E Diel, 1 Nëntor 2026

ZVICËR – Vance përshëndet takimin historik me Iranin dhe bën thirrje për kthimin e një faqeje të re

LUGANO, 21 qershor /ATSH-AFP/ – Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance i përshkroi negociatat që filluan sot në Zvicër me Iranin si “historike”, që synonin finalizimin e një memorandumi mirëkuptimi për t’i dhënë fund armiqësive në Lindjen e Mesme.

“Ajo që presidenti na kërkoi të bënim është të kthejmë një faqe të re në mënyrë që të transformojmë marrëdhënien tonë me popullin iranian dhe t’u shtrijmë dorën iranianëve”, tha Vance në fillim të bisedimeve midis dy vendeve dhe ndërmjetësve nga Katari dhe Pakistani në një vendpushim luksoz në Alpet Zvicerane.

“Bëhet fjalë për t’u thënë atyre se nëse udhëheqësit e tyre janë të gatshëm të heqin dorë nga roli i tyre si burim i paqëndrueshmërisë rajonale, nëse janë të gatshëm të braktisin përgjithmonë çdo ambicie për të blerë armë bërthamore, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të transformojnë rrënjësisht marrëdhënien e tyre me atë vend”, vazhdoi ai.

“Ky është një takim historik”, shtoi ai, duke përmendur tashmë “përparimin e rëndësishëm në orët e fundit”.

“Pres që ne të bëjmë përparim të mëtejshëm në orët e ardhshme”, këmbënguli ai.

Pas takimeve dypalëshe të mbajtura në mëngjes midis delegacioneve amerikane dhe iraniane dhe ndërmjetësve të Katarit dhe Pakistanit dhe mikpritësve të tyre zviceranë, katër delegacionet u takuan rreth tryezës në fillim të pasdites për diskutime të drejtpërdrejta.

Këto bisedime pritet të çojnë në një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve, veçanërisht në lidhje me çmontimin e programit bërthamor të Iranit.

Marrëveshja synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, të shkaktuar nga sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit më 28 shkurt.

Armiqësitë kanë shkaktuar mijëra vdekje, kryesisht në Iran dhe Liban, dhe kanë tronditur ekonominë globale.

Nga ana e tij, delegacioni iranian nuk bëri asnjë deklaratë për shtypin./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›