E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/Shqipëria fitoi liderin Lul Basha

25-05-2011 / Nga Çezar Agimi

Që në fillim do të nënvizoja faktin, besoj të pakundërshtueshëm në aspektin politik, se e djathta shqiptare, pas zgjedhjeve të 8 majit, në tërësinë e saj, ka fituar edhe një tjetër lider, por tani më të ri në moshë, karizmatik, të besueshëm e mbi të gjitha mjaft të kthjellët në transmetimin e vlerave njerëzore dhe politike në Shqipërinë e vitit 2011.
E tash besoj se për të dhënë një ide të tillë ka shumë argumente, të cilët të çojnë në një përfundim të tillë.
Le ta ndajmë arsyetimin tonë në disa aspekte duke filluar së pari nga: …aspekti familjar, ku më shumë se kurrë kemi të bëjmë me një njeri familjar model, të dedikuar, shumë të dashur, të zellshëm, të ndershëm në raportet familjare, të përkushtuar në menaxhimin e familjes edhe në këto kohë kur ngarkesa politike në raport me të, duket se është shumë herë më e lartë se ajo e bashkëmoshatarëve të tij.
Ky kampion i ri, siç tha Indrit Fortuzi/…kujtojmë se në 92-shin, z.Basha ka qenë vetëm 17 vjeç…, duhet pohuar se rritja e Tij politike mund të krahasohet vetëm me “17 nëndorin” e Tiranës së viteve 1965-1970 dhe Ajaksin e Holandës së viteve 70-74 të shekullit të kaluar, me ato skuadra kampionësh të mëdhenj, të cilat bënë epokë duke revolucionarizuar lojën e magjishme të futbollit. E kjo lojë magjike, është i vetmi sport që mund të krahasohet me politikën në mbledhjen e një numri kaq të madh njerëzish në ngjarje të këtij karakteri, siç ndodhi me fushatën elektorale të Lul Bashës në Tiranë. Së dyti le të shohim moshën e tij të re në raport me kohën e hyrjes në politikë, ku do të veçoja dy-tre tregues, të cilët kanë të bëjnë me: a- Fuqinë e madhe argumentuese të mendimeve të tij në raport me kolegët e tjerë paraardhës jo vetëm brenda Partisë Demokratike, por e krahasuar kjo edhe me kolegët e tij në partitë e tjera politike shqiptare  në shkallë kombëtare. b- Nuk ka dyshim se për të hyrë në politikën shqiptare të pas viteve 2000, forca argumentuese, aq më tepër e një politikani të ri në moshë, nuk do të ishte e mjaftueshme paqartësinë e mendimit dhe besueshmërisë që vjen natyrshëm nëpërmjet të  fuqisë imponuese të mendimit të tij politik… c- Po kështu do të thosha se fuqia argumentuese e Lul Bashës po bëhet imponuese edhe për shkak të elokuencës që vjen vetvetiu nga mosha e tij e re, nga edukata e tij familjare që vjen nga troje autoktone tiranase e kosovare, nga kultura e thellë perëndimore dhe të sjellurit jo vetëm “politikë”, e shprehur kjo edhe me mënyrën e qartë të artikulimit dhe gjuhën e thjeshtë të përdorur, elokuencë e cila në raport me kundërshtarin politik, kësaj radhe nuk ka të krahasuar.
