Yzeiraj pret misionin e FMN-së: Stabiliteti financiar, kyç për rritjen ekonomike dhe integrimin në BE

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj priti sot në një takim misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), një proces i rëndësishëm që zhvillohet zakonisht një herë në dekadë dhe që synon të vlerësojë qëndrueshmërinë dhe shëndetin e sistemit financiar në vend.
Gjatë takimit, Yzeiraj informoi përfaqësuesit e misionit të FMN-së mbi masat konkrete që po ndërmerren nga qeveria për të përmirësuar aksesin në financë për sektorët e nënkredituar.
Ai u ndal veçanërisht te përdorimi i garancive sovrane, të cilat janë përfshirë edhe në paketën mbështetëse “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, si dhe te hapat e ndërmarra për krijimin e Bankës së Zhvillimit.
Sipas tij, një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte nevoja për të rritur mbështetjen financiare për ekonominë, duke ruajtur njëkohësisht standardet e kreditimit.
Në këtë drejtim, palët shkëmbyen përvoja dhe praktika të suksesshme nga vende të tjera që kanë ndjekur modele të ngjashme zhvillimi.
Yzeiraj theksoi se stabiliteti financiar mbetet një element kyç për garantimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme në afatgjatë, si dhe për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit.
Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i udhëhequr nga FMN, përbën një instrument të rëndësishëm për identifikimin e rreziqeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në sektorin financiar, duke ndihmuar vendet pjesëmarrëse të ndërtojnë sisteme më të qëndrueshme dhe rezistente ndaj goditjeve ekonomike.
/j.p/r.e/