E Diel, 1 Nëntor 2026

ZGJOHU!: Fushatë kundër mos respektimit të gjuhës shqipe

Pas hapave për senzibilizimin e opinionit publik nga ana e mediave shqiptare, rreth shkeljeve të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga institucionet shtetërore dhe lokale, Lëvizja Qytetare ZGJOHU! ka vendosur që të padis para organeve kompetente të gjitha ato institucione dhe drejtues institucionesh që shkelin ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

"Padinë e parë do ta dorëzojmë kundër Ndërmarrjes Publike të Transportit “Shkup” e cila edhe pse është e obliguar me ligj ta përdor gjuhën shqipe, refuzon ta bëjë këtë. Ligji dhe Kushtetuta parashohin sanksione për institucionet dhe drejtuesit e tyre në rast të mospërmbushjes së dispozitave ligjore andaj dhe presim që prokuroria të ndërmerr masa kundër shkelësve të ligjit", njoftoi Lëvizja Qytetare ZGJOHU!, duke paralajmëruar fushatë për të detektuar të gjitha institucionet dhe drejtuesit e tyre që refuzojnë ta përdorin gjuhën shqipe edhe pse e kanë obligim ligjor dhe do të pregadis padi kundër të gjithë atyre në mënyrë që të sigurojmë zbatimin e ligjit.

Sipas ZGJOHU!, marrëdhëniet ndëretnike janë një nga shtyllat e kësaj shoqërie dhe Marrëveshja e Ohrit është pjesë e kushtetutës, por shembujt e refuzimit të pranimit të realitetit të ri në Maqedoni, dëshmojnë që akoma ka individ me mendje të pa reformuar. Fatmirësisht, Ligji parasheh edhe sanksione në rast se nuk zbatohen dispozitat e veta nga ana e institucioneve ose funksionarëve.

"ZGJOHU!, në bashkëpunim me mediat, po nis një valë të re të promovimit të ligjit për gjuhën shqipe, së pari duke përkujtuar të gjitha institucionet për obligimin që ta përdorin atë në mënyrë zyrtare dhe së dyti, ngritjen e padive në rast të refuzimit të zbatimit të Ligjit dhe përdorimit të gjuhës shqipe. Ftojmë mediat dhe qytetarët që të na ndihmojnë në identifikimin e institucioneve që janë të obliguara që ta përdorin gjuhën shqipe, në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta promovuar përdorimin e gjuhës shqipe do të kanë sukses", thekson kjo Lëvizje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›