E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Milon dera është e hapur

LSI-ja pret të bashkëpunojë në 2009-ën edhe me Cekën e Koçin

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, shprehu synimet e partisë së tij për afrimin e aktorëve të tjerë politikë tek koalicioni “E majta për integrim”, ndërsa renditi kushtet ndaj PS-së. Në një prononcim për “Korrierin”, ai thotë se kreu i PDS-së, Paskal Milo, duhet të qartësojë idetë e të pozicionohet. I pyetur nëse ka një derë të hapur për të, ai thotë: “Padyshim. Jo vetëm të hapur, por zoti Milo për takimin me Ramën e Gjinushin informoi edhe grupin parlamentar ku ai bën pjesë”. Ndërkaq, LSI-ja shpreson që tek koalicioni “E majta për integrim” të mbërrijnë edhe parti të tjera. “Do të jetë zoti Koçi, do të jenë parti të tjera të spektrit të majtë, “Të gjelbrit” dhe partia e zotit Ceka, dhe shpresojmë që edhe zoti Milo të gjejë stabilitet në qëndrimin e tij, pasi disa deklarata të tij e kanë bërë të mos themi të dyshimtë, por ende të pavendosur pozicionimin e tij, i cili ka të drejtë të takohet majtas, djathtas, me tërë liderët e krahut të majtë, ku më i freskëti është takimi me zotin Rama e Gjinushi”, - shtoi deputeti i LSI-së. Spartak Braho renditi edhe kërkesat ndaj PS-së, për të vazhduar bashkëpunimin me partinë më të madhe opozitare. Disa nga pretendimet kryesore janë: korrektimi i pragut në rang kombëtar, përfaqësimi i LSI-së me komisionerë në të tërë nivelet, plotësimi i kushteve dhe infrastrukturës zgjedhor me karta identiteti, listat e zgjedhësve dhe disa kërkesa që lidhen me procesin transparent të numërimit të votave në KZZ. Sipas Brahos, edhe puna e komisionit të posaçëm për kodin zgjedhor duhet të bëhet e hapur dhe transparente. I pyetur për mundësinë e rilidhjes së urave të bashkëpunimit me socialistët, madje edhe daljen së bashku në 2009-ën, nëse PS-ja pranon korrektimin kombëtar, Braho tha: “Kushtet tona nuk lidhen vetëm me korrektimin, lidhen me tërë ato probleme që unë përmenda më sipër, ku kryesori është që PS-ja të heqë dorë nga koalicionet e përbëra. LSI-ja është për një koalicion ndryshe. Koalicioni dhe bashkëpunimi sigurohet në një mënyrë tjetër. Por gjithsesi, për të pasur siguri, për t’u shprehur pro bashkëpunimit me PS-në, padyshim që duhet garanci, duhet që realisht ajo të pranojë këto kushte”, - deklaroi deputeti i LSI-së. Ai shtoi që edhe pas zgjedhjeve, bashkëpunimi me socialistët do të mundësohet vetëm nëse PS-ja do të rreshtohet realisht kundër Sali Berishës e të denoncojë marrëveshjet mes Ramës dhe Berishës. Nisur edhe nga qëndrimi i Brahos, por edhe i drejtuesve të tjerë të LSI-së, bashkëpunimi PS-LSI duket ende i largët, për të mos thënë i pamundur. Për socialistët, bashkimi i votave me PD-në për ndryshimin e Kushtetutës kishte për qëllim vetëm realizimin e reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët e në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Për partinë më të madhe opozitare, është Meta ai që po e bën këtë rrëmujë, vetëm për çështje karrigesh e interesash personale, sikundër ndodhi kur LSI-ja bashkoi votat me PD-në për postin e drejtorit të Ujësjellësit në Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›