E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitë e UNMIK’ut

Dëshmitë e tetë shqiptarëve, për vrasje dhe trafikim organesh pas përfundimit të luftës në Kosovë, janë përfshirë në një raport të UNMIK’ut, i cili në vitin 2003 iu dorëzua Tribunalit të Hagës. Sipas raportit, shumica e viktimave ishin serbë dhe për t’ua hequr organet dërgoheshin në Shqipëri. Gjithçka bëhej nën organizimin e komandantëve të UÇK’së. Nga Express më 18 shkurt 2011 në ora 08:24

Organizata e Kombeve të Bashkuara ishte në dijeni për trafikimin e organeve të njerëzve në Kosovë që prej vitit 2003, pesë vjet para se të bëhej publike nga ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte. Në një dokument sekret, të papërfunduar tërësisht, të UNMIK-ut, i cili mban datën 30 tetor 2003, bëhet fjalë për vrasje dhe trafikim organesh të kryera në Kosovë gjatë viteve 1999-2000.
Sipas raportit të nënshkruar nga Paul Coffey, atë kohë shef i Departamentit të Drejtësisë në UNMIK, një ish komandant i UÇK-së ka pranuar para hetuesve të OKB-së trafikimin e organeve të kryer në Kosovë e Shqipëri.

Shumica e viktimave ishin serbë, por të përfshira kanë qenë edhe femra të reja nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e Evropës Lindore. Ato mbaheshin të mbyllura në disa shtëpi në Shqipëri, ku u hiqeshin organet vitale. Dokumenti, po ashtu, përshkruan raste të torturave, ekzekutimeve dhe formave të tjera të rrahjeve ndaj civilëve.
Sipas dokumentit 29 faqesh, kampet e Burrelit llogaritet t’i kenë “provuar” 100- 300 perona. Ndërmjet 24 dhe 100 sish u transferuan në afërsi të Burrelit në mesin e gushtit 2009. Në dokument përmenden edhe emra të ish komandantëve të UÇK-së, që kanë dëshmuar për këto veprimtari. Po ashtu, dokumenti përmban edhe listën me emrat e 10 serbëve, të cilëve supozohet se u janë marrë organet.

Në raport janë përfshirë dëshmitë e tetë shqiptarëve, shtatë nga të cilët kanë marrë pjesë aktive në krime, përderisa i teti ka qenë i burgosur bashkë me serbët, “për shkak të bashkëpunimit me autoritetet serbe”.
Katër nga dëshmitarët kanë qenë direkt të përfshirë në transportimin e së paku 90 serbëve në burgje në veri të Shqipërisë, kurse tre të tjerë janë marrë me bartjen e të burgosurve deri në vendin ku u janë hequr organet.
Dy ushtarë të UÇK’së kanë pranuar se i kanë varrosur “mbetjet” e serbëve, ndërkaq një tjetër shqiptar ka dëshmuar se organet i ka bartur deri në Aeroportin e Rinasit.
Hetimet kanë treguar se serbët e kidnapuar ishin dërguar në Shqipëri. Gjithçka është bërë me dijeninë dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të UÇK’së, mjekëve nga Kosova dhe nga jashtë, kurse aksioni është mbështetur nga policia e fshehtë shqiptare. Njëri nga dëshmitarët, madje, ka thënë se një ish komandant i UÇK’së në vitin 1999 kishte ndaluar, në disa vende, vrasjen e serbëve për hakmarrje, në mënyrë që të mbeten gjallë për t’ua hequr më pas organet.

Sipas raportit, asgjë që ka të bëjë me krimin e organizuar në jug të Kosovës nuk mund të kryhej pa kontrollin e “klanit të Pejës” dhe “klanit të Prizrenit”.
Rrëfimet e dëshmitarëve
Njëri nda dëshmitarët, i cili në raport përshkruhet si shqiptar nga jugperëndimi i Kosovës dhe kishte shërbyer si shofer gjatë luftës, ka treguar se shpesh ka shkuar në bazën e UÇK’së në Tropojë. “Në mesin e gushtit 1999 më thirrën njerëz të UÇK’së… Unë i njihja rrugët në Shqipëri, pasi që atje dërgoja prostituta”, ka rrëfyer ai.
Sipas tij, “porosia” e parë për t’u dërguar në Burrel ishin katër serbë. “Na u tha të mos bisedonim me ta, por gjatë rrugës pandërprerë na pyetnin se ku po i dërgonim. ‘Të prisni dru dhe të punoni në ara’, u thamë”.

Ky dëshmitar ka theksuar se në “shtëpinë e verdhë” ka qenë katër herë.
“Kur e kam dërguar grupin e parë në Burrel, kam menduar se po i çojnë për ndonjë analizë, për t’ua marrë mostrat e gjakut. Kisha dëgjuar më herët se nga të burgosurit marrin mostra gjaku… Vetëm pas turrës së tretë kam marrë vesh çka po ndodhte. Kur kam hyrë në një dhomë, në Burrel, për të pirë një gotë ujë, kam parë se aty gjithçka ishte e pastër dhe vinte erë medikamentesh… Atëherë më ka ardhur ndërmend se ajo ishte e vetmja shtëpi ku dërgoja njerëz, por nga e cila asnjëherë nuk merrja njerëz”.

