Zbatimi i marrëveshjes ka mbetur pezull

Realitetet e zbatimit të marrëveshjes së arritur midis zyrtarëve të Beogradit e Prishtinës muajin e kaluar sjellin sfida të reja në rajonin e veriut të Kosovës të mbizotëruar nga serbët, thanë analistët.
Serbët në Kosovë thanë më parë këtë muaj se kishin në plan të thërrisnin një referendum mbi marrëveshjen, por zyrtarët e Prishtinës thanë se Serbia nuk mund të organizojë një votim në territorin e Kosovës.
"Forma dhe mënyra e organizimit, çështjet e trajtuara në një referendum dhe thirrja për një referendum janë të përcaktuara nga kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Asnjë vend tjetër nuk mund të organizojë një referendum [në] Kosovë," tha për SETimes Arber Vllahiu, zëdhënës për Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
Zyrtarët thanë se marrëveshja e 19 prillit përkufizon të drejtat e komunitetit serb në Kosovë dhe rrugën evropiane për të dy vendet.
"Marrëveshja i ofron komunitetit serb në veri të Kosovës të drejta të garantuara nga kushtetuta dhe u lejon atyre një jetë më të mirë dhe barazi me të gjithë shtetasit në Kosovë," tha Vllahiu.
Zyrtarët serbë janë dakort.
Kryeministri Ivica Daçiç tha se marrëveshja me Prishtinën duhej të zbatohet dhe se askush nuk ka të drejtë të "vazhdojë të tërheqë Serbinë në një fatkeqësi tjetër."
"Kjo marrëveshje duhet të zbatohet, e vetmja çështje është nëse duhet t'a bëjmë atë së bashku, që do të ishte shumë më mirë," u tha Daçiçi serbëve të Kosovës.
Ndërsa Beogradi ka të gjitha mekanizmat në vend për të zbatuar këtë marrëveshje, ai nuk dëshiron t'i përdorë ato.
"Mekanizmi është i thjeshtë: ndërprisni pagesat, mbyllni vendet e punës dhe e ke zgjidhur problemin e të ashtu-quajturave institucione paralele," tha Daçiç.
Zyrtarët e Beogradit do të diskutojnë me serbët nga Kosova e veriut këtë javë mbi atë sesi të shmangin këto masa. Megjithatë, sipas analistëve, kundërshtimi për marrëveshjen mund të jetë i vështirë për t'u kapërcyer.
"Shtetasit serbë janë në dijeni se brenda marrëveshjes ka elementë të njohjes së Kosovës, sepse ajo është një marrëveshje dypalëshe dhe [ajo] do të detyronte shtetasit të ishin besnikë ndaj kushtetutës," tha Luz Balaj, avokat nga Kosova në Institutin për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare.
Ardian Arifaj, një bashkëpunëtor i lartë shkencor i KIPRED-së, vuri në dukje se roli i Beogradit në Kosovën e veriut është tepër i rëndësishëm. "Beogradi mbetet kryesor për zhvillimet në Kosovën e veriut. Asgjë nuk ndodh në veri pa dijeninë dhe duart e Beogradit," tha ai.
Megjithatë, ai tha se nuk ka alternativa të tjera.
"Marrëveshja është një projekt ndërkombëtar e palët nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse t'a zbatojnë atë," tha Arifaj.
Përkundër kësaj, serbët e Kosovës së veriut do të jetë vështirë të binden.
Milan Ivanoviç, president i Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës së veriut dhe Metohisë, tha se marrëveshja e Brukselit rrezikon interesat jetike të serbëve e se plani për zbatimin e saj ishte edhe më keq, pasi ai "shkatërron gjithçka dhe është e qartë se synimet pas tij nuk janë të mira."
Partia e opozitës e Kosovës, Vetëvendosje e Albin Kurtit, ishte kritike ndaj marrëveshjes po ashtu.
"Integrimi institucional është integrimi i përfaqësuesve serbë, jo i serbëve. Kështu që, integrimi i kufizuar në integrimin institucional është i brishtë. Integrimi është një çështje barazie, jo një çështje tolerance," tha Kurti. /Indeksonline/