E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Skandali i misrit, pabesi shtetërore

 

Kryesocialisti Rama i bëri dje thirrje Kryeministrit Berisha të reagojë rreth skandalit të farës së misrit që ai e cilësoi "pabesi shtetërore". "Kryeministri s'duhet të heshtë për këtë pabesi shtetërore ndaj mijëra familjeve të fshatit që sot meritojnë jo vetëm ndjesën publike të tij e të qeverisë së tij, por edhe dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit për humbjen kolosale që u ka shkaktuar papërgjegjshmëria shtetërore", tha Rama gjatë një konference për shtyp. Rama kërkoi që Kryeministri të dëmshpërblejë fshatarët e dëmtuar. "Sali Berisha është përgjegjësi politik e moral për këtë katastrofë, por i takon atij vetë që me zë të lartë jo vetëm të pranojë përgjegjësinë dhe shlyejë financiarisht humbjen e çdo familjeje, por edhe të kërkojë hapjen e një hetimi serioz për nxjerrjen para ligjit dhe dënimin e fajtorëve". Sipas tij, "misri i mbjellë anekënd vendit nuk prodhon kokrra jo për mungesë të shërbimeve gjatë procesit të rritjes së tij, por për mungesë të kontrollit të farës nga ana e shtetit. Ky është një skandal i denjë vetëm për republikat e bananeve ku sundon korrupsioni qeveritar e paaftësia qeverisëse!", ka përmbyllur Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›