    Kolegët evropianë/Së treti në këtë koment timin, duke mbajtur parasysh karrierën e shkurtër politike si qeveritar i rangut të lartë, si argument tjetër do të vlerësoja me notën maksimale aftësinë e tij për t’u sjellë si burrë shteti në pozita të barabarta dhe dinjitoze, në marrëdhënie me homologët e vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian, për një vend të vogël si Shqipëria, në dy prej posteve më të vështira edhe për shumë kolegë të tij që drejtojnë në qeveritë respektive, në postin e Ministrit të Jashtëm dhe në postin e Ministrit të brendshëm. Pra mënyra e përfaqësimit të z.Basha në elitën e politikës euro-atlantike ka qenë pa diskutim një nga armët e forta të Qeverisë Berisha në realizimin e objektivave madhore të saj në fushën e politikës së jashtme. Në këtë rast, duhet thënë se homologët e huaj të Lul Bashës, si ata perëndimorë, ashtu edhe ata lindorë, vijnë në postet e tyre politike, nga vende me tradita dhe histori të gjata qindravjeçare politike dhe parlamentare, ku numri i madh i standardeve dhe kërkesave ndaj politikanëve të karrierës e shoqëruar kjo me  konkurrencën e madhe midis tyre, rrit në mënyrë progresive edhe aftësitë e tyre menaxhuese politikë-bërëse në raport me politikën europiane e më gjerë. Së katërti do të thosha se të gjitha ç’ka thashë deri tani, vijnë si rezultat i sigurisë absolute që paraqet një funksionar i lartë, në rastin konkret, Lul Basha, në marrëdhëniet politiko - ekonomike me homologët e vendeve të ndryshme në mbarë botën. E kjo siguri e admirueshme, nuk mund të kishte qenë e suksesshme, në rast se Lul Basha nuk do të kishte qenë i aftë profesionalisht si ndaj detyrave për të cilat ka qenë i ngarkuar, ashtu edhe në aspektin e komunikimit bilateral e më gjerë.
Në këtë të fundit mendoj se klasi i lartë i njohjes dhe kultura personale në të folurit së gjuhës angleze duket se e ka rritur forcën pozitive imponuese dhe “koefiçentin e ndikimit” të tij ndaj të gjithë kolegëve të huaj me të cilat ai është ballafaquar si politikan e Ministër i Qeverisë Berisha në rrugën e vështirë e të gjatë drejt integrimit euro - atlantik të vendit tonë. Pa dashur të shtoj vlera “fiktive”, këtë fill mendimi do ta mbyllja me idenë tjetër që Lul Basha duket se njëherësh është edhe një njohës i shkëlqyer i gramatikës në gjuhën e folur zyrtare shqipe, i cili edhe në këtë fushë duket se është lehtësisht i dallueshëm nga shumë politikanë të tjerë me më shumë përvojë jetësore e politike se ai.
    Gjuha shqipe/…dhe njohja e thellë e saj, ndoshta më mirë se edhe e shumë prej njerëzve të cilët e mbajnë vehten si të letrave shqipe…, tregon dy anë me shumë vlera për karakterin e një njeriu, për më tepër të një politikani të klasit të parë si Lul Basha, të cilat për mendimin tim janë atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë ndaj detyrës që ai ka marrë përsipër për realizimin e saj në çfarëdo rrethanash qoftë... Personalisht mendoj se në këtë aspekt, Lul Basha duhet marrë si pikë referimi me vlera shëmbëllyese për një pjesë të konsiderueshmë të politikanëve, të cilët megalomania nuk i lejon të nxjerrin, ose më mirë me thënë i mbulon dobësitë e komunikimit masiv me publikun e gjerë.
    Town Hall Meeting/…Ishte vendi ku Lulzim Basha shkëlqeu më shumë se kudo në fushatën e tij model, e cila jo vetëm solli risi në jetën politike shqiptare, por në të vërtetë, vendosi një standard të lartë komunikimi me publikun dhe elektoratin, i cili për hir të së vërtetës duhet thënë se është një standard amerikan; me realizimin e të cilit Lul Basha tregoi vlera të padiskutueshme të një prej politikanëve më modernë që ka sot Shqipëria. …E ndërkaq po t’i lidhim dy prej sukseseve të fundit madhore të Qeverisë Shqiptare siç janë ato të Pranimit në NATO dhe Heqjes së vizave me Bashkimin Europian, me këtë standard të realizuar nga Lulzim Basha në fushatën elektorale të 8 Majit, do ta kemi mjaft të lehtë të kuptojmë se cilat janë vlerat reale të një politikani demokrat si Luli.
