E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet kërkesa e PS-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese

Zbardhet kërkesa e Partisë Socialiste drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen me greqinë për kufirin detar. Ja kërkesa e plotë drejtuar Gjykatës Kushtetuese:

K Ë R K E S Ë

Drejtuar : Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë

Kërkues :Partia Socialiste e Shqipërisë, përfaqësuar nga kryetari i saj Z.Edi Rama;

Partia Social Demokrate, përfaqësuar nga kryetari Z.Skënder Gjinushi;

Partia Demokracia Sociale, përfaqësuar nga kryetari Z.Paskal Milo;

Partia Demokristiane, Përfaqësuar nga kryetari Z.Nard Ndoka;

Partia Ligj dhe Drejtësi, Përfaqësuar nga kryetari Z.Spartak Ngjela;

Partia G99, Përfaqësuar nga kryetari Z.Erion Veliaj;

OBJEKTI : Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".

BAZA LIGJORE : Neni 131, gërma b dhe neni 134, pika 1, gërma f të Kushtetutës; neni 52 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë".

I nderuar Kryetar,

Të nderuar Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin "Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", miratuar me Vendim Nr.653, Datë 11.06.2009. Marrëveshja është duke u diskutuar në kuvend dhe pritet që në një të ardhme shumë të afërt të kalojë në seancë plenare për ratifikim.
Natyra, ajo çfarë rregullon kjo marrëveshje si dhe mënyra e hartimit dhe nxitimi i pa precedent i ekzekutivit për ta sjellë atë në Kuvend kanë ngritur shqetësime dhe debate të qenësishme në media dhe opinionin publik shqiptar. Janë hedhur hije të forta dyshimi përmes argumentimeve me karakter shkencor se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare nga Kuvendi i Shqipërisë do të ketë pasoja negative të pakthyeshme lidhur me hapësirën detare dhe interesa të tjera afatgjata politike dhe ekonomike të Republikës së Shqipërisë.
Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën (para ratifikimit të tyre) parashikohet në nenin 131, germa b e Kushtetutës. Ky është një kontroll paraprak që ushtron Gjykata Kushtetuese mbi marrëveshjet ndërkombëtare në mënyrë për të parandaluar që burime të tillë të së drejtës, të cilët janë gjithashtu edhe burime detyrimesh për Shtetin Shqiptar, të bëhen pjesë e legjislacionit të saj të brendshëm duke qenë në kundërshtim me aktin normativ më të lartë të vendit, me Kushtetutën.
Kushtetuta, në Parimet Themelore të saj, ka sanksionuar se "Shqipëria është republikë parlamentare" (neni 1, paragrafi 1). Koncepti i republikës (lat. res publika - e mira e përgjithshme) apo e thënë ndryshe: forma republikane e organizimit të shtetit, ngre mbi të gjitha institucionet shtetërore dhe shoqërore detyrime të panegociueshme, për të gjetur dhe marrë vendimet më të mira të mundshme për qytetarët e republikës. Ideologjia dhe tradita republikane e ve theksin te liria dhe të drejtat si vlera themelore të popullit sovran. Në një shtet të organizuar si republikë kushtetuese - sikundër shteti shqiptar, shteti i së drejtës është një parim kushtetues i cili dikton mënyrën e sjelljes dhe të veprimit të pushtetit, rëndësinë e patriotizmit dhe të virtyteve të tjera qytetare, si dhe pjesëmarrjen në jetën politike. Neni 3 i Kushtetutës ka përcaktuar qartë, ndër të tjera, se "pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij... janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë ti respektojë dhe ti mbrojë".
Përsa i përket kuptimit të vetë shtetit, kujtojmë për të gjithë se me "shtet" nuk kuptohet vetëm aparati shtetëror (tërësia e organeve individuale e kolegjiale me raporte hierarkike, si një tërësi e individëve nëpunës që punojnë në këto organe) por e gjithë shoqëria e përfshirë në një organizim shoqëror ku bën pjesë aparati shtetëror, territori dhe popullsia nën pushtetin shtetëror të një vendi të caktuar.
Në këtë kontekst vjen natyrshëm edhe përkufizimi i rolit dhe funksionit të partisë politike në demokracitë moderne. Partitë politike janë forma themelore e institucionalizimit të procesit të ndikimit të vetëdijshëm të shoqërisë mbi shtetin dhe politikën shtetërore. Ato sigurojnë lidhjen ndërmjet organeve të pushtetit publik dhe shoqërisë nëpërmjet kanaleve të ndikimit reciprok, të cilat nuk janë përfshirë në makinerinë shtetërore. Partitë politike formësojnë mendimet, qëndrimet dhe kërkesat politike - pra vullnetin e popullit, edukojnë qytetarët politikisht, organizojnë proceset demokratike të pjesëmarrjes së shtetasve në ushtrimin e punëve publike dhe në ushtrimin e ndikimit në organet drejtuese të shtetit, programojnë politikën shtetërore, ruajnë dhe forcojnë regjimin shtetëror ekzistues, etj. Në shoqërinë moderne, veprojnë një numër shumë i madh organizatash. Është karakteristike se shteti qëndron mbi të gjitha këto organizata. Me fjalë të tjera shteti paraqitet si një organizatë mbi të gjitha organizatat. Në kushte të tilla, kur shteti është i gjithëfuqishëm, vetëm partitë politike paraqiten si organizata të cilat mund të provojnë fuqinë e tyre me shtetin.

