Zbardhet pasuria e Shkëlzen dhe Argita Berishës
TIRANË- Ndryshe nga dy prindërit e tyre që deklarohen si dy shqiptarë të varfër, Shkëlzen dhe Argita Berisha nuk mund të ankohen për pasurinë e tyre. Djali i kryeministrit ka deklaruar pasurinë e tij për herë të parë dhe nga vetë fjalët e tij duket një rritje progresive që është shumë premtuese. Në fillim, kur babai i tij sapo kishte marrë postin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha ishte një qytetar i thjeshtë me pak para në bankë dhe një shtëpi me kredi. Tre vjet më pas, ai është një biznesmen për tu pasur shembull në menaxhimin e një studioje avokatore. Ndërsa vajza e kryeministrit, Argita Berisha (Malltezi) vazhdon që të jetë biznesmenia e suksesshme që ka kthyer biznesin e saj në një makinë parash.
Shkëlzen Berisha
"Pasuria ime është një apartament banimi në Stokholm të Suedisë. Atë e ka bashkëshortja ime por ne e ndajmë. Unë zotëroj vetëm 10 për qind të tij. Apartamenti është 100 metra katrorë dhe ka kushtuar 5.6 milionë korona suedeze",- shkuan Shkëlzen Berisha në deklarimin e tij të parë të pasurisë. Ndërkohë ai ka shënuar se disponon edhe një llogari bankare me shtatë mijë euro. Kjo deklaratë pasurie është bërë për vitin 2005. Në këtë kohë ai shkruan se punonte si konsulent në studion e të motrës, Argita Malltezi dhe paguhej 202 mijë lekë në muaj (neto).
Por Shkëlzenit i ka mjaftuar vetëm një vit pranë së motrës për të mësuar zanatin e konsulentit dhe juristit. Në moshën 27- vjeçare ai nis të kryejë veprimet e para financiare si dhe hap një studio personale. Në deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2007 Shkëlzen Berisha shkruan. "Kam shitur apartamentin në Suedi me vlerë 5.6 milionë korona suedeze. Rreth dy milionë i janë kthyer bankës dhe me pjesën tjetër të parave, plus disa kursime të bashkëshortes, janë investuar në një shtëpi më të vogël",- shkruan Shkëlzen Berisha. Në këtë kohë ai merr edhe një shtëpi me qira në Tiranë, të cilën e paguan 500 euro në muaj. Por tashmë djali i kryeministrit ndihet i sigurt në biznesin e tij dhe hap një studio që ofron konsulencë ligjore. Në vitin e parë të punës ai arrin që të fitojë jo pak por gjashtë milionë lekë të reja. Paralelisht me të Shkëlzen Berisha ka nisur punë si drejtues i zyrës juridike në kompaninë e re të telefonisë celulare.
Kjo është periudha kur babai i tij po u shiste turqve Albtelekomin, një marrëveshje të nisur nga qeveria socialiste por e kundërshtuar fuqimisht nga opozitari Berisha. Duke punuar në këtë kompani, për gjashtë muaj, Shkëlzen Berisha ka arritur që të fitojë 460 mijë lekë të reja, të cilat i ka vendosur në bankë. Bashkëshortja e tij ka përfituar 200 mijë korona suedeze. Viti i fundit ka shënuar sërish rritje për bizneset e Shkëlzen Berishës. Nga një djalë i ri që punonte dhe mësonte nga e motra, ai është kthyer në një "biznesmen të suksesshëm". "Në llogarinë rrjedhëse që kam në bankën XXX ndodhen 84.659 euro. Nga këto 82.882 janë shtuar brenda një viti ndërsa pakësimi është 7750 euro",- shkruan djali i kryeministrit. Sipas tij, këtë vit në llogarinë bankare janë derdhur rreth 83 mijë euro.
Prejardhja e këtyre parave është puna si konsulent ligjor, e cila këtë herë është e vogël, vetëm 6930 euro. Duke e krahasuar me një vit më parë, viti 2008 mund të quhet i pasuksesshëm për Shkëlzen Berishën. Por suksesi i tij këtë vit ka qenë në bërjen e konsulentit dhe sekserit në shit-blerje. Këtu ai ka fituar shumën e gati 83 mijë eurove. Përveç kësaj djali i kryeministrit ka shënuar në deklarimin e tij të pasurisë edhe gjendjen e një llogarie tjetër bankare. Aty ndodhen rreth 1.5 milionë lekë të reja dhe nga to janë tërhequr 150 mijë. Në dy llogari të tjera djali i kryeministrit ka rreth 460 mijë lekë dhe gjashtë mijë euro.
