E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet skandali, KLSH: Dhori Kule bleu 50 mijë USD një makinë të përdorur

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule

Raporti për Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Dëmi, 15 mijë dollarë.

Skandali, KLSH: Me të njëjtën shumë mund të blihej e re.

Zbulohet tjetër skandal me tenderët në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Raporti i KLSH-së akuzon drejtpërdrejt institucionin e drejtuar nga Dhori Kule, për abuzim me fondet që janë shpenzuar për blerjen e makinave.
Ky i fundit ka autorizuar blerjen e makinave të përdorura luksoze, duke shpenzuar të njëjtat para me të cilat mund të blihej një makinë e re. Më thjeshtë, ka shpenzuar rreth 4.9 milionë lekë për të blerë një Mercedez me 30 mijë kilometra. Shuma e frikshme, prej rreth 50 mijë USD, përbën në vetvete një abuzim, por ka edhe më shumë. Sipas KLSH-së, me këto para mund të blihej një Mercedez i ri fringo, me të njëjtat parametra. Raporti i KLSH-së zbulon skandalin në institucionin e rektorit Kule, kur vetëm për një makinë ka një dëm prej 15 mijë dollarësh.
Nisja e abuzimit
Sipas KLSH-së, Rektorati ka vendosur një fond prej 4.950.000 lekësh për blerjen e një autoveture për Universitetin e Tiranës. Që në hartimin e dokumenteve KLSH vëren abuzim, pasi është kërkuar blerja e një makine model i klasit të lartë me kilometra të përshkruara jo më tepër se 30 mijë, autoveturë model limuzinë, duke caktuar kritere që lidhen me kualifikimin e operatorëve ekonomikë. Por, kjo është vetëm shkelja e parë. KLSH thekson se institucioni i Kules, në përcaktimin e çmimit të automjeteve, nuk është konsultuar me çmimet e botuara nga INSTAT, ose çmimet e organeve të tjera, si Dogana, Tatime apo Dhoma e Tregtisë. Pra e ka vendosur çmimin apriori. Dhe ja çfarë ka ndodhur me lotin e parë të tenderit Blerje e një autoveture, model i klasit të lartë:
Supermakina
Për lotin e parë, Rektorati i Kules ka blerë një makinë Mercedez Benz e 320 CDI. Supermakina e kërkuar për rektorin është blerë e përdorur me çmimin e një makine të re. Blerje autoveture (copë 1), model i klasit të lartë, e përdorur, kur ky automjet të ketë kryer jo më shumë se 30 mijë km dhe të ketë çmimin 4.950.000 lekë, është i pajustifikuar, kur me kaq fond të vënë në dispozicion mund të blihej një Mercedez Benz i ri, tip E 320 CDI EVO Avantgarde që kushton 29244 euro, thekson KLSH. Pra, makina është blerë e përdorur, ndërkohë që me të njëjtën vlerë mund të blihej një kaminë e të njëjtit tip e re. Dhe ky veprim nuk është bërë rastësisht. Sipas KLSH-së, ndryshimi në vlerë është rreth 1.504.068 lekë, ose rreth 15 mijë USD. Ja si e argumentin KLSH çmimin real të makinës së përdorur dhe diferencën e paguar tepër nga Rektorati:
Llogaritja e çmimit
Për të llogaritur çmimin e makinës së përdorur për këtë tender, ka një udhëzim të Ministrisë së Financave. Sipas udhëzimit Nr25, vlera e automjetit skontohet pas përdorimit në këtë mënyrë: Mercedez Benz e 320 CDI EVO Avantgarde e re kushton 29244 euro. E përdorur kushton 29244 euro x 70% (që është koeficienti për makinat e përdorura)= 20471 euro. I konvertuar me kursin e kohës (1 euro = 133.58 lekë) vlera e automjetit do të ishte 2.725.032 lekë. Kësaj vlere i shtohet edhe çmimi i detyrimeve doganore prej 720.000 lekësh dhe çmimi i makinës, që del 3.445.032 lekë. Kjo është vlera e mjetit së bashku me detyrimet e doganës të paguara. Diferenca e vlerës së automjetit të zhdoganuar dhe shitjes së tij Rektoratit të Universitetit është 1.504.058 lekë. Kjo tregon se përcaktimi i fondit limit është i gabuar dhe se komisioni i vlerësimit të ofertave ka bërë vlerësim të padrejtë dhe të paargumentuar, thekson KLSH-ja pas llogaritjeve të abuzimit. Pra, për makinën e përdorur janë paguar 15 mijë USD më shumë, ndërkohë që me këto para mund të blihej një Mercedez i ri, i të njëjtave parametrave.

Abuzimi me supermakinën e Rektoratit
.    Fondi limit për blerjen e makinës Mercedez E 320 CDI, Avantgarde e përdorur me më pak se 30 mijë km – 4.999.900 lekë

.    Oferta e shpallur fituese nga Rektorati – 4.950.000 lekë

.    Çmimi në treg i një Mercedezi të përdorur E 320 CDI, Avantgarde e përdorur me më pak se 30 mijë km – 3.445.032 lekë

.    Diferenca mes çmimit të treguar dhe atij të paguar për makinën e përdorur – 1.504.058 lekë

.    Çmimi në treg i një makine të re, Mercedez E 320 Avantgarde – 29244 euro (3.906.413 lekë)

.    Diferenca mes çmimit të makinës së re dhe asaj të paguar nga Rektorati për makinën e përdorur – 1.043.587 lekë

KLSH ka tri vite që nuk kontrollon dosjet e Kules
Rektorati nis pastrimin e dosjeve

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj

Edhe pse ka një sërë abuzimet financiare të zbuluara, Kontrolli i Lartë i Shtetit duket se ka harruar të kontrollojë Rektoratin e Tiranës. Ka më shumë se tri vite që KLSH nuk ka ushtruar detyrën e skanimit të dokumenteve financiare në institucionin e Kules, duke përbërë kështu një precedent në historikun e këtij institucioni. Përgjithësisht, çdo institucion i lartë, aq më tepër Rektorati i Tiranës, kontrollohet periodikisht nga KLSH të paktën çdo dy vite. Detyra në këtë rast i bie kreut të ri të KLSH-së, i cili duhet të bëjë detyrën e kontrollit edhe në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Gazeta mësoi nga burime të Rektoratit se pas zbulimeve të fundit të abuzimeve financiare, në institucionin e Kules ka nisur puna për sistemimin e dokumenteve. Shumica e stafit të këtij institucioni është angazhuar në rregullimin e dosjeve të tenderëve dhe shpenzimeve të tjera financiare, të trembur nga një kontroll i ri.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›