Një pikëpamje të tillë ka adoptuar edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në një numër çështjesh të ngjashme. GjEDNJ ka pranuar "rolin themelor që luajnë partitë politike në një sistem demokratik në zbatim edhe të të drejtave të njohura nga Neni 11 i Konventës dhe Neni 10. "Partitë politike janë një formë organizimi thelbësore për funksionimin e demokracisë. Është në natyrën dhe rolin që ato luajnë në demokraci, si të vetmet organizata që mund të konkurrojnë për të ardhur në pushtet, arsyeja përse partitë politike kanë edhe mundësinë dhe kapacitetin për të ndikuar në të gjithë regjimin e shteteve të tyre. Me propozimin e një modeli shoqëror të cilin partitë politike e prezantojnë në elektorat dhe me kapacitetin e tyre për të implementuar këto propozime pasi fitojnë të drejtën për të ardhur në pushtet, partitë politike dallojnë nga organizatat e tjera të njohura nga ligji që veprojnë në politikë e në shoqëri." (Vendim i GjEDNJ Dt. 30.01.1998).

Ndër të tjera, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon në Nenin 2, pika 2, mënyrën kryesore të ushtrimit të sovranitetit popullor nëpërmjet delegimit të pushtetit përfaqësuesve të tij, ose drejtpërdrejti. Si të tilla, partitë politike kërkuese janë jo vetëm mbartëse të interesave të drejtpërdrejta të sovranitetit popullor që ushtrohet nëpërmjet të zgjedhurve në organet e pushtetit, por edhe instrumente të njohura nga Kushtetuta dhe ligji si organizata që marrin pjesë aktivisht në formimin e vullnetit të popullit në të gjitha fushat e jetës.
Pjesëmarrja në zgjedhje dhe përfaqësimi i popullit në organet e zgjedhura të pushtetit është instrumenti kryesor që parashikon Kushtetuta dhe ligji për ndikimin në jetën e vendit, por kjo përbën vetëm një prej mënyrave të ligjshme nëpërmjet të cilës partitë politike mund të përfaqësojnë vullnetin e popullit, por kurrsesi instrumentin e vetëm nëpërmjet të cilit mund të ushtrohet përfaqësimi.