Ky dëshmitar shqiptar ka thënë, po ashtu, se ishte befasuar kur në Prizren ishte urdhëruar të mos i torturojë të burgosurit serbë, pasi që më herët “gjithmonë i rrihnin dhe ua thyenin duar e këmbë”. Duke folur për njërin nga rastet, ai ka treguar edhe se në Kukës i pritnin dy meshkuj të zeshkët, për të cilët mendon se kanë qenë arabë dhe më pas shkonin në Burrel, ku gjendeshin të burgosurit serbë, meshkuj dhe femra.
“Të burgosurit ishin të vendosur në një depo, nuk e di saktë sa ishin… Të nesërmen i kemi dërguar në Fushë Krujë. Para se të niseshim, mjeku ia ka dhënë njërit nga ushtarët një torbë me letra. Në të gjitha rastet e transportimit na jepnin një torbë ose një fashikull me letra. Kur mbërritëm në mbrëmje, atje na priti doktor Qamili i cili, pasi i shikoi të burgosurit, i pyeti nëse i kishin rrahur”.
Një tjetër dëshmitar nga veriperëndimi i Kosovës ka rrëfyer se të burgosur dhe kufoma serbësh në Shqipëri ka transportuar tri herë.

Ai thotë se në qytetin e tij, në lindje të Pejës, e kishte takuar P. A., i cili i kishte thënë se R. Z. e kishte kërkuar për t’ia kryer një punë. P. A. e kishte porositur ta bëjë punën dhe ta harrojë pastaj, nëse dëshironte të mbetet gjallë.
Me një kamion frigorifer SAAB kishin shkuar afër fshatit Lutogllavë të Prizrenit. “Atje ishin 30 të burgosur, ndër të cilët edhe një femër, si dhe dhjetë ushtarë të UÇK’së. Shihej se kishin ecur gjatë në këmbë... Një ushtar i merrte në pyetje... Më pas e sollën një grup tjetër prej 15 serbësh, ndër të cilët e njoha Vlastimir Stevanovicin, i cili ishte kamerier në Shtëpinë e Armatës në Prizren. Ishte shëndetlig, rreth 30 vjeçar. Disa nga ta bartnin uniforma. Mua më tha se janë policë dhe ushtarë të zënë robër“, ka rrëfyer ai.

Sipas tij, në kufi me Shqipërinë nuk i ndalte askush. Pas tri ditësh, ai në Shqipëri e kishte bartur edhe disa kufoma serbësh nga Kosova. Dëshmitari ka thënë se aksionet organizoheshin nga grupi i udhëheqësit të UÇK’së, I. T.

Në dokument thuhet se ky dëshmitar është zhdukur në vitin 2003. Familja nuk e kishte njoftuar policinë për rastin nga frika e hakmarrjes.

Drejt Turqisë

Një dëshmitar tjetër, i cili thotë të ketë dërguar dy herë serbë në Burrel, herën e parë, në tetor të vitit 1999 ia ka dorëzuar B. V., po ashtu udhëheqës i UÇK’së. Kurse herën e dytë, në fund të majit ose fillim të qershorit 2000, atje i kishte çuar 20 femra nga vendet e lindjes. Pas heqjes së organeve, viktimat varroseshin në rrethinë.

Sipas dëshmive, organet ishin transportuar për Turqi nga Aeroporti i Rinasit, nëpërmjet linjave të rregullta. Zyrtarët e këtij aeroporti dhe atij të Stambollit merrnin mito për të kryer punën. Një nga dëshmitarët ka thënë se për organet e një personi, përfitimet mbërrinin deri në 45 mijë dollarë.

Njëri nga dëshmitarët ka përmendur si mbikëqyrës të kampeve për heqjen e organeve XH. E., nga fshati Piranë i Prizrenit, për të cilin ka thënë se ka pasur raporte të mira me komandantët R. H. dhe D. H.

Raporti i është dorëzuar Patrick Lopez-Terres, asokohe hetues kryesor në Tribunalin e Hagës.
Tribunali asnjëherë nuk ka nisur hetimet zyrtare në lidhje me gjetjet e raportit, i cili përmendet edhe në raportin e shefit të OKB’së, Ban Ki Moon, për të cilin Këshilli i Sigurimit diskutoi të mërkurën mbrëma.

“UNMIK’u qysh në vitin 2003 i ka dhënë informacione Tribunalit të Hagës për pohimet e përfshira në dokument, kurse në fund të vitit 2008 dhe në fillim të 2009-ës, dosjet ia ka bartur EULEX’it”, thuhet në raportin e Ban Ki Moonit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›