Zannier: Të shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri, do çojmë mision të gjerë
Klima konfliktuale politike në Shqipëri ka shqetësuar OSBE-në e cila thekson se do të dërgojë një mision të gjerë vëzhguesish në Shqipëri për zgjedhjet e 23 qershorit.
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zanier ka theksuar se pritet që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje konkuruese dhe sipas standarteve.
“Po vëzhgojmë me shqetësim sinjalet të një konflikti politik në rritje dhe ne jemi në pritje të një procesi tejet konkurrues elektoral në këtë klimë kaq të vështirë ,” tha Zanier.
Sipas tij, ekziston shqetësimi se zhvillimet në Shqipëri mund të minojnë stabilitetin e gjithë rajonit.
“Ne shpresojmë se nacionalizmi i tepruar të mos krijojë elemente të destabilitetit në rajon. OSBE ka investuar shumë në Shqipëri”, tha ai.
Ndërsa i është referuar takimit me kryesocialistin Edi Rama javën e kaluar, Zannier është shprehur se shpreson se zgjedhjet e ardhshme do të kontribuojnë për ndërveprimin konstruktiv mes forcave politike shqiptare dhe forcimin e demokracisë në vend.
“Do të doja të theksoja se pres që të gjitha palët të kontribuojnë për të sjellë shkallën më të lartë të legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor” tha ai.