E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Tregimi si embrion i letërsisë

25-05-2011 / Gazeta 55

Duhet energji dhe shpirt për ta shkruar. Kjo është receta që mjeshtrat e  mëdhenj japin për tregimin. Në fakt, kur në vitin 1986 Xhorxho Manganellit i bënë një pyetje të djallëzuar, të pandershme, dhe të dyshimtë nga ana intelektuale, pyetje e cila nuk mund të drejtohej, por që gjithsesi tingëllonte kështu: “Çfarë nuk është një tregim?”, ku ndoshta me të vërtetë e errët ishte ajo “nuk” e cila në vetvete e burgoste përgjigjen.  Gjithsesi shkrimtari nuk u tremb por u përgjigj me vrullin dhe rrëmbimin e një gjeniu të letërsisë.  Duke shtuar se edhe një numerator telefonik ka një lloj familjariteti me këtë zhanër narrative, vazhdoi, duke dhënë diçka të sigurtë dhe që përcaktonte diçka të brishtë: “tregimi nuk është një roman”. Natyrisht që Manganelli nuk u ndal këtu, duke sugjeruar edhe disa tregues të tjerë të çmuar: “Një roman mund të shkruhet duke mënjanuar vogëlimat, zvetënimin e ngutshëm, shënimet për një përçatje”. Sepse nëse  “romani është një sipërmarrje monoteiste”, tregimi nga ana e tij, për vetë natyrën e tij të thellë është gjithmonë “polimorf”. Dhe kjo, është arsyeja e magjepsjes së tij të pafundme nëpërmjet  epokave të ndryshme. Jo prej shkurtësisë, jo prej thjeshtësisë, por për shndrrimin e rrugës së tij. Thoshte Raymond Karver: “Adhuroj hapin e shpejtë që ndodhet në një tregim, emocionin që shpesh fillon që në frazën e parë të tij..”. Shpejtësia dhe emocioni janë themelorë: nëse një roman mund ta lexosh me qetësi, dhe durim në vështirësinë e parë, me një tregim nuk mund të bishtnosh, dhe autori e di këtë;  fillo ta lexosh dhe po su fute dot brenda tij do të gjendesh jashtë tij. Për këtë arsye disa tregime tashmë janë të paharrueshëm. “Duke u zgjuar një mëngjez prej ëndrrash të shqetësuara, Gregor Samsa gjeti  veten të shndrruar në një insekt të madh”.  Kush ka lexuar Metamorfozën e Franc Kafkës s’mund të harrojë kaq lehtë shpejtësinë që vihet re që në fillim. Kaq i mençur dhe kaq tendencioz që prej fjalëve të para kuptohet që do të ndodhemi mes realitetit absolut –insekti konkret në madhësinë e tij-dhenga ana tjetër  bota e mistershme dhe fantastike e “ëndrrave shqetësuese”. Por këto rreshta të famshëm mund të jenë më pak tronditës sesa një tjetër “short story” të një tjetri mjeshtri të tregimit: “Ishte ora e ngrënies së mëngjezit, dhe të gjithë ishin ulur nën dy krahët e blertë të tendës së drekave sikur mos të kishte ndodhur asgjë”.  Kjo “sikur mos të kishte ndodhur asgjë” me të cilën Ernest Hemingueji hap jetën e shkurtër të Makomberit është një sinjal i prapë alarmi që nuk e lejon lexuesin të kthehet pas. Ndërsa: “Me dëshpërimin e akullemë, dëshpërimin e mprehtë – të ngulur në fund të zemrës si një thikë e pabesë, Miss Meadous, me togë, me kapele, dhe shkop në dorë, ecte në koridorët e ftohtë që shpinin në sallën e muzikës”. Kjo, nga Leksioni i kantos së Katherine Mansfield, nuk është vetëm një e treguar e shpejtë, por është një mori informacionesh që na tërheq, si një erë e fortë dhe e papritur, në zemër të një historie: muzikë dhe dëshpërim, një shkop në dorë dhe një thikë të ngulur në zemër. Çfarë po i ndodh Miss Meadousit? Autorët e tregimeve duhet të kenë energji dhe shpirt. Nga çasti që historia duhet të shtrihet dhe të largohet prej fatit të kobshëm të shkurtësisë, shpejtësia është e nevojshme në çdo fazë të garës. Shpejtësi mendore, si një polimorfizëm i të shkruarit. Nëse Kafka tregon historinë fantastike të insektit të tij me një realizëm të hollësishëm aqsa njohim çdo mobilje dhe banor, tek Kapota e Gogolit nëpërmjet pak rreshtash të rrëmben realizmi lakuriq i narrativës së tij me ndërhyrjen e papritut të një fantazme. Karver thoshte se një tregim mund të “lexohet dhe të shkruhet për një hop”. Ndoshta është e vërtetë përsa i përket leximit por jo përsa i përket të shkruarit (vetë ai ka pohuar se i rishikonte shumë herë tregimet e tij). Sepse kush shkruan një tregim ka përgjegjësinë që mos të ulë kurrë tensionin dhe mos të lejojë kohë të vdekur, ndërsa një romancier mund  edhe të ketë ndonjë faqe të dobët sepse ky i fundit i beson aksionit në një kohë më të gjatë. Për këtë mund të themi se një tregim është i lehtë për tu lexuar dhe i vështirë për tu shkruar. Ndoshta për tensionin dhe dendurinë e tij tregimi ka një vlerë embrionale në tërësi të letërsisë.
Përgatiti Ilirian Dahri

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›