Zbardhet vrasja e 14-vjeçarit në Maliq. Në pranga 8 persona, mes tyre autori, babai dhe xhaxhai i tij

Zbardhet ngjarja e rëndë që tronditi Maliqin, ku një 14-vjeçar u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar.
Tetë persona janë arrestuar nga Policia e Korçës, njëri prej tyre autori i dyshuar i ngjarjes, babai dhe xhaxhai i tij, të cilët tentuan të fshihnin armën e krimit, 4 të mitur të pranishëm në vendngjarje, që tentuan të pengonin zbardhjen e ngjarjes, dhe një 34-vjeçar, i cili tentoi të largohej me automjet me autorin.
“Në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
– shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
– shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
– 4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
– shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit””, thuhet në njoftim.
Policia ka sekuestruar mjetin prerës me të cilin u qëllua viktima, automjetin me të cilin tentuan të largoheshin dy persona dhe 5 celularë.
Një ditë më parë, 14-vjeçari në fshatin Pirg u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij pas një konflikti. Autori i ngjarjes u shtrua fillimisht në spital, ndërsa më pas u bë edhe arrestimi i tij.
/rtsh.al/