,

Ky koncert solli argëtim, kulturë dhe frymëzim për të rinjtë, duke i inkurajuar ata të angazhohen më shumë në jetën artistike dhe sociale të komunitetit.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›