Yuri Kim: Koha që Shqipëria të jetë një partner për Shtetet e Bashkuara!

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara u ka kërkuar udhëheqësve politikë në Shqipëri të rikontrollojnë edhe njëherë listat e deputetëve përpara fillimit të parlamentit të ri në shtator.
Në një editorial të hapur ambasadorja Kim u bëri thirrje udhëheqësve në pushtet dhe atyre që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë, të pozicionohen ndaj angazhimit amerikan kundër korrupsionit për të arritur që Shqpëria të jetë një partner dhe jo një problem për Shtetet e Basahkuara.
Rikthimi i opozitës në parlament është një ngjarje me rëndësi kritike, shkruan Kim. Edhe pse e njeh gushtin si muaj të pushimeve, Ambasadorja e SHBA në Tiranë Juri Kim ka shkruar pikërisht në fillim të tyre një editorial thirrje për politikën shqiptare në fokusin e marrëdhënies shqiptaro amerikane. Duke siguruar mbështetjen në vazhdim për të realizuar që zgjedhjet e ardhshme të plotësojnë standardet më të larta ashtu si edhe për reformat që do ta sjellin Shqipërinë plotësisht në familjen europiane, ambasadorja Kim i është referuar asaj që e ka quajtur çast historik në tridhjetë vjet. “Më 1 janar 2022, Shqipëria do të marrë rolin më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë në skenën botërore, duke u ulur përkrah Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Rusisë dhe Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërsa vazhdon të zbatojë reformat e nevojshme, Shqipëria i afrohet më shumë, ditë pas dite, Konferencës së Parë Ndërqeveritare që do të fillojë formalisht negociatat për anëtarësim në BE – një proces dhe synim që Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht. Duke ndërtuar mbi punën me stërvitjen Defender Europe 21, presim me kënaqësi të përforcojmë në mënyrë domethënëse bashkëpunimin tonë për mbrojtjen. Presim po ashtu të vijnë edhe më shumë investime amerikane në Shqipëri”, shkruan zonja Kim.
Referuar faktit se shumë do të varet nga kërkesat e popullit shqiptar dhe zgjedhjeve që do të bëjnë udhëheqësit shqiptarë, ambasadorja e SHBA ka vazhduar të jetë e drejtperdrejtë në thirrjen e saj për politikën shqiptare. “Presim me kënaqësi ta shohim parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë në mënyrë që shqiptarët nga i gjithë spektri politik të jenë të përfaqësuar. Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre” shkruan Kim.
Ambasadorja e SHBA ka ndarë në mesazhin e saj për udhëheqësit politikë angazhimin e autoriteteve amerikane dhe dëshirën e popullit shqiptar. “Për një kohë tepër të gjatë, korrupsioni është përdorur si armë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë për të blerë politikanë, për të fituar kontrata, dhe për të ndërhyrë në proceset demokratike. Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë përmes fjalëve dhe veprimeve të tyre se lufta kundër korrupsionit është një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Duam një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë. Duam një partner, jo një problem” shkruan Kim.
Kërkesa e ambasadores amerinae ka qenë edhe më e qartë në adresimin e fundit të mesazhit. “Është koha që udhëheqësit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Është koha për udhëheqësit që të tregoni kush jeni dhe çfarë mendoni se meriton ky vend. Është koha për të udhëhequr…Shpresojmë që udhëheqësit e Shqipërisë – ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë – po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë” shkruan zonja Kim.