Përfaqësimi në organet e zgjedhura të pushtetit nuk është një kusht shterues për përfaqësimin e vullnetit të popullit dhe interesave të ligjshme të shtetasve që vullnetarisht bashkohen në partitë politike. Partitë politike që marrin pjesë nëpërmjet konkurrimit në zgjedhjet e organeve të pushtetit, edhe pse pa fituar mjaftueshmërisht të drejtën për t'u përfaqësuar në këto organe, janë dhe mbeten formacione shoqërore përfaqësuese të interesit e sovranitetit popullor, e si të tilla, plotësisht të legjitimuara për të shfrytëzuar instrumentet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji për të garantuar parimet themelore të shtetit, të tilla siç janë pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë themelore, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar, etj.
Në rast se do pranohej e kundërta, pra përfaqësimi në organet e zgjedhura të pushtetit si mënyrë e vetme dhe shteruese e ushtrimit të sovranitetit popullor që mbështetet në përfaqësimin politik të partive politike, atëherë njëkohësisht kemi mohuar edhe vetë arsyen e ekzistencës dhe qëllimit të atyre partive politike që për një arsye apo një tjetër, nuk arrijnë dot të fitojnë të drejtën për t'u përfaqësuar në organet e zgjedhura të pushtetit. Ky pohim do të binte në kundërshtim me vetë qëllimin e krijimit dhe funksionimit të partive politike të parashikuar në Kushtetutë dhe legjislacionin shqiptar.

Kushtetuta në nenin 134 të saj ka përfshirë një kategori shumë të zgjeruar të subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, për të gjitha çështjet e juridiksionit kushtetues, që parashikohen në nenin 131. Në këtë drejtim nuk është bërë ndonjë dallim ndërmjet subjekteve, duke filluar nga organet e qeverisjes vendore, të bashkësive fetare e deri te organizatat e tjera, ku përfshihen edhe ato që nuk kanë karakter politik, të cilët mund të kërkojnë në Gjykatën Kushtetuese deri edhe shqyrtimin e pajtueshmërisë së marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën, para ratifikimit.
Vetë Gjykata, në jurisprudencën e saj (Vendimi 17/2008) është shprehur se:
"Përsa i përket legjitimimit të subjekteve, të cilëve u kërkohet interesi i tyre me çështjen, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë synon identifikimin e të drejtës së shkelur të subjektit si rrjedhojë e antikushtetutshmërisë në përmbajtje të normës juridike. Pra interesi konsiston tek e drejta e shkelur, tek dëmi real apo potencial dhe jo tek premisat teorike mbi antikushtetutshmërinë e normës që ka sjellë këtë cenim të interesit. Pra, Gjykata thekson se, vetëm nëse e përmbushin kushtin e kërkuar nga paragrafi 2, i nenit 134 të Kushtetutës, për të argumentuar "interesin e tyre" në një "çështje të veçantë", edhe subjektet e listuara në pikat "dh", "e", "ë" dhe "f" të nenit 134/1 mund t'i drejtohen Gjykatës në lidhje me prerogativën e saj për të vendosur mbi "pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare" (neni 131/c i Kushtetutës)."
Po ashtu, në Vendimin 1/2005, Gjykata ka qenë më specifike kur deklaronte se:
"Në gjykime të kontrollit të kushtetutshmërisë së normës, subjektet iniciuese që parashikohen në nenin 134, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kanë detyrimin për të provuar lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet funksionit e veprimtarisë ligjore që ato kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur. Partitë politike janë të specifikuara në nenin 134, pika 1, shkronja "f" të Kushtetutës, si një ndër subjektet që ushtrojnë në mënyrë të kushtëzuar të drejtën për t'iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ato kanë legjitimitet kushtetues vetëm për ato çështje që lidhen me interesat e tyre."