Argita Malltezi
Vajza e kryeministri Berisha është rikonfirmuar si biznesmene e suksesshme teksa ka fituar 5.2 milionë lekë të reja dhe 32.829 euro. Në deklarimin e saj të parë vajza e kryeministrit ka shënuar se është pronarja e shtatë apartamenteve, një shtese pallati, një dyqani, një tokë tre mijë metra katrorë dhe dy makinave. Tashmë vajza e kryeministrit i ka shitur dy makinat e saj fuoristradë dhe Benz kundrejt vlerave respektove 8200 dhe 5000 euro.
Ky mund të quhet një biznes i suksesshëm sepse makinat janë blerë me të njëjtën shumë por disa vite më parë. Ndërkohë të ardhurat nga studioja avokatore janë 5.2 milionë lekë të reja. Një lëvizje e rëndësishme ekonomike në jetën e Argita Malltezit është shlyerja e një kredie të rëndë që e mbante peng prej vitesh. Ajo ka shënuar se tashmë ka shlyer kredinë 138 mijë euro. Për sa i takon gjendjes së shtatë llogarive të saj bankare ato kanë pasur lëvizje të vogla por që me shtesa dhe pakësim janë pothuajse e njëjta gjë.
Pasuria fillestare e Argita Malltezit
Apartament 77 metra katrorë në Tiranë, përfituar nga privatizimi
Apartament 95 m2 dhe garazh, i blerë duke shkëmbyer me një apartament tjetër dhe 14 mijë dollarë
Shtesa anësore e pallatit, 60 metra2 e pa hipotekuar. Vlera 20 mijë dollarë
Apartament plus parking, 188 metra2, vlera 125 mijë dollarë
Apartament 141 metra2, vlera 100 mijë dollarë
Dyqan 33 metra katrorë, vlera 26 mijë euro
Gjysmë vile në bregdet Gjiri i Lalëzit, vlera 56 mijë euro
Tokë tre mijë metra2, vlera gjashtë milionë lekë
Apartament 120 metra2, vlera 150 mijë euro
Apartament 200 metra2, vlera 100 mijë euro
Makina Mitsubishi 8500 dollarë
Makinë Benz klas A, pesë mijë euro
Berisha, kryeministri i varfër i shqiptarëve
TIRANË- Kryeministri Berisha ka listuar veten e tij në listën e shqiptarëve që jetojnë me shpenzime minimale, edhe pse, përveç aferave të ndryshme të përfolura, ka një rrogë për tu pasur zili. Në deklarimin zyrtar të pasurisë, të shkruar dhe firmosur nga vetë ai shënohet se ndryshimet e llogarive bankare janë minimale. Të vetmet llogari bankare që kanë "lëvizur" janë ato në emër të të shoqes, Liri Berisha. Por edhe ato kanë lëvizur me hapa të vegjël, njëra është rritur me 10 mijë lekë ndërsa tjetra me 406 mijë lekë. Ndërsa llogaritë në emër të kryeministrit kanë pasur disa shtesa dhe pakësime qesharake. Kështu, llogaria bankare e kryeministrit në një nga bankat e nivelit të dytë, në fund të vitit, ka shënuar një rritje me 13 lekë. Një tjetër është pakësuar me 300 lekë. Këto lëvizje bankare prej varfanjaku, e vendosin kryeministrin Berisha në listën e shtresave të varfra shqiptare, madje për t'u përfshirë në skemën e kafshatës.
Sipas deklarimit zyrtar, Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij kanë nëntë llogari bankare. Për një vit në to janë shtuar 546.339 lekë të reja. Ndërkohë ato janë pakësuar me 2576 lekë të reja. Në deklarimin e tij zyrtar, Sali Berisha ka shkruar: Të ardhurat e mia janë nga paga si kryeministër 2.149.529 lekë të reja; nga shpërblimet në kryeministri 9.000 lekë të reja dhe të ardhurat nga paga në qendrën shëndetësore nr.4 të bashkëshortes Liri Berisha në shumën 576.947 lekë të reja". Me këtë fjali përmbyllet edhe deklarimi modest i kryeministrit shqiptar, i cili ka mundur që të kursejë vetëm 540 mijë lekë gjatë një viti.
Llogaria 1 shtohet me 10.074 lekë
Llogaria 2 shtohet me 13 lekë
Llogaria 3 pakësohet me 1.500 lekë
Llogaria 4 shtohet me 5.824 lekë
Llogaria 5 shtohet me 406.735 lekë
Llogaria 6 pakësohet me 300 lekë
Llogaria 7 shtohet me 897 lekë
Llogaria 8 shtohet me 122.796 lekë
Llogaria 9 pakësohet me 776 lekë