E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zakonshëm në trevjetor

Me fishekzjarrë, muzikë, flamuj, homazhe e fjalime. Kështu u shënua Dita e pavarësisë së Kosovës. Liderët politikë folën për të arritura e ardhmëri të ndritur, kurse qytetarët dolën në shëtitje. Qeveria e Kosovës nuk organizoi asnjë manifestim qendror, ndërsa nëpër komuna pati akademi solemne e vizita të zakonshme. Nga Nexhmije Ahmeti më 18 shkurt 2011 në ora 08:27

Kosova festoi zbehtë trevjetorin e bërjes shtet. Ndryshe nga dy vitet e kaluara, sivjet nuk pati asnjë organizim institucional në nivel qendror.

Në këtë ditë feste, vendi më i preferuar për qytetarët e Prishtinës ishte sheshi “Nëna Terezë”. Por, ndonëse moti ishte i mirë, rrugëve të kryeqytetit shiheshin më pak qytetarë.

Liderët institucionalë e partiakë të vendit edhe kësaj radhe bënë itinerarin e zakonshëm. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës në Prekaz tha se në Kompleksin Memorial është shtrati i pavarësisë. “Ne vijmë për çdo 17 shkurt në Prekaz, për faktin se këtu vërtet ka filluar kthesa e madhe. Këtu është bërë edhe sakrifica më e madhe, është bërë sakrifica më unike në historinë jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe në historinë e përbotshme, për të qenë vend i lirë, për të qenë popull i lirë”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi tha në Prekaz se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen mirë për të arriturat në vend. “Emri, jeta dhe vepra e Komandantit Legjendar ndërlidhet drejtpërdrejt me udhëheqjen e tij në luftën për liri, për çlirimin e vendit, emri dhe vepra e tij ka bashkuar shqiptarët”, theksoi ai.

Ndërkaq, pasi bëri homazhe te varri i ish presidentit Rugova, Thaçi tha se në këtë ditë meritojnë nderime të gjithë ata që punuan për shtetin e Kosovës. Më pas, Thaçi vizitoi familjen Rugova. Homazhe te varri i Rugovës e vizitë në familje, si dhe vizita në Prekaz e Gllogjan bëri edhe presidenti i AKR’së, Behgjet Pacolli. Nderime ish presidentit i shprehu edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kurse Prekazin e vizituan edhe përfaqësues partish tjera politike. Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, bëri thirrje për ndërtim të vendit dhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë.

Në mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës, kryetari Isa Mustafa theksoi se përvjetori i pavarësisë na i rikujton ideatorët e pavarësisë, heronjtë e kombit, dëshmorët dhe martirët e lirisë, dhe po ashtu vuajtjet e pakufishme të gjeneratave të shumta, qëllimi i të cilave ishte liria, demokracia dhe pavarësia. ”Sot shprehim nderin dhe respektin tonë të madh për gjithë luftëtarët e UÇK-së, për presidentin Rugova dhe të gjithë ata që simbolizojnë këtë ditë të madhe”, tha ai.

Mustafa nuk e la pa folur edhe për kryeqytetin. “Prishtina trashëgoi shumë probleme, trashëgoi edhe punë të mirë që kishin bërë njerëzit tanë në periudhën e pasluftës, trashëgoi pasojat, që edhe vendet e tjera i patën pas proceseve të tilla, në rrugën e tranzicionit kah shoqëritë demokratike”, u shpreh ai. Përmendi edhe Ligjin për kryeqytetin.

“U përpoqëm që Prishtina si kryeqytet i Republikës së Kosovës të rregullohet me ligj të veçantë, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta, në mënyrë që më lehtë të përmbushim jo vetëm obligimet si komunë, por edhe përgjegjësitë e kryeqytetit. Përpjekjet nuk do të shkojnë huq, sepse këtë na garanton Kushtetuta dhe ligji”.
Komuna e udhëhequr nga Mustafa organizoi disa aktivitete për festë, si koncerte, shfaqje për fëmijë e aktivitete sportive.

Ndërkaq, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk u panë në vizita e ceremoni. Por, nëpërmjet një komunikate për media ky subjekt politik shprehu brengën që statusi i Kosovës, në vend që të zgjidhej nëpërmjet njohjes së të drejtës për vetëvendosje për popullin e Kosovës dhe ushtrimin e kësaj të drejte përmes referendumit, u degradua në kompromis me Serbinë.

“Urojmë që populli të na jep besim, atdheu dashuri, organizimi guxim – për t’i mbledhur forcat tona intelektuale e organizative si qytetarë e shqiptarë, për ta bërë Kosovën me sovranitet, shtetin për ta zhvilluar e kombin shqiptar për ta bashkuar”, thuhet në komunikatë.

Të enjten, festime pati në mbarë Kosovën. Në një akademi solemne në Ferizaj, kryetari i Komunës, Bajrush Xhemajli, tha se në këtë përvjetor ndihemi shumë të përgjegjshëm ndaj sakrificës së gjeneratave. Në Mitrovicë, ndërkaq, qindra të rinj morën pjesë në Marshin e Pavarësisë, organizuar nga Lëvizja “Koha”. Festa është shënuar edhe në fshatrat e komunës së Leposaviqit, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë. E në Pejë u zbulua busti i akademikut dhe veprimtarit pejan, Ali Hadri. Kryetari i Komunës, Ali Berisha, tha se Peja është krenare që i ka dhënë Kosovës një njeri të madh si Hadri.
Më së shumti nga festa përfituan shitësit e famujve. Flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-ve ishin më të kërkuarit.

Uron Cvetkovic

Kryetari i Komunës së Parteshit, Nenad Cvetkovi, ka uruar të gjithë qytetarët dhe popullin e Kosovës në trevjetorin e pavarësisë. "Me fat festa tërë popullit të Kosovës, duke i uruar gjithë të mirat, ardhmëri, zhvillim, prosperitet dhe hyrje sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian (BE)", thuhet në urimin e tij. Cvetkovic thekson se Kosova është atdheu i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet ta ndërtojnë atë me përkushtim dhe angazhim. “Të lumtur janë ata që punojnë së bashku, ata që kanë vizion për të sotmen dhe të ardhmen, ata që projektojnë ardhmërinë e tyre, e të tillë synojmë dhe duhet të jemi të gjithë ne, pa dallim etnie e besimi”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›