Në kuptim të gjithë sa më sipër, partitë politike nënshkruese të kësaj kërkese i drejtohen Gjykatës Kushtetuese që kjo e fundit të ushtrojë kompetencën e saj për të vendosur mbi Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".
Sjellim në vëmendje se kjo kompetencë e parashikuar nga neni 131, germa b, e Kushtetutës dallon specifikisht dhe cilësisht nga kompetenca e parashikuar nga gërma a e të njëjtit nen, në lidhje me të cilin janë bërë edhe detajimet e cituara më lart nga jurisprudenca kushtetuese. Në dallim të qartë nga sfidimi i produktit të vendimmarrjes së mazhorancës së përfaqësuesve të popullit në Kuvend, pra kërkimit të shpalljes së një ligji si antikushtetues, germa b e nenit 131 të Kushtetutës e drejton vëmendjen e kontrollit kushtetues tek një akt që i vjen trupit të legjislacionit vendas nga jashtë. De facto dhe de jure, një marrëveshje ndërkombëtare nuk është produkt i vullnetit të brendshëm spontan të deputetëve, vullnet i shpallur dhe i bërë publik gjatë fushatës elektorale e për zbatimin e të cilit ata janë mandatuar nga populli sovran.

Duke pasur parasysh këtë specifikë të nenit 131, germa b dhe të rolit dhe funksionit të partisë politike, kemi bindjen se, si përçues të vullnetit të mbi 60% të qytetarëve shqiptarë që në testimin e fundit zgjedhor e hodhën votën e tyre për siglat tona, partitë politike nënshkruese të kësaj kërkese legjitimohen ti drejtohen me këtë kërkesë Gjykatës Kushtetuese. Legjitimimi ynë respekton edhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese - vendimet 24/1996/, 13/1997, 25/2003/, 1/2005, 20/2006, etj. në të cilët Gjykata ka legjitimuar persona juridikë privatë, sikundër është edhe partia politike, ti drejtohen asaj në lidhje me interesa të tyre, të shpalosura në statutin/programin e themelimit të personave juridikë në fjalë. Duke iu referuar dokumenteve bazë mbi të cilët funksionon vetëm njëra prej partive politike nënshkruese të kësaj kërkese,
sipas Statutit të Partisë Socialiste (PSSH):
"PSSH vepron në respekt të Kushtetutës, të ligjeve të shtetit të së drejtës dhe të formës parlamentare të qeverisjes për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, rendit dhe drejtësisë.
PSSH ndjek objektiva politikë në përputhje me Programin dhe Statutin e saj përmes të cilave synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave e të interesave kombëtare."
ndërsa sipas Programit të PSSH:
"Politika e jashtme e PSSH ka në qendër mbrojtjen e interesave kombëtare, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit dhe të paqes e të lirisë për të gjithë popujt. (Pika 5)
...
Çështja shqiptare, interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që jetojnë përbëjnë një përparësi kryesore për Partinë Socialiste. (Pika 5.1)
...
Qëllimi kryesor i socialistëve në këtë fushë është sigurimi dhe mbrojtja e vendit, e interesave kombëtare, e shoqërisë dhe e parimeve të jetës sonë. (Pika 5.3)"

Si struktura sine qua non të shtetit demokratik modern, partitë politike e kanë pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit një interes jetik, jo vetëm si të tilla në vetvete, por para së gjithash si elementë që përbëjnë "bazën e këtij shteti" - sikundër i përkufizon Kushtetuta (neni 3). Baza e shtetit është nga ato interesa, ndryshimi i të cilës ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin e një partie politike.

