E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZRRE porosit KEK-un të bëjë kujdes

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë elektrike, në lidhje me pakënaqësitë e konsumatorëve që janë krijuar nga faturat e muajit janar të këtij viti, ka themeluar një komision me ekspertët e vet, të cilët janë duke mbledhur dhe analizuar të dhënat për ankesat e konsumatorëve në lidhje me këtë çështje.

“Bordi i ZRRE-së e kupton krijimin e konfuzionit tek konsumatorët edhe nga raportet e komisioneve të ndryshme të krijuar për të dhënë përgjigje të shpejtë dhe të saktë konsumatorëve të pakënaqur, mirëpo, rikujton të gjitha palët e interesit dhe në veçanti të licencuarin dhe organet tjera institucionale se vetëm Vendimet e Bordit te ZRRE-së kanë peshë ligjore dhe sikurse është e theksuar në të gjithë legjislacionin primar dhe sekondar, vetëm përmes Vendimeve të Bordit të ZRRE-së mund të merren masa kundër të licencuarit nëse ka bërë shkelje të dispozitave ligjore”, thuhet në komunikatë.

Bordi i ZRRE-së është ende në pritje të analizave detaje nga Departamentet përkatëse të ZRRE-së mbi të gjitha ankesat e konsumatorëve të paraqitur në KEK dhe pas vlerësimit të tyre do të ndërmarr hapat në kuadër të përgjegjësive që ka. Bordi i ZRRE-së rekomandon KEK-u të këtë më shumë kujdes gjatë caktimit të ditëve të leximit, sipas Rregullave në fuqi. Bordi këtë çështje do ta analizojë me kujdes, dhe nëse nevojitet do të merren Vendime për masat e duhura.

Bordi i ZRRE-së gjithashtu ka shprehur shqetësimin tek KEK-un lidhur me ankesa për leximin e pasaktë të njehsorëve të konsumatorëve në muajin dhjetor 2012 dhe janar 2013 si dhe ndikimin e mundshëm në vlerën e faturave të konsumatorëve për shkak të bllokut të tretë të tarifave.

Ai ka vërejtur se KEK-u në disa raste gjatë (nga mekanik në digjital), konsumatori është faturuar me vlerë zero, ndërsa në muajin vijues me shumën e konsumit të dy muajve, dhe kjo ka mund të rezulton në vlera më të larta të faturave në muajin pasues.

Bordi i ZRRE-së, përmes Departamenteve përkatëse, është duke i shqyrtuar dhe analizuar të gjitha ndikimet e mundshme të bartjes së konsumit të konsumatorëve, dhe në raste të shkeljeve të këtyre procedurave, të kompensojë konsumatorët në muajin vijues.

Bordi i ZRRE-së fton të gjithë konsumatorët me këto lloje të ankesave t’i paraqesin ankesat e tyre në mënyrë që të hapet mundësia për rregullimin e këtyre çështjeve.

Bordi i ZRRE-së njofton palët e interesit se KEK-u duhet të përcjellë afatet ligjore të përcaktuara për ankesa të konsumatorëve, sipas Rregullës për shkyçje dhe rikyçje të konsumatorëve. Për më shumë,pas paraqitjës së ankesës çdo konsumator është i mbrojtur nga dispozitat ligjore në fuqi, përderisa kontesti vazhdon, nuk do të këtë shkyqje të konsumatorëve nga rrjeti për vlerën e kontestuar të faturës deri në momentin e marrjes së vendimeve përfundimtare nga KEK-u, ndërsa në rastin e pakënaqësisë të konsumatorëve me këtë vendim të KEK-ut, kanë të drejtë të apelojnë atë në ZRRE.

“Bordi i ZRRE-së do të vazhdojë monitorimin e furnizuesit publik, dhe do të marrë masat e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi.Andaj lusim qytetarët të përdorin këto mjete të cilat janë të parapara specifikisht për mbrojtje të konsumatorëve në këto raste. Vetëm në këtë mënyrë Bordi i ZRRE-së mund të siguroj konsumatorët se të drejtat e tyre nuk do të cenohen.”, thuhet më tej në komunikatë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›