E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton uron Kosovën për pavarësi

Nga Express më 17 shkurt 2011 në ora 10:48

(E plotësuar) Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, i ka uruar Kosovës trevjetorin e pavarësisë, duke thënë se Uashingtoni është i përkushtuar për ardhmërinë e saj.

Shtetet e Bashkuara “janë të përkushtuara për të ardhmen e juaj dhe ne jemi të nderuar të jemi miqtë e juaj dhe partnerë”, thuhet në deklaratën e zonjës Clinton.

“Ju po e vijëzoni të ardhmen e re për vendin tuaj dhe për rajonin”, tha Hillary Clinton dhe shtoi se përvjetori është “rast i përshtatshëm për liderët e zgjedhur të Kosovës, ta forcojnë përsëri përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë, që janë esenciale për përmbushjen e integrimit euro-atlantik”.

Më tutje, zonja Clinton tha se ishte “e impresionuar me premtimet e një vendi aq të ri”, gjatë vizitës së saj në tetor të vitit të kaluar, kur ajo ishte pritur me brohoritje nga masa e njerëzve, që i valëvitnin flamujt amerikanë dhe mbanin parulla të falënderimit për Shtetet e Bashkuara.

Kosova shënon trevjetorin e Pavarësisë

Republika e Kosovës sot shënon trevjetorin Pavarësisë, e cila deri më tani është njohur nga 75 shtete të botës. Për nder të kësaj dite, mbrëmë presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ka organizuar një pritje, ndërsa qeveria në largim, nuk ka parapa të organizojë asnjë ceremoni festive.

Por për dallim nga qeveria, Komuna e Prishtinës është përkujdesur që kryeqytetit t’i jep pamje festive, duke vendosur flamuj kombëtar, shtetëror dhe të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do të organizojë edhe koncerte për fëmijë dhe të rritur dhe do të mbajë edhe një akademi solemne.

Kosova është shpall shtet i Pavarur më 17 shkurt 2008, në ora 15:49, ditë e diel, nga Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, solemne dhe historike.

Pas leximit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, nga kryeministri Hashim Thaçi, 109 deputetë të Kuvendit të Kosovës e miratuan atë njëzëshëm.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova u njoh menjëherë nga shtete më të fuqishme të botës. Deri më tani shteti i Kosovës është njohur nga 75 vende demokratike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›