E Diel, 1 Nëntor 2026

Retro/Press: Ikja nga Misri për gjithmonë

Letër e Fan Nolit e dërguar A. Tashkos më 15 maj 1906. Letra është shkruar me bojë të zezë, në një fletë dyshe, në 4 faqe, me përmasa 13.6 me 20.7cm. në pjesën e majtë ndodhet një grafik e Statujës së Lirisë.

Hotel New-York,

Prop. Petruzzelli Clorindo

Via Duomo, 340

Napoli, 15 të Majit 1906

I dashur mëmëdhëtar z. Th. Tashko

Me sa gaz m’u mbush shpirti, kur hipa maj anijesë dhe që nga urëza lart shpura sytë për të mramen herë nër dherat e-veshura të Misirit. Tri vërshëllime që të shurdhonin veshët, më dhanë zë, që me të vërtetë hikënj nga Misri për gjithmonë. Kur na shkonin nga klarantina, pashë dhe një dibran të gjorë, një trim të bukur me flet, që s’na dikte asnjë gjuhë përveç shqipes, pak turqisht vetëm fliste, po dhe atë me sëpatë. ǒdo që e pyesnin, përgjigjej i ngrati “Selanik”. Më zu gazi dhe i vajta pranë dhe e pieta:

“Mos je shqiptar, ore vëlla”

“Po, më tha, nga Dibra”.

-Eja i-thashë. Si ta thonë emrin.

-Gani Elmas.

-Mirë, ku e ke bileton? Rrëfeja ati që shkruan aty. Tashti, eja të shkojmë tek heqimi të na shëkonjë”.

-“Po ç’të na shëkonjë, tha unë s’kam gjë prej gjëje”!

-S’ke, i -thashë, po ashtu është namuzi.

-Mirë t’a shëkojmë edhe këtë namuz.

Po heqimi s’na qenka atje, dhe prisnim.

-Pyet, më tha, ku është heqimi. Pyeta unë dhe më thanë: “Ka punë Brenda”.

Eja të hyjmë, thotë, ç’punë tjatër na paska?

-Duro, i-thashë, se dhe unë jam Shqiptar, dhe unë të kulluar e kam gjaknë si ty, po ja, tek po pres këtuth.

-Mirë, më tha, po nga të kemi z. rinë tënde?

-Nga Kolonja i-thashë.

-Gëzohem shumë, më tha, dhe vuri njërën dorë në mest, dhe me tjatrën droshi mustaqezën e-rustë, një mustaqe të bukurëz, ngriti ballin përpjetë, dhe më shëkonte me një madhëri vjetërë të Romës, dhe me një dashuri dhe me një ngashërim të vërtetë, aq sa nisnë dhe i-dridheshin buzët dhe lëvozhgat e-syvet, si një foshnjë, që është gati të qanjë.

-Po ku vete, më tha?

-N’Amerikë. Dhe mënjë copë herësh hardhi Arapi, dhe na ftoj të vemë të na shëkojë heqimi. Unë u-nisçë, por ajy më mbajti nga dora e më tha:

-“Rri, ku vete? Neve jemi më të shëndoshët e dynjasë”.

-“Namuzi, bre vëlla, - thashë! Dhe pampori shkon pas gjysmë saati”.

“Mirë, më tha, të shkojmë, po unë ja qijë tëmën pamporit, një herë që u poqmë, dhe u gjetmë vëllezër”.

-Na pa heqimi, dhe shkova unë se s’më mbetej kohë. Tek hikënjë dëgjonj:

-“Shko me shëndet, të qoftë udha e mbarë të na kujtosh”.

Nër tri dit arrimë në Napoli, të shtunën. Sa po hymë në limant dhe na qerthuluan barkazi plot me Napolitanka që këndonin dhe losnin dhe kapnin umbrella përsëprapi, dhe udhëtarët u shpinin grosh dhe gjysmë franga të Misrit, duallmë në Douanë dhe shkuam në hotelt. Perëndi e lartë, ç’farë udhëra edhe sheshe me shadërvanë dhe gra dhe çupa, mos më keq o Perëndi. Po mua këto bukurina s’më bëjnë asnjë impression, se edhe s’e di mirë ku do më dalë puna. Biletën e nzora që këtejza. Anija do shkonjë më 18 të muajit ora 5 p.d. po më lipset të jem atje saati 2, se do na shëkonjë prapë heqimi, dhe le të jemi më të shëndoshët e dynjasë si tha Dibrani. Perëndija na rruajtët nga e keqëja. Këtë frikë ditova nga 73 shkallët e Doctor Adamidit. Një ditëz shkuam me tramvaj në Pozillipo, një vënth nga më të bukurit e botës. Anës detit, lart Napolit, në udhë që hipën maj bregut. Nga an’ e detit poshtë shtëpizë dhe villaz të stolisura, të donatisura me lule ç’do farë ngjyre dhe me pjergulla që thua se po janë të ndërtuara maj detit, dhe lart prapë ashtu majë bregut me Napolitanka që kullosin dhi dhe kecër dhe gjithnjë po u qesh buza. Hipnë lart majë bregut dhe a’andej dukej posi panoramë tërë Napoli dhe kundrejt volkan Vezuvi që tymjos ghithëmonë. Dhe kur u-mejtuashë atje që munt të mos më lenë të hikënj dyke gjetur nonjë cen ndër sytë t’im më ra zali dhe pak mbet të rrugillizëshë tatëpjetë. Zbritmë dhe hymë Brenda dhe ja tek po ju dërgoj pak pluhër nga llav e tija dhe fletë prej lulëve mollesh atje pranë.

Por na e kemi shpresën të madhe dhe fat i Shqipërisë s’fle.

Të përshëndosh me mall

Fan Noli

S. Pas letrës në març një kart-postal, domethënë që më lanë dhe shkova.

(AQSh, Fondi Athanas Tashko, Dosja 20, Faqet 3,4.)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›