E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRM kundër Schwarz, Haradinajt e Ramadanit

Forumi i të Rinjve Myslimanë ka reaguar pas deklarimeve të fundit që ka bërë deputeti i AAK-së, Buurim Ramadani, lidhur më figurën dhe qëndrimet e imamit Shefqet Krasniqi ne përgjithësi.

FRM, nëpërmjet një komunikate drejtuar medieve, konsideron se ka lexuar me indinjatë shkrimin që Stefan Zhvarc ka bërë në revistën The Weekly Standard këtë 3 janar 2013. Sipas këtij forumi, në shkrimin në fjalë Zhvarci, ka shpifur si gjithnjë kundër Islamit dhe popullit mysliman të Kosovës.

“Sikur të mos mjaftonte qurravitja që ka bërë në revistën e Zhvarcit, sulmet e Burim Ramadani kanë vazhduar edhe në facebook, ku e ka quajtur imamin e nderuar Shefqet Krasniqi një “maniak”. Sulmi i Burim Ramadanit ndaj imam Shefqetit dhe myslimanëve të Kosovës ka vazhduar edhe në KTV kur ka deklaruar se lëvizja që drejton hoxhë Shefqeti “Është një lëvizje dhe ka disa individ që përfaqësojnë frymë të tillë, që nuk është parë në kombin shqiptar për 500 vjet. Me këtë duhet të merren institucionet e ligjit”, konsideron FRM.

Forumi i të Rinjve Myslimanë të Kosovës i bën me dije, Burim Ramadanit, Stefan Zhvarc, se në Kosovë maniakë nuk janë as imam Shefqet Krasniqi dhe myslimanët. “Myslimanët e Kosovës janë njerëz të ndershëm të cilët nuk merren as me fshirje truri, as me krime kundër njerëzimit, as me tregti droge e as me mbytje njerëzish, siç akuzohen shefat e Burim Ramadanit. Fryma që myslimanët e Kosovës përfaqësojnë është fryma që e ka dominuar vendin tonë që në vitin 1389 kur ne myslimanët shqiptarë, së bashku me vëllezërit tanë turq, mundëm serbët dhe fundamentalistët anti-myslimanë në Betejën e Kosovës. Kjo frymë, e cila është fryma e Islamit, është fryma e myslimanëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

FRM, duke ju drejtuar deputetit Ramadani, konsideron se, ai përpara se të merret me imamin Shefqet Krasniqi dhe me myslimanët e Kosovës, duhet të shohë, siç thotë FRM shefin e tij “të fortë”, Ramush Haradinaj, i cili pasi është akuzuar për krime kundër njerëzimit në Hagë tani ka nisur të shkojë e ti përulet Kishës Katolike për mëshirë e rregulluar imazhin e tij. “Burim Ramadani ndoshta ka frikë se mos një ditë shkon edhe vetë në Hagë që të jap llogari për krimet që kane ndodhur në Kosovë vite më parë”.

FRM, nuk është ndalur më kaq. Sipas këtij forumi, edhe figurat nacionale, ajo e Gjergj Kastriotit e Nënë Terezës janë në një vi me Sllobodan Millosheviçi.

“Duam tu themi Burim Ramadanit, Stefan Zhvarcit, Ramush Haradinajt e të gjithë trafikantët tjerë të Kosovës, që ne myslimanët kosovarë jemi këtu prej 600 vitesh që kur mundëm koalicionin anti-islamik të Car Llazarit. Ne do të vazhdojmë të jemi këtu në Kosovë me qindra vite të tjera, edhe nëse një gjë të këtillë ndoshta nuk e dëshiron Car Llazari, Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Sllobodan Millosheviçi, Burim Ramadani apo edhe Stefan Zhvarci”. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›