E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbatova urdhrin e Bollanos për heqjen e tabelave

Dëshmitari i fundit në gjyqin që zhvillohet ndaj kryebashkiakut të Himarës, Aleks Deda, tha dje se ishte i detyruar ti bindej Bollanos, pavarësisht urdhrit antikushtetues

VLORË - Në seancën e djeshme gjyqësore, në ngarkim të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, doli para togave të zeza kreu i Policisë Bashkiake të Himarës, Aleks Deda, i cili sqaroi pozicionit e tij, duke u shprehur se ka zbatuar vetëm ligjin kur ka hequr tabelat në gjuhën shqipe në aksin Qeparo-Llogora. “Kam zbatuar vetëm urdhrin e kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, pasi struktura që unë drejtoj duhet të zbatojë këto urdhra”, tha Deda, dëshmitari i fundit i thërritur nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë. Ai u pyet nga prokurori i çështjes, njëherazi prokuror i rrethit, Sokol Malaj, në lidhje me zbatimet e urdhrave dhe kontaktet që ka pasur me firmat zbatuese të tabelave. Dje, Vasil Bollano edhe pse është thirrur që të marrë pjesë në gjyq, është përfaqësuar, ashtu sikurse edhe më parë, nga avokati i tij mbrojtës, Petraq Curri. Seanca e radhës në ngarkim të kryebashkiakut Vasil Bollano, i akuzuar për “shpërdorim detyre”, është caktuar që të zhvillohet në datën 19 shtator. Bollano në dhjetor të vitit të kaluar hoqi tabelat në gjuhën shqipe përgjatë aksit nacionale Qeparo-Llogora, që i zëvendësoi me tabela të tjera në gjuhën greke, duke shkaktuar revoltë tek banorët e zonës. Ky akt bie gjithashtu në kundërshtim me nenin 248 të Kodit Penal. Po kështu, sipas përllogaritjeve, dëmi financiar i realizuar prej tij kap shifrën prej 2.1 milionë lekësh të reja. Tabelat ishin vendosur në rrugën nacionale, pas një tenderi të zhvilluar në Ministrinë e Transporteve.

Prokurori kërkon Bollanon

Prokurori i çështjes, Sokol Malaj, kërkoi dje që në seancat e ardhshme kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, të jetë prezent në sallë, madje edhe në cilësinë e dëshmitarit për t’u marrë në pyetje. Por duket se trupi gjykues nuk e imponon dot prezencën e tij në sallë, pasi Bollano konsiderohet i pandehur dhe në bazë të ligjit ka të drejtën e përfaqësisë nga avokati i tij mbrojtës, në bazë edhe të prokurës së bërë prej tij. Gjithsesi, Malaj e ka renditur Bollanon si një nga dëshmitarët që kërkohet të dëgjohet nga gjykata. Sipas prokurorit të rrethit, urdhri i nxjerrë nga Bollano, që i është paraqitur trupit gjykues në cilësinë e provës materiale, ka dhënë premisa për çrregullimin e qarkullimit rrugor në aksin Qeparo-Llogora, ku edhe janë hequr tabelat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›