E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina takim historik me Tajvanin, pas 60 vitesh shmangieje

Zëvendëspresidenti i Tajvanit është takuar me Presidentin e Kinës, Hu Jintrao. Ky takim, edhe pse i shkurtër, konsiderohet si historik për të dyja vendet, mes të cilave prej dhjetëvjeçarësh marrëdhëniet kanë qenë shumë të tensionuara, madje disa herë edhe në prag të shpërthimit të konflikteve që mund të ishin me pasoja për të gjithë rajonin. Kryesisht biseda është zhvilluar për çështje ekonomike dhe për dëshirën e gatishmërinë e vendeve për t‘i thelluar lidhjet mes tyre. Kina, që me përfundimin e luftës civile, ka pretenduar vazhdimisht që Tajvani është territor i saj dhe është shprehur gjithmonë se po të jetë nevoja do të përdorë edhe forcën për të mos ta lënë Tajvanin që të marrë rrugën e mëvetësisë. Prej dhjetëvjeçarësh divergjencat politike kanë qenë të tilla sa që nuk i kanë lënë liderët e lartë të të dy vendeve që të ulen e të bisedojnë së bashku. Sipas analistëve, kjo vizitë, e para e këtij niveli në këto 60 vitet e fundit, shënon një fazë të re në marrëdhëniet Tajvan-Kinë. Gjatë takimit, të dy liderët kanë rënë dakord për thellimin e lidhjeve ekonomike që për hir të së vërtetës kanë qenë shumë të mira edhe në periudhat më të errëta e më të vështira të marrëdhënieve. Që nga viti 1990, të dyja palët nuk kanë zhvilluar asnjë takim zyrtar. Ndërkohë që gjatë takimit të djeshëm u shmangën plotësisht çështjet politike, për të mos krijuar probleme. Zëvendëspresidenti tajvanez merrte pjesë në takimin e përvitshëm të nivelit të lartë të liderëve të rajonit, në të cilin marrin pjesë edhe shumë biznesmenë të fuqishëm të vendeve. Takimi u cilësua nga zëdhënësit e të dyja palëve si "i qetë dhe i harmonishëm". Shmangia e deklaratave apo edhe diskutimeve me temë politike ka qenë pjesë e takimit, por sipas analistëve, pas këtij takimi të bazuar vetëm në çështjet ekonomike, do të vijnë shumë shpejt edhe deklaratat politike të cilat do ta çtensionojnë shumë situatën mes të dyja vendeve. Kohë më parë gjatë qeverisjes së presidentit të kaluar Tajvani ka mbajtur një qëndrim shumë të ashpër ndaj Kinës duke nënkuptuar shumë herë përmes deklaratave, por edhe disa veprimeve konkrete se vendi synonte shkëputjen e tij të plotë nga Pekini. Por deklaratat e ish Presidentit kanë marrë menjëherë përgjigjiet e ashpra të Pekinit i cili ka kërcënuar edhe me shpalljen e luftës në rast se ishulli rrebel do të ndërmerrte ndonjë hap real për të vënë në jetë synimet e tij. Por me votën që i dhanë presidentit të ri, i cili është për një marrëdhënie të mirë me Kinën, tajvanezët treguan se ata nuk duan asnjë lloj konflikti dhe se për ta me ose pa Kinën është e rëndësishme që statukuoja e mirëqenies ekonomike të mos ndryshojë.

Me votën që i dhanë presidentit të ri, i cili është për një marrëdhënie të mirë me Kinën, tajvanezët treguan se ata nuk duan asnjë lloj konflikti dhe se për ta me ose pa Kinën është e rëndësishme që statukuoja e mirëqenies ekonomike të mos ndryshojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›