Është i dukshëm dallimi ndërmjet sfidimit të një norme të brendshme, vullnet i deputetëve të Kuvendit, për të cilën Gjykatës Kushtetuese i kërkohet "shpallja si në kundërshtim me Kushtetutën" me kërkesën "për kontroll paraprak të kushtetutshmërisë së një marrëveshjeje ndërkombëtare". Në rastin e parë, Gjykata bëhet kompetente vetëm pasi ligji është bërë i tillë në respekt të procedurave të parashikuara nga Kushtetuta, ai ka sjell pasoja reale dhe, sipas rastit ka shkaktuar edhe dëme. Në dallim nga ligji, marrëveshja ndërkombëtare (e paratifikuar ende) ka specifikat e saj të cilat automatikisht duhet marrë në konsideratë edhe kur shqyrtohet interesi i kërkuesit (legjitimiteti) për të nxitur Gjykatën Kushtetuese në respekt të parashikimit të nenit 131, germa b të Kushtetutës.
Sepse këtu nuk bëhet fjalë posaçërisht për kilometra detarë të humbur, këtu janë në diskutim bazat e shtetit, dhe askush nuk mund të thotë se parti politike që kanë praktikisht 60% të elektoratit shqiptar në mbështetje të tyre nuk cënohen nga ndryshimi i këtyre bazave. Të gjitha partitë politike, që kanë marrë pozicionin e Kërkuesit në këtë çështje, janë ndër forcat kryesore politike të vendit, të cilat realizojnë detyra mjaft thelbësore në sistemin politik. Për rrjedhojë, interesi i tyre për të iniciuar kontrollin e kushtetueshmërisë të një marrëveshje ndërkombëtare që, në rastin në shqyrtim, vë në dyshim një prej elementëve themeltarë të bazës të shtetit - tërësinë territoriale të tij, është i ligjshëm, i sigurt, i drejtpërdrejtë, vetjak dhe aktual.

Përtej çdo dyshimi, dhurimi/shitja/ndryshimi i territoreve shtetërore, cenimi i drejtësisë shoqërore, i rendit kushtetues, pluralizmit apo bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërmjet shtetasve me përkatësi të ndryshme fetare apo etnike ndikon automatikisht në ideologjinë, qëllimin, forcën dhe formën e organizimit dhe të aksionit të një partie politike.

Nëse është ky rasti apo jo, kjo pastaj nuk është më çështje e legjitimimit, por e thelbit të kërkesës.

Shkaqet që na shtyjnë në verifikimin paraprak nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kësaj marrëveshje kanë të bëjnë me mangësitë e dukshme në ushtrimin e kujdesit të duhur në mbrojtjen e interesave më të qenësishme të shtetit shqiptar, siç është kufiri i shtetit, nga ana e Këshillit të Ministrave, pushteti i vetëm që autorizon kushtetuta të negociojë, hartojë apo adoptojë marrëveshja ndërkombëtare. Këto mangësi përveç elementëve të keq-qeverisjes, mund të prekin edhe dispozitat kushtetuese, siç është neni 3 i kushtetutës, dhe ku një nga detyrat themelore të shtetit është mbrojtja e tërësisë territoriale.

Më poshtë po parashtrojmë disa nga mangësitë e dukshme që mund të çojnë në cenimin e kushtetutës së Shqipërisë për sa i përket integritetit të territorit të vendit të tilla si :

1. Mungesa e plotë e transparencës që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshje nga Këshilli i Ministrave;

2. Moskonsiderimi i fakteve historike lidhur me kufirin shqiptaro-grek. Ky kufi është vendosur dhe është njohur si i tillë nga Fuqitë e Mëdha me vendimin e Konferencës së Ambasadoreve të Londrës, të 10 gushtit 1913, me Protokollin e Firences të dhjetorit 1913, është rikonfirmuar me Protokollet e Firences të viteve 1925 dhe 1926, nuk është venë në diskutim në asnjë nga takimet dhe aktet bilaterale të nënshkruara me Greqinë si për kufijtë pas viteve 1985 etj., (përkatësisht për rindërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe shenjave te tjera kufitare, si dhe për evitimin dhe shqyrtimin e incidenteve kufitare për te cilat ekzistojnë një numër i shumte marrëveshje e protokolle bilateral te miratuara ne vite te cilat disponohen nga shteti shqiptar).