    Dukuria e shifrave/Edhe në  aspektin numerik, duket se z. Basha solli një dukuri të re e të paparë në politikën shqiptare të pas viteve 2000. Dukuria e parë që të bie në sy në këtë rast, është se futja e Lul Bashës, në garën politike për bashkinë e Tiranës solli në kutitë e votimit së bashku me z.Rama të paktën rreth 50 mijë votues më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2007 , duke e çuar numrin e tyre në mbi 250 mijë të tillë, ose në më shumë se 25 %. Kjo do të thotë se politika shqiptare prodhoi më shumë politikë se ndoshta edhe me 2 vjet më parë …, kjo do të thotë se politika shqiptare, veçanërisht në Tiranë, zgjoi më shumë interes tek votuesit e të dyja krahëve politike se në fushatat e  mëparshme për të shkuar drejt kutive të qendrave të votimit , duke prodhuar kësisoj një “luftë” politike numerikisht më të madhe se ato të zhvilluara më parë. Po ashtu do të mendoja se fushata alla amerikane e z.Basha, e shoqëruar me rezultatet pozitive të Qeverisë “Berisha”, qe njëherësh shtysë për të besuar për mirë edhe për elektoratin e djathtë të lëkundur e diku-diku edhe qejfmbetur
Edhe media përfitoi/Gjithashtu do të thosha se fushata elektorale model që zhvilloi z. Basha në Tiranë pati një ndikim absolut edhe në media, duke e revolucionarizuar më tej atë, duke e bërë më të thjeshtë atë, duke e bërë atë që të mendojë më shumë për punën e saj në raport me publikun e gjerë, duke e bërë atë që të merret më shumë se deri më sot edhe me një pjesë të nderuar të intelektualëve të shquar të Tiranës, duke pasqyruar më mirë se asnjëherë më parë zërin dhe mendimin e tyre të lirë, për të cilin ka më shumë nevojë jo vetëm publiku i gjerë, por në radhë të parë vetë politika në tërësi, ku prej shumë vitesh numri i tyre është mjaft i kursyer ...duket jo për faj të tyre.
    Intelektualët e Tiranës/Nuk e besoj se mbështetja e forumit të intelektualëve të shquar të Tiranës, kësaj here do të kishte munguar ndaj Partisë Demokratike, por do të theksoja se përfaqësimi i saj me një intelektual të kalibrit të lartë të po atij forumi të nderuar, si z.Lulzim Basha, nuk ka dyshim se rriti në mënyrë të padiskutueshme përgjegjësinë ndaj votës se 8 majit edhe për mjaft intelektualë jo rrallë “indiferentë” ndaj proceseve demokratike në vendin tonë. Ndryshe nuk ka se si të jetë e mundur gjithë ai numur i madh votuesish i pa arritur më parë në votimet për pushtetin lokal në Tiranë.
Edhe Tirana autoktone fitoi/nuk ka diskutim se ata që u ndjenë më të begenisur e më të vlerësuar nga fushata shembullore elektorale e Lul Bashës, kanë qenë “tironsit autoktonë”, të cilët në premtimet e tij duket se gjetën më shumë se kurrë të gjitha shqetësimet dhe hallet e tyre, duke filluar që nga prona e deri në moralin e tyre, moral i cili më shumë se kudo në Shqipëri ka patur nevojë për fjalën e Lul Bashës, për premtimet e tij, si një djalë i lindur e rritur në rrugicat e Tiranës  në rrugicat të cilat lindën, rritën dhe mbështetën Partinë Demokratike në vitet ‘90. Tiransit “e vjetër” rifituan besimin e humbur tek Luli, tek z.Basha. Prandaj e djathta dhe gjithë Shqipëria mendoj se fitoi një lider të ri, jo vetëm në moshë, në krah z.Sali Berisha. Tash duket se do të kemi edhe një lider tjetër të standardeve euro-atlantike, ndoshta ende jo me përmasat e Liderit historik Berisha, por që duket qartë se shumë shpejt do të jetë i tillë në këto kohë të vrullshme për vendin tonë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›