E Martë, 3 Nëntor 2026

Zbardhet Drafti i Asociacionit, publikohen detaje të reja për funksionimin e komunave me shumicë serbe

Draft statusi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë është bërë publik nga disa media në Kosovë. Sipas draft statusit thuhet se Asociacioni nuk do t’i cenojë apo anashkalojë autoritetet kushtetuese dhe ligjore dhe kompetencat e tyre, si dhe nuk do t’i cenojë në asnjë mënyrë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, gjatë përmbushjes së qëllimeve të tij, ndërsa do të jetë palë në procedurat para gjykatave, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.  

Në bazë të draft-statutit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, përveç simboleve të tij, do të ketë edhe kuvendin, kryetarin dhe nënkryetarin, mekanizmin këshillëdhënës, administratën dhe zyrën për ankesa. Organi kryesor i Asociacionit duhet të jetë kuvendi, i cili miraton propozime për ndryshime ose amendamente të statutit, miraton rregullore, vendime ose deklarata.

Selia e Asociacionit duhet të jetë në Mitrovicën e Veriut. Sa i përket financimit, parashikohet që Asociacioni ta ketë buxhetin e tij, të cilin do ta menaxhojë “me përgjegjësi dhe në mënyrë transparente”. Specifikohet, po ashtu, se Asociacioni duhet të ketë një llogari në një bankë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Përveçse thuhet se Asociacioni nuk do të jetë ndonjë nivel i tretë i qeverisjes, theksi vihet edhe te çështja e menaxhimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë.

Draft-statuti parashikon që këto institucione të bëhen private, nën ombrellën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe që Serbia të japë “kontribut financiar”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se draft-statuti për formimin e Asociacionit është “i pranueshëm”, sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe dokumenti është pranuar edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel.

/RTSH/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›