3. Mungesa e hartës shoqëruese që përcakton qartë dhe dukshëm vijat e përcaktimit të kufirit dhe të ndarjes së hapësirës detare (delimitimit) ndërmjet palëve nënshkruese;

4. Mungesa e ushtrimit të kujdesit të domosdoshëm nga ana e autoriteteve shqiptare në përcaktimin e koordinatave të delimitimit të hapësirës detare, duke mos shfrytëzuar siç duhet parashikimet në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Të Drejtën e Detit (UNCLOS);

5. Neglizhenca e qeverisë ndaj reagimit të opinionit publik, ekspertëve të fushave të ndryshme të cilët pretendojnë për mungesë konsultimi publik, si dhe refuzimin për të shfrytëzuar ekspertizën më të mirë të vendit në përcaktimin e kushteve të kësaj marrëveshje me interesa madhore, si dhe ngutja për negocim të kësaj marrëveshje, kur çështje të tilla marrin shumë vite kohë negocime mes palësh ;

Përmes medias, veprimtarive e debateve publike ne gjithashtu jemi njohur me vlerësime të shumta të prezantuara publikisht nga ekspertiza alternative e specialistëve të pavarur. Prej tyre janë paraqitur në publik fakte të bollshme të cilat forcojnë dyshimet e arsyeshme mbi bazueshmërinë ligjore të kësaj marrëveshje dhe përputhshmërinë e saj me Kushtetutën. Disa nga këto fakte të sjella publikisht prej tyre janë si më poshtë :

• Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë vjen në kundërshtim dhe në shkelje të hapur me kufirin detar ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë siç është përcaktuar nga të gjitha hartat e kohës që nga viti 1925 deri në ditët e sotme. Shqipëria dhe Greqia e kanë përcaktuar në mënyrë konvencionale kufirin detar ndërmjet tyre, duke ushtruar të drejta të plota të sovranitetit shtetëror në hapësirën detare që merr parasysh kjo marrëveshje. Kjo marrëveshje nuk mban parasysh shfrytëzimin historik, të vazhdueshëm dhe të pakontestuar nga asnjë prej shteteve palë në këtë marrëveshje, duke përcaktuar një vijë kufitare tjetër nga ajo që historikisht ka ekzistuar në hapësirën detare ndërmjet dy shteteve.
• Konventa e të Drejtës së Detit (Konventa e Montego Bay, UNCLOS 1982, ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me Ligjin Nr. 9055, Dt. 24.04.2003, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 40, Dt. 27.05.2003), nuk ka gjetur zbatimin e duhur, madje është zbatuar në dëm të interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të vendit tonë. Neni 1 i Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë duke përdorur termin "ishull" për "arkipelag" e duke mos e konsideruar këtë të dytin sipas parashikimeve të sakta të marrëveshjes UNCLOS, ka sjellë përdorimin e veçantë të secilit ishull të bashkësisë ishullore të Korfuzit si pika ku ndodhen vijat bazore, gjë që ka shkaktuar një dëm thelbësor interesave kombëtare të Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të saj.
• Marrëveshja ka konsideruar tërësinë ishullore të Arkipelagut të Korfuzit dhe secilin prej ishujve si pika skajore për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve detarë dhe Shtratdetit (Shelfit Kontinental). Në kushtet e zbatimit të drejtë të UNCLOS, rasti i Shqipërisë dhe Greqisë duhet konsideruar si rast i veçantë. Kjo sepse Shqipëria ndodhet kundruall Arkipelagut të Korfuzit i cili ka 13 ishuj, shkëmbinj dhe cekina, të cilat po sipas UNCLOS, nuk plotësojnë kushtin e raportit të ujit përfshirë brenda vijave bashkuese me tokën, e për rrjedhojë përjashtohet përdorimi i vijëdrejtave që bashkojnë këta ishuj duke marrë për bazë ishullin mëmë të Korfuzit. Ky fakt i ka shkaktuar dëm interesave kombëtare dhe tërësisë territoriale të vendit, veçanërisht përgjatë pikave 125 dhe 137 të marrëveshjes.
• Në marrëveshje nuk janë marrë parasysh kushtet që parashikohen në UNCLOS për shtetet që ndodhen kundruall. Në këtë rast, Ngushtica e Otrantos i përket vetëm dy shteteve, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, fakt ky që nuk është mbajtur parasysh nga Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.
• Në vijën hyrëse detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë dhe veçanërisht në ngushticën veriore të Korfuzit, nuk është mbajtur parasysh përcaktimi i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë (1913, Miratuar me Aktin Final të Parisit, 1926), i cili sipas burimeve arkivore jep këtë përshkrim: "në vijën ujore, drejtimi zgjatet në drejtim të Jug Perëndimit normal me Detin Territorial" që përfytyrohet zgjatja e kësaj vije deri në truallin e Ujdhesës së Korfuzit. Pika e mesme e kësaj vije do të ishte sa gjysma e largësisë midis vijave normale të të dy vendeve, pra 8 Kilometra. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, kjo largësi rezulton me një diferencë prej 3 Kilometrash në dëm të tërësisë territoriale të RSH duke cenuar sovranitetin territorial në fillimngushticën e Korfuzit me një humbje territoriale prej 2.9 Kilometrash.

• Duke u nisur nga përcaktimi i njohur ndërkombëtar sipas të cilit "Vija ndarëse ujore detare në Kanalin e Korfuzit kalon mespërmes tij...", shkëmbi "Barketa" ndodhet 60 metra në Lindje të vijës së mesme. Sipas këtij përcaktimi ky shkëmb i takon Republikës së Shqipërisë. Në marrëveshjen e nënshkruar nga RSH dhe RG, "Shkëmbi Barketa" është konsideruar si pikë skajore e Arkipelagut të Korfuzit prej të cilës është matur vija e re e mesme. Kjo ka cenuar tërësinë territoriale të RSH me një dëm prej 1.5 kilometrash.

Nisur edhe nga sa më sipër dëshirojmë të sjellim gjithashtu në vëmendjen tuaj faktin se shqyrtimi i thelbit të kësaj marrëveshjeje është i rëndësishëm edhe për një argument tjetër që meriton vlerësim të veçantë në trajtimin e kësaj kërkese. Qartësimi i pretendimeve të ngritura publikisht rreth kësaj marrëveshjeje, pretendime të cilat tashmë janë bërë pjesë e vëmendjes dhe debatit të të gjithë opinionit publik mbarëshqiptar, do të përbënte ndër të tjera edhe një kontribut tejet të rëndësishëm transparence në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të një marrëdhënieve të shëndetshme ndërmjet dy popujve e dy shteteve kufitare të rajonit duke qartësuar kështu çdo lloj dyshimi që mund të përbëjë në çdo moment sot e në të ardhmen mundësi abuzimi në cënim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendit tonë dhe fqinjëve tanë.

I nderuar kryetar,

Të nderuar Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,

Duke konsideruar :

- respektimin e Kushtetutës së RSH dhe legjislacionit në fuqi si kufijtë maksimal të veprimtarisë dhe iniciativës shtetërore;
- zbatimin e Konventave Ndërkombëtare të nënshkruara nga RSH si një detyrim që buron nga Kushtetuta e RSH dhe angazhimet e saj në të drejtën ndërkombëtare;
- rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike dhe të fqinjësisë së mirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;
- respektimin dhe mbrojtjen e tërësisë dhe sovranitetit territorial si bazat e detyrimit më të lartë shtetëror;

Duke vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si institucionin që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj si dhe vendos për pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me kushtetutën e RSH para ratifikimit të tyre;

Duke u bazuar te neni 131, germa b dhe neni 134, pika 1, germa c të Kushtetutës; neni 52 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë";

K Ë R K O J M Ë